Shpërndarja e mandateve të deputetëve sipas herësit/ Gjykata Kushtetuese publikon vendimin e arsyetuar
Gjykata Kushtetuese publikoi sot vendimin e plotë të datës 30 qershor, ku pranoi pjesërisht kërkesën e Bindjes Demokratike dhe të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim për të shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit.
Gjykata vëren se bazuar në pikën 3 të nenit 163 në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi.
“Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10, 000 vota. Bazuar në vendimet paraprake të KQZ-së për shpërndarjen e mandateve, konstatohet se veçanërisht në qarqet me numër të vogël mandatesh, kandidatët e subjekteve zgjedhore kanë marrë deri në 3 herë vota më pak se vlera e përcaktuar e herësit, për atë zonë zgjedhore dhe atë subjekt zgjedhor, pra është një vlerë dukshëm më e ulët se vlera e herësit”, thuhet në këtë vendim.
Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cënon thelbin e së drejtës për të zgjedhur.
Gjykata çmon që pavarësisht se në çështjet e sistemit zgjedhor ligjvënësi, si rregull, është i lirë të veprojë brenda hapësirës së tij normuese, duke përcaktuar qartë dhe rast pas rasti qëllimet që kërkon të arrijë, në rastin konkret zbatimi i herësit në praktikë, në masën e përcaktuar nga pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, tregoi se ishte një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij.
Ndaj, në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës.
Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.
Në përfundim, Gjykata vlerëson se kërkesa për shfuqizimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën, është pjesërisht e bazuar sipas arsyetimit të këtij vendimi.
Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, si dhe shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën.