Politika

SHBA-Shqipëri: Partneritet strategjik, janë përcaktuar piketat për 10-vjeçarin e ardhshëm

bMinistrja e Mbrotjet znj.Mimi Kodheli në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për menaxhimin e refugjatëve sirianë që mund të zgjedhin vendin tonë si trajektore për të shkuar drejt Europës. Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli ishte më 22 shkurt 2016, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend në një seancë dëgjimore lidhur me çështjet e takimit ministrave të Mbrojtjes së NATO-s dhe vendimin për marrjen e masave ndaj refugjatëve në Mesdheun Lindor nga Gjermania, Greqia dhe Turqia. Temë e seancës dëgjimore ku ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo e drejtori i Planifikimit Strategjik të Mbrojtjes z, Igli Hasanaj, ishin edhe vizita e sekretarit amerikan të Shtetit z. John Kerry, mesazhet e dhëna lidhur me çështjet e sigurisë ku Shqipëria është e angazhuar, si dhe situata e sigurisë në rajon dhe projeksioni i Shqipërisë përballë rreziqeve që vijnë nga jugu dhe lindja.

Duke diskutuar mbi takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ministrja Kodheli foli për vendimet më të rëndësishme të mara në këtë takim. “Vendimi kryesor i marrë gjatë Ministerialit ishte zhvendosja e Grupit të Gatshëm Detar 2 të NATO në Detin Egje, ku do të ndihmojë Greqinë, Turqinë dhe Bashkimin Evropian me trafikun e mijëra refugjatëve që vijnë nga lindja e Aleancës. Në ministerial u ra dakord gjithashtu me rritjen e prezencës dhe gatishmërisë së forcave të Aleancës, shtimin e policimit ajror në Turqi, shtimin e pranisë detare në Detin e Zi dhe atë Mesdhe si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Turqisë”,- tha znj. Kodheli, e cila nuk la pa përmendur kontributin e vendit tonë në Aleancë. “Shqipëria po merr pjesë në Task-Forcën e Bashkuar të Gatishmërisë Shumë të Lartë me një kompani këmbësorie çdo vit. Ky kontribut, vlerësohet nga NATO si mjaft i rëndësishëm duke pasur parasysh madhësinë e Forcave tona të Armatosura, por dhe krahasuar me vende të rajonit. Ne gjithashtu kemi marrë vendim për të shtuar kontributin edhe me një togë tjetër këmbësorie në Afganistan, kësaj radhe me aleatët italianë, duke vazhduar angazhimin e nisur që në vitin 2002.”- tha ajo.

Vizitën në Tiranë të sekretarit amerikan të Shtetit z.John Kerry, ministrja Kodheli e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. “SHBA dhe Shqipëria kanë nënshkruar një dokument të partneritetit strategjik. Ky dokument, ka përcaktuar më së miri piketat për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në 10 – vjeçarin e ardhshëm.

Shqipëria ka qenë vendi i parë që iu përgjigj thirrjes së SHBA-ve për ndihmë ushtarake ndaj peshmergave kurdë, në luftë kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik. Katër donacionet e bëra nga Forcat e Armatosura me armatim lindor, kanë bërë të mundur kthimin e fatit të betejës së Mosulit në gusht-shtatorin e 2014.”- deklaroi ministrja Kodheli, e cila shtoi edhe reformën në drejtësi si një nder temat e diskutuara me sekretarin Kerry.

Deputetët e komisionit të Sigurisë kërkuan informacion nga ministrja Kodheli lidhur me refugjatët dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në rast se fluksi i tyre kalon nga vendi ynë. Ministrja Kodheli bëri me dije anëtarët e këtij komisioni se qeveria ka marrë masat e para. “Grupi i punës i përbërë nga ministritë e linjës nën drejtimin e zëvendëskryeministrit ka bërë një inventarizim të mundësive tona nëse fluksi i refugjatëve kalon nga Shqipëria, që në të gjitha rastet”- vijoi Kodheli- “do të shërbejë vetëm si vend tranzit.” Ministrja bëri me dije se ka komunikuar lidhur me këtë temë me komisionerin e BE-së për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, z.Dimitris Avramopoulos, si dhe me homologët e saj italian, malazezë, maqedonas, kroat etj. Kryetari i komisionit, z.Spartak Braho, vlerësoi pozitivisht përgjigjen e Ministres Kodheli për të informuar dhe raportuar në komision e sigurisë, si një proces i domosdoshëm. “Në emër të Komisionit të Sigurisë ne do të jemi palë e punës, reformës të të gjitha institucioneve që mbulon ky komision”, – tha Braho.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button