SHBA – Koalicioni i shteteve ngre padi për të ndaluar tarifat e reja të Trumpit
UASHINGTON, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Një koalicion prej 25 shtetesh amerikane, të udhëhequra kryesisht nga demokratët, ngriti një padi kundër administratës së presidentit Donald Trump, duke kërkuar që gjykata të bllokojë tarifat e reja doganore të vendosura ndaj 60 partnerëve tregtarë.
Padia u depozitua në Gjykatën Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare.
Në fund të korrikut, administrata Trump vendosi tarifa prej 10% dhe 12,5% mbi importet nga këta partnerë tregtarë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, masat synojnë vendet që nuk kanë ndaluar ose nuk zbatojnë në mënyrë efektive ndalimin e importeve të mallrave të prodhuara me punë të detyruar, duke u mbështetur në Seksionin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974.
Shtetet paditëse argumentojnë se presidenti nuk ka autoritet ligjor për të vendosur tarifa kaq të gjera dhe kërkojnë që gjykata t’i shpallë ato të paligjshme, t’i pezullojë dhe të urdhërojë kthimin e tarifave që tashmë janë paguar nga importuesit.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, deklaroi se administrata po përpiqet të vendosë përsëri tarifa që më parë janë kundërshtuar nga gjykatat.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, iu bashkua padisë.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield, paralajmëroi se tarifat do të rrisin çmimet e produkteve të përditshme, si veshjet dhe pajisjet elektronike, duke rënduar familjet dhe bizneset e vogla.
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar 2025, Trump ka përdorur disa baza ligjore për të vendosur tarifa pa miratimin e Kongresit. Më herët gjatë vitit 2026, Gjykata e Larte rrëzoi tarifat e mëparshme të bazuara në ligjet për kompetencat emergjente presidenciale.
Administrata tani po mbështetet te Seksioni 301, një dispozitë që tradicionalisht përdoret për t’iu kundërvënë praktikave të padrejta tregtare.
Paditësit argumentojnë se edhe kjo bazë ligjore po përdoret në mënyrë të papërshtatshme për të vendosur tarifa të përgjithshme.
Çështja pritet të jetë një tjetër betejë e rëndësishme ligjore mbi kufijtë e autoritetit presidencial në politikën tregtare.
Nëse gjykata pranon kërkesën e shteteve paditëse, tarifat mund të pezullohen ose të anulohen, duke pasur ndikim të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare dhe në ekonominë amerikane./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.