Amerika

SHBA-ja mund të zgjedh senatorin e parë mysliman

Shtetet e Bashkuara mund të zgjedhin javën e ardhshme zyrtarin e tyre mysliman të rangut më të lartë – një republikan të mbështetur nga Donald Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Mehmet Oz, një personalitet televiziv dhe kirurg në pension me origjinë turke, kandidon në Pensilvani kundër guvernatorit demokrat John Fetterman në një garë që mund të vendosë fatin e Senatit të SHBA-së për dy vjetët e ardhshme, raporton Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Ndërsa shumë myslimanë amerikanë e kanë mirëpritur kandidaturën e Oz, kandidimi i tij nuk ka arritur të gjenerojë përkrahjen e mëparshme në komunitetet myslimano-amerikane. Oz është kandidati i parë mysliman për Senat i një partie të madhe.

“Politikat janë më të rëndësishme për ne këtu se çdo gjë tjetër. Identiteti është i mirë, por nëse një kandidat nuk përputhet me vlerat dhe parimet tona, nuk ka kuptim që ne të mbështesim dikë të tillë”, tha Nagi Latefa, një palestinezo-amerikan banor i Allentown, Pensilvani, i cili promovon angazhimin qytetar në komunitet.

Oz, i cili e përshkruan veten si një “mysliman liberal”, e ka diskutuar identitetin e tij vetëm kur është pyetur.

Dhe ndryshe nga kongresmenet myslimane, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, për shembull, ai nuk i ka përqendruar çështjet që tërheqin veçanërisht amerikanët myslimanë në fushatën e tij, duke përfshirë mbrojtjen për të drejtat palestineze dhe luftën kundër islamofobisë.

 

“Ne nuk e duam ligjin e Sheriatit”

Shoqërimi i Oz me Trumpin dhe komentet e kaluara rreth “ligjit të Sheriatit” kanë tërhequr qortime nga aktivistët myslimano-amerikanë.

I pyetur nga “Real America’s Voice”, një rrjet konservator mediatik, në maj nëse pajtohet apo jo me ish-kandidatin republikan për president Ben Carson se Islami nuk përputhet me Kushtetutën e SHBA-së, Oz tha: “Ne nuk e duam ligjin e Sheriatit në Amerikë. Unë jam një mysliman liberal”.

Ai vazhdoi: “Unë nuk dua që asnjë nga këta fanatikë fetarë të luajnë një rol në shoqërinë amerikane dhe unë do të punoja në mënyrë agresive për t’i bllokuar ata”.

Sheriati është një kod i etikës myslimane i interpretuar ndryshe ndërmjet grupeve të ndryshme myslimane.

Pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001, aktivistët anti-myslimanë filluan të promovojnë teori të pabaza se emigrantët myslimanë duan të imponojnë ligjin e Sheriatit në SHBA – pretendime që avokatët e të drejtave thonë se janë të nxitur nga islamofobia me qëllimin për të nxitur frikën ndaj myslimanëve.

“Southern Poverty Law Center”, e cila gjurmon grupet e urrejtjes, e përshkruan shtytjen kundër Sheriatit si “teori konspirative të së djathtës ekstreme”.

Ahmet Tekelioglu, drejtor ekzekutiv i degës së Filadelfias të Këshillit për Marrëdhëniet Islame Amerikane (CAIR), tha se komentet e Oz pasqyrojnë një keqinterpretim të ligjit të Sheriatit që është “emblematike e një kulture të përgjithshme politike në Amerikë” që përjetëson njëanshmëri kundër myslimanëve.

Ai tha se disa njerëz në komunitetin mysliman janë të emocionuar për prejardhjen myslimane dhe turke të Oz; disa janë skeptikë ndaj tij për shkak të lidhjeve të tij me populizmin e krahut të djathtë dhe të tjerë po shikojnë detajet dhe nuancat në platformën e secilit kandidat.

Ekipi i fushatës së Oz nuk iu përgjigjë kërkesës së Al Jazeera-s për koment.

 

Myslimanët e SHBA-së

Myslimanët në SHBA përbëjnë rreth 1 për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew të vitit 2017.

Ndërsa avokuesit myslimano-amerikanë shpesh theksojnë se komunitetet e tyre nuk janë monolit, votuesit myslimanë e kanë përqafuar kryesisht Partinë Demokratike në dekadat që nga 11 shtatori, ndërsa zyrtarët republikanë gjithnjë e më shumë u angazhuan në retorikë dhe politika anti-myslimane.

