Shënohet 36-vjetori i Kuvendit historik të Verrave të Llukës, nderohen dëshmorët dhe sakrifica
Fshati Llukë e Epërme, jo larg qendrës së Deçanit është përplot me histori që lidhet me dashurinë për atdheun, me luftën dhe me sakrificën ndër breza.
Fshati Llukë e Epërme, jo larg qendrës së Deçanit është përplot me histori që lidhet me dashurinë për atdheun, me luftën dhe me sakrificën ndër breza.
Këtë të premte u shënua 36-vjetori i Kuvendit Historik të Verrave të Llukës.
Më 1 maj 1990, është mbajtur Kuvendi i Verrave të Llukës, i vlerësuar si një nga kuvendet më të mëdha në historinë e kombi tonë. I pati zhvilluar punimet në kushte të jashtëzakonshme nën rrethim të plotë të forcave speciale policore serbe të motorizuara dhe të blinduara. Patën marrë pjesë mbi 500 mijë veta, burra, gra, të rinj e të reja, pjesëtarë të këshillave të pajtimit nga të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Kuvendi i Verrave të Llukës i 1 majit 1990 shënoi përmasat e një kuvendi historik gjithëpopullor të pajtimit dhe bashkimit ndërshqiptar: gjithsej 106 pajtime të arritura, 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Sot, 36 vjet pas, në Llukë të Epërme u zhvilluan një varg aktivitetesh që u realizuan nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me Këshillin e fshatit.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, dha për KosovaPress hollësi për këto aktivitete.
“Me rastin e 36-vjetorit të Kuvendit historik më të madh të shqiptarëve, Komuna e Deçanit bashkë me Këshillin e fshatit, në bashkëpunim me Këshillin e fshatit Llukë e Epërme, kanë organizuar disa aktivitete, të cilat kanë filluar me homazhe dhe nderime për dëshmorët dhe martirët e fshatit për të vazhduar pastaj te zbulimi i pllakës përkujtimore, ku ka qenë i vendosur Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës çlirimtare, pikërisht në fshatin Llukë e Epërme, te vendi i quajtur Mitepi i Tahir Efendi Llukës, i cili tash shërben si xhami e fshatit”, tha Sutaj.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunal të Deçanit Sutaj tha këtë vit risi në këto aktivitete ishte gurthemeli e një ode të fshatit.
“Në shenjë simbolike, në fshat u vendos të ndërtohet një odë, një odë tipike shqiptare, e cila do të jetë më shumë sesa nji monument për rutinën e zakonshme të aktiviteteve, por do të jetë edhe për aktivitete të tjera, të cilat kanë të bëjnë edhe në aspektin kombëtar, edhe në aspektin historik, edhe të tjera”, tha ai.
Kryetari i fshatit, Xhavit Mulaj, njoftoi se oda ishte një investim i përbashkët i bashkëfshatarëve dhe bashkëpunëtorëve. Ai shtoi se ky projekt kushton rreth 150 mijë euro.
“Besojmë që më së largu diku nga shtatori pritet që të përfundojnë punimet këtu, në qoftë se vazhdojnë me dinamikën që e kemi paraparë të që të kryhen”, tha Mulaj.
Afër gurthemelit, u vendosën lule edhe pranë rapsodëve Dervish Shaqa dhe Demush Neziri. Me këtë rast u përurua edhe një lapidar kushtuar atyre.
Njëherësh, u zbulua pllaka përkujtimore, ku ishte i vendosur Shtabi i UÇK-së në Llukë të Epërme në objektin e mejtepit të Tahir Efendi Llukës, që tash shërben si xhami e fshatit.
Kryetari i fshatit Mulaj thotë se ky mejtep është ndër mësonjtoret e para të gjuhës shqipe në Kosovë.
“Këtë e ka ndërtuar një dijetar, shkencëtar i njohur, Tahir Efendi Lluka dhe si objekt iu ka bërë ballë të gjitha fortunave dhe e kemi mirëmbajtur. Kohët e fundit e kemi bërë restaurimin. Kjo ka shërbyer për çfarëdo që ka pasur nevojë fshati”, u shpreh ai.
Nuk u la pas as objekti që dikur shërbënte si kuzhinë për ushtarët e UÇK-së, ku u zbulua një pllakë në nderim të asaj periudhe historike.
Kuvendi i Verrave të Llukës u organizua nga nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, ish-të burgosurit politik Adem Grabovci, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Ibrahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, në bashkëpunim me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve të Deçanit.
Punimet e kuvendit i drejtuan Jashar Salihu dhe Have Shala.
Ky kuvend u mbajt në shënim të përvjetorit të 80-të të Kuvendit historik të mbajtur po në këtë vend në vitin 1910.
Në mbështetje të tyre në binë ishin të pranishëm edhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, veprimtarë të pajtimit të gjaqeve, Anton Çetta, Zekeria Cana, Mujë Rugova, Ramiz Kelmendi e Azem Shkreli, si dhe klerikët Dom Lush Gjergji e Mulla Idriz Kakrruki.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.