SHBA shpall “fitore historike” pas armëpushimit me Iranin, Hegseth: Mundësi për paqe reale
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe kreu i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine dhanë sot një përditësim mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, në daljen e tyre të parë publike që nga shpallja e armëpushimit dyjavor të kushtëzuar mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, sipas BBC.
Gjatë deklaratës, Hegseth e cilësoi operacionin ushtarak amerikan, të quajtur “Operation Epic Fury”, si “historik dhe dërrmues”, duke pretenduar se forcat amerikane kanë “shkatërruar” kapacitetet ushtarake të Iranit.
Ai shtoi se Teherani “kërkoi vetë armëpushimin” për shkak të presionit të madh ushtarak.
Sekretari i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu rolin e presidentit Donald Trump, duke deklaruar se ai “bëri histori” dhe se kishte fuqinë për të goditur rëndë ekonominë iraniane, por “zgjodhi mëshirën”.
Hegseth e përshkroi situatën si një “fitore ushtarake me “F” të madhe”, duke pretenduar se ushtria iraniane është bërë “e paaftë për luftë” për vite me radhë.
Sipas tij, SHBA-ja ka arritur objektivat kryesore, përfshirë shkatërrimin e forcave detare dhe ajrore të Iranit, duke theksuar se “qielli i tyre është nën kontrollin e SHBA-së”.
Ai paralajmëroi se, në rast refuzimi të marrëveshjes nga ana e Iranit, objektiva të radhës do të kishin qenë infrastruktura të rëndësishme si centralet, urat dhe sektori energjetik, që do të kërkonin dekada për t’u rimëkëmbur.
Duke iu referuar armëpushimit, Hegseth tha se ai përfaqëson një mundësi për “paqe reale dhe një marrëveshje të qëndrueshme”, ndërsa nënvizoi se SHBA-ja do të mbetej e gatshme për të ndërhyrë nëse Irani nuk respektonte kushtet.
Në deklaratë u përmend edhe mbështetja për Izraelin, i cili u cilësua si një “aleat i guximshëm dhe i aftë”, ndërsa u bë thirrje që edhe aleatë të tjerë të SHBA-së të ndjekin këtë shembull.
Dalja e zyrtarëve amerikanë vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pasi armëpushimi u shpall nga presidenti Trump vetëm pak orë para përfundimit të afatit të vendosur ndaj Iranit, duke hapur rrugën për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor dhe sigurinë rajonale. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.