Amerika

SHBA, hiqet flamuri i Konfederatës, do të dërgohet në ‘dhomën e relikeve’

Pas miratimit të rezolutës nga ligjvënësit në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të Karolinës së Jugut, ligji për heqjen e flamurit të Konfederatës u nënshkrua edhe nga guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Nënshkrimi u bë para ligjvënësve dhe personaliteteve të enjten, ndërsa u lëshua edhe një deklaratë ku thuhej se flamuri do të hiqet nga Kapitoli i këtij shteti në kryeqytetin Kolumbia në orën 10:00 (ora lokale) të së premtes.

Flamuri i Konfederatës së periudhës së Luftës Civile do të dërgohet në “dhomën e relikeve”, në muzeun ushtarak të Karolinës së Jugut.

Menjëherë pas nënshkrimit të ligjit, nën brohoritje dhe duartrokitje, Haley tha: “Ne do ta ulim atë me dinjitet dhe do të sigurohemi se është vënë në vendin që i takon”.

Më herët gjatë së enjtes, ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Karolinës së Jugut miratuan rezolutë për heqjen e flamurit. Projektrezoluta u miratua me 94 vota ‘pro’ dhe 20 kundër, pas gati 13 orësh debati të nxehtë. Kundërshtarët e këtij ligji, i cili u miratua me votë masive nga Senati pak ditë më parë,  paraqitën më shumë se 60 amendamente, të cilat synonin të vononin hyrjen në fuqi të ligjit.

Për shumë njerëz në shtetet jugore, flamuri i Konfederatës përfaqëson një simbol të nderuar të historisë së tyre, por po shihet gjithnjë e më shumë edhe si një simbol i skllavërisë dhe i racizmit. Propozimet për heqjen e tij u ngritën pas masakrës së muajit të kaluar ku mbetën të vrarë 9 persona me ngjyrë në Charleston.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button