Shpërthimi i kontrolluar i “bombave”
Nga Fadil Lepaja
A ju kujtohet ajo barsoleta, në të cilën njërit po i vrisnin një mizë që i ishte ndalur në ballin e tij, dhe këtë po e bënin me një shkop bejsbolli? Natyrisht, jo vetëm në këtë barsoletë, por edhe në të gjitha rrethanat reale, një mizë do të ikte dhe shkopi i rëndë do të përfundonte në ballin e fatkeqit, të cilin po e “ndihmonin” në mënyrë joadekuate. Fatkeqi, nëse shpëton, do të përfundonte në spital me shumë të qepura…
Kjo barsoletë tregohet për të përshkruar një të çmendur, i cili përdor mjete joadekuate, pa pikë vetëdije për dëmin që mund të shkaktojë. Ka edhe një metaforë për një elefant, në shitoren e qelqurinave, ku duket të jetë futur krejt rastësisht, sikurse ish-ministrja Jankullovska në politikë.
Po flasim për një ambient delikat dhe një… Jankullovska arrogante, e të frustruar, e cila e veshur me pushtet bombardon qytetarët e saj për të kapur “terroristët”. Natyrisht gjithkush do të besonte se motivi i saj ishte të mbronte qytetarët, nga “terroristët”, sikur të mos dëgjonte “bombën” e radhës ku ajo thoshte qartë, shkurt dhe… maqedonisht, se me shqiptarët nuk ka bashkëjetesë dhe se ata, ajo, do t’i shkatërrojë për një orë. Tmerri i këtyre ditëve në Maqedoni e ka fytyrën e ish-ministres Jankullovska!
Kështu, paramendojeni në lagjen tuaj të futet një grup “terrorist” dhe që shteti pa asnjë konsideratë për ju të fillojë të gjuajë lagjen tuaj me artileri të rëndë! Me shkop bejsbolli të ndjekë mizat mbi ballin tuaj! Dhe ju gjendeni në një gjendje absurdi. Më në rrezik jeni nga shteti, sesa nga “terroristët”.
Një situatë të tillë, s’ka nevojë të paramendohet. Mjafton që të dëgjoni një qytetar të “kodrës së Trimave” në Kumanovë, duke rrëfyer luftën të cilën në lagjen e tyre të vogël e zhvilloi një shtet i brishtë, një shtet të cilit i kanë dhënë në dorë lodra të rrezikshme.
Pra, imagjinojeni se ju jeni në kuzhinë duke drekuar, ose në sallon duke parë në televizor ndonjë program humori ku qeveria flet për paqe dhe bashkëjetesë, apo duke ngrënë diçka të lehtë në kuzhinë, apo edhe duke bërë një dush pas një seksi të shpejtë, ashtu vjedhurazi nga fëmijët dhe krejt kjo situatë… ju zë me rroba nëