Bota

Shkarkimi i Trump? Një opsion nëse akuzohet për pengim të drejtësisë

Furtuna që shkaktuan raportet se Donald Trump i ka kërkuar ish-shefit të FBI-së, James Comey të heqë dorë nga hetimi i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i përshkallëzoi zërat kritikë ndaj Presidentit deri në pikën që veprimet e tij të konsideroheshin si pengim i drejtësisë.Në fund, u fol edhe për shkarkim dhe gjykim të sjelljes së kreut të shtetit. Ekspertët ligjorë tregohen të kujdesshëm sepse faktet ende nuk janë zbardhur plotësisht. Shtëpia e Bardhë e mohon që Trump të ketë ushtruar presion mbi Comey për të hequr dorë nga hetimi.

Por, si funksionon procesi i njohur si “impeachment”. Kushtetuta amerikane i lejon Kongresit shkarkimin e presidentëve para përfundimit të mandatit nëse mjaftueshëm ligjvënës votojnë për të thënë se liderët e tyre kanë kryer “tradhëti, kanë pranuar rryshfet, apo kanë kryer shkelje të tjera të rënda”. Subjekt i këtij procesi kanë qenë vetëm 3 presidentë të Shteteve të Bashkuara. Dy prej tyre ishin në prag rrëzimi, por më pas u shfajësuan dhe vazhduan të qëndrojnë në krye të Shtëpisë së Bardhë: Andrew Johnson në vitin 1868 dhe Bill Clinton në 1998. I treti, Richard Nixon u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 1974, për të shmangur shkarkimin.

Si funksionon ky proces? Në fillim, Dhoma e Përfaqësuesve voton mbi një apo më shumë pika të gjykimit. Nëse të paktën njëra prej tyre merr shumicë votash, Presidenti bie, që do të thotë se praktikisht ai do të përballet me padi. Hapi tjetër parashikon dërgimin e çështjes në Senat, ku zhvillohet një lloj procesi gjyqësor i mbikqyrur nga kreu i Gjykatës Supreme. Një ekip ligjvënësish të vetë Dhomës, të njohur si menaxherë, luajnë rolin e prokurorëve. Presidenti ka avokatët e tij mbrojtës dhe Senati shërben si juri. Nëse dy të tretat e senatorëve e shpallin fajtor, kreu i shtetit lë postin dhe frerët e vendit i merr zëvendëspresidenti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button