Ekonomia

Shitja e Bankers, MEI: Procesi ligjor, marrëveshja me shtetin nuk cënohet

Një ditë pasi “Bankers Petroleum” njoftoi se po shkon drejt shitjes së të gjitha aseteve që zotëron, me vlerë totale prej 392 mln eurosh, Ministria e Energjisë sqaron se transferimi i aksioneve tek një kompani kineze nuk cënon asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar.

“Nuk ndryshon raporti i shtetit shqiptar me kompaninë që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës dhe detyrimet që kjo kompani ka ndaj shtetit shqiptar në respektim të marrëveshjes hidrokarbure, për pagesat kryesore, ku më e rëndësishmja është renta, si dhe marrëveshjen e Bankers me Tatimet për shlyerjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga vlerësimi tatimor”, deklaroi Koli Bele, sekretar i përgjithshëm i MEI.

Ministria e Energjisë thotë se kjo është një praktikë më se normale, sidomos në kushtet kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie. Nga kjo situatë përfitojnë kompanitë e mëdha, për të rritur portofolin e investimeve.

“Është një aktivitet që zhvillohet lirshëm mes palëve, në përputhje me legjislacionin e vendit, që në këtë rast është kompania në Kanada, por edhe me praktikat ndërkombëtare në fushën e hidrokarbureve. Pra, kemi të bëjmë me një shitje tek një kompani që në pamje të parë është me një vlerë më të madhe”, sqaroi Bele.

Bankers operon prej 12 vitesh në Shqipëri. Blerësit e aseteve të saj janë shoqëritë “Alberta Ltd” dhe “Charter Poëer Investment Ltd”, të cilat janë degë të kompanisë “Geo-jade Petroleum”, një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës e gazit në Kinë.

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse marrëveshja për shitjen e aksioneve finalizohet, sa do të investojë kjo kompani, në kushtet kur rënia e çmimeve të naftës ka zhytur sektorin në vështirësi të mëdha financiare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button