Shënohet 100 vjetori i shkollës së parë shqipe në Gjakovë
Në Cërmjan të Gjakovës sot do të festohet 100 vjetori i shkollës së parë shqipe në këtë regjion.
Në njoftimin e komunës së Gjakovës thuhet se pritet të marrin pjesë personalitete të shquara të jetës arsimore, shkencore, të kulturës e të politikës.
Shkolla e Cërmjanit konsiderohet ndër shtatë shkollat e para shqipe në Kosovë, që u hapën në vitet 1915-1916, me angazhimin e atdhetarëve të mëdhenj të kohës dhe me mbështetjen e Qeverisë Habsburge të Austro-Hungarisë.
Shkolla shqipe në Cërmjan të Gjakovës, që nisi punën saktësisht, më 16 tetor të vitit 1915, kishte për mësues të parë pishtarin e arsimit dhe patriotin e shquar gjakovar të kohës, Muharrem Domin, kurse ajo ishte hapur me iniciativën e patriotit Bajram Curri dhe mbështetjen e Qeverisë Austro-Hungareze.