Ish-presidenti Donald Trump, i cili pritet të synojë përsëri presidencën në vitin 2024, premtoi të ndalojë të gjithë myslimanët të hyjnë në SHBA gjatë fushatës së tij të parë presidenciale dhe, si president, vendosi një ndalim udhëtimi në disa vende me shumicë myslimane.

Në këtë cikël zgjedhor në Pensilvani, Oz po konkurron përkrah një kandidati republikan për guvernator, i cili dikur ndau një artikull duke paralajmëruar kundër kandidatëve myslimanë për poste, të cilin e përshkroi si një prirje “të rrezikshme”.

Të katër myslimanët e zgjedhur ndonjëherë në Kongres kanë qenë demokratë.

“Në përgjithësi, komunitetet tona duan të dëgjohen më shumë. Ata duan që politikanët të vlerësojnë diversitetin, jo të blejnë një diskurs të bardhë nacionalist të krishterë. Ata duan që politikanët të vazhdojnë të flasin me ta, jo thjesht të shfaqen për foto-opsione”, tha Tekelioglu.

Latefa, aktivisti palestinezo-amerikan, tha se ndërsa amerikanët myslimanë ndihen të tjetërsuar nga Partia Republikane kombëtare, shumë komunitete myslimane, përfshirë në Allentown, kanë marrëdhënie të mira me zyrtarët lokalë të GOP.

Ai tha se është përpjekur prej muajsh të kontaktojë fushatën e Oz për ta bërë kandidatin të diskutojë çështjet me anëtarët e komunitetit pa dobi.

“Unë personalisht kam bërë përpjekje të shumta – duke përdorur të gjitha lidhjet e mia me republikanët në komunitetin lokal dhe zyrtarët dhe aktivistët e zgjedhur – që Dr Oz ose të vijë të takohet me udhëheqësit e komunitetit mysliman ose të vijë të vizitojë një xhami dhe të na tregojë se kush është ai. kështu që ne mund ta shikojmë atë në sy dhe të shohim se ku qëndron ai”, tha Latefa për Al Jazeera.

Qëndrimet politike të Oz

Për çështjet e mëdha, Oz ka miratuar kryesisht politika standarde republikane, duke përfshirë zotimin për të ndaluar “imigrimin e paligjshëm” dhe mbështetjen e kufizimeve shtetërore për abortin. Ai gjithashtu ka ngritur pyetje në lidhje me vlefshmërinë e votimit të vitit 2020, pasi Trump vazhdon të pretendojë në mënyrë të rreme se zgjedhjet janë vjedhur.

Oz është një mbështetës i vendosur i Izraelit, duke e quajtur vendin një “aleat të dashur” dhe duke u zotuar të jetë partneri i tij në Senat. Latefa tha se qëndrimi i Oz për konfliktin izraelito-palestinez është “i papajtueshëm me vlerat myslimane” kundër shtypjes.

Megjithatë, aktivistët konservatorë kanë theksuar natyrën historike të kandidaturës së Oz pasi Partia Republikane emëroi një numër rekord kandidatësh të ndryshëm këtë vit – dhe disa votues thonë se kandidatura e Oz është një moment inovator për amerikanët myslimanë.

Mehmet Birtek, një 44-vjeçar, banor në Alburtis pranë Allentown, tha se është i emocionuar kur sheh dikë me të njëjtin emër si ai në fletëvotim. “Është ndjenjë e mirë. është e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur”, tha ai për Al Jazeera.

Birtek është një ish-demokrat, por tha se ai ndërroi parti sepse zyrtarët e Partisë Demokratike avancuan gjithnjë e më shumë politika social liberale, veçanërisht në shkollat publike.

Republikanët janë tërhequr kundër diskutimeve rreth seksualitetit dhe identitetit gjinor në shkolla, duke gjetur aleatë në disa komunitete myslimane që priren të jenë më konservatorë për çështjet sociale.

Birtek tha se shpreson që Oz mund të hapë rrugën që më shumë myslimanë t’i bashkohen Partisë Republikane. “Ai do të bëjë një ndryshim të madh për komunitetin mysliman, besoj, në Partinë Republikane – dhe ky është fillimi”. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati: Arigona Bytyçi 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button