Shefi i EULEX-it: Shoqëria kosovare është e infiltruar nga krimi i organizuar
Gazeta zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’ shkruan mbi dështimin e Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë. Gjashtë vjet pas stacionimit në Kosovë rezultatet e Misionit të BE-së janë modeste.
Përkundër shpenzimeve të mëdha dhe personelit të shumtë nuk vërehet përmirësimi i dukshëm i shtetit të së drejtës, shkruan gazeta e njohur zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’ (NZZ) në një tekst të gjatë.
Diplomati italian Gabriele Meucci, i cili që nga tetori drejton Misionin e BE-së, ankohet se EULEX-i në Kosovë ‘nuk ka miq’. Ai thekson se kundër EULEX-it po zhvillohet një luftë shtrigash dhe supozon se ka shumë njerëz që janë të interesuar që akuzat për korrupsion brenda EULEX-it të skandalizohen sa më shumë. ‘Kjo shoqëri është e infiltruar nga krimi i organizuar’, thotë ai.
NZZ përkujton se zyrtarë të EULEX-it kishin ngjallur shpresa jorealiste kur kishin premtuar arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, transmeton ‘Zëri’.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i deklaroi NZZ se prokurorët e EULEX-it, të cilët janë përgjegjës për rastet e rënda, nuk janë më të mirë se prokurorët vendorë. Ata ngurrojnë të fillojnë procedura penale kundër politikanëve të nivelit të lartë. Kështu çështjet juridike menjëherë shndërrohen në problem politik. Me sa duket, mendon Ahmeti, Misioni nuk ndërmerr asgjë që do të rrezikonte stabilitetin politik të Kosovës. Kësisoj turma udhëheqëse e vendit faktikisht është e paprekshme.
Duke iu referuar juristit të madh gjerman Carl Schmitt gazeta zvicerane i quan Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn ‘padronë të gjendjes së jashtëzakonshme’ dhe rrjedhimisht sovran.
Shefi i EULEX-it Gabriele Meucci përpiqet t’i numërojë disa nga sukseset e vartësve të tij. Gjatë gjashtë viteve të fundit janë shpallur 550 dënime, në çdo tri ditë nga një vendim gjykate. Po ashtu, sipas tij, nuk është e vërtetë se nuk janë prekur ‘peshqit e mëdhenj’.
Janë akuzuar ish-ministri i transportit Fatmir Limaj, Sami Lushtaku, mik i afërt partiak i Thaçit, dhe Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit. Proceset kundër tyre po vazhdojnë. Por, sipas NZZ, e pamohueshme është se gjatë gjashtë viteve të punës së EULEX-it nuk është arritur të shporret sundimi i një shtrese të hollë, e cila qëndron në pushtet përmes pasurimit dhe korrupsionit, patronazhit dhe frikësimit.
Aty këtu ka shenja të shpresës, gazetarë të guximshëm, prefektë të zellshëm, por jo më shumë. ‘Misioni e ka huq rastin të lidhë një aleancë afatgjatë me forcat vendore, të cilat kanë vullnet për ndryshim dhe shtet të së drejtës. Në vend të kësaj EULEX-i ka lidhur pakt joformal me pushtetarët për stabilitet. Për këtë arsye EULEX-i nuk ka miq’, shkruan ‘Neue Zürcher Zeitung’.
Në lidhje me akuzat për korrupsion të ngritura nga prokurorja Maria Bamieh gazeta zvicerane, duke iu referuar burimeve të saj, njofton se hetimi i brendshëm me gjasë do të arrijë në përfundim se akuzat e Bamieh janë të pasakta.
“Në Prishtinë shumica e bashkëbiseduesve besojnë se në këtë histori (në lidhje me korrupsionin) ka diçka. Për disa kjo është një dëshmi mbi fuqinë e mafies kosovare, e cila korrupton çdokënd. Për të tjerët një shenjë se kemi të bëjmë me një komplot mes të pushtetshmëve në vend dhe jashtë vendit. Duket se për shefin e Misionit Gabriele Meucci është e qartë se betejën propagandistike rreth EULEX-it do ta humb. ‘Nëse nuk zbulohet asgjë, do të thuhet se ne e kemi manipuluar me sukses hetimin. Nëse gjendet diçka, atëherë paragjykimi se ne jemi të korruptuar do të konfirmohet’”, thotë Meucci për NZZ.