Shpenzimet e personelit të sektorit bankar u rritën sërish në 2022, bankat nën presion nga emigracioni i personelit
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin u zgjeruan me 6.3% krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve të sektorit, rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i punësimit, por edhe nga pagat.
Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare Shqiptare të Bankave, vitin e kaluar sektori bankar kishte 6737 punonjës, në rritje me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Pas vitit 2020, punësimi në sektorin bankar i është kthyer sërish rritjes, duke rikuperuar gradualisht rënien që ndodhi në periudhën 2018-2019, kryesisht për shkak të procesit të konsolidimit të sektorit dhe uljes së numrit të bankave tregtare.
Ky proces solli përkohësisht edhe një rënie të shpenzimeve të personelit për periudhën e mësipërme. Por, në dy vitet e fundit, ky zë i shpenzimeve i është kthyer rritjes me ritme të përshpejtuara dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.
Megjithë, ekspertët besojnë se efekt më të lartë në rritjen e shpenzimeve për personelin e ka dhënë rritja e pagave. Vitin e kaluar edhe sektori bankar nisi të përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm.
Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat. Kjo trysni u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, që vitin e kaluar preku nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit.
Ndërkohë, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2022 paga mesatare në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve regjistroi rritje me 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, presionet për rritjen e pagave po bëhen të dukshme edhe në këtë segment.
Shumë sektorë ekonomikë në vitet e fundit po përballen me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës.
Kjo tendencë mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë, emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar, por edhe me zgjerimin e disa aktiviteteve ekonomike të outsourcing të shërbimeve nga kompanitë e huaja në Shqipëri.
Rritja e kostos së punës vlerësohet se po bëhet një element me ndikim gjithnjë e më të lartë në rritjen e çmimeve në disa sektorë të ekonomisë. Por, rritja e çmimeve po sjell rënie të konsumit, ndaj ekspertët mendojnë se biznesi nuk do të jetë në gjendje të përcjellë edhe për një kohë të gjatë rritjen e kostove te konsumatorët.
Në këto kushte, vështirësia për të gjetur punonjës dhe trysnia për të rritur pagat e vendos sektorin privat përballë domosodshmërisë për të rritur produktivitetin e punës ose në të kundërt do të përballet me rreziqe të shtuara për të humbur konkurrueshmërinë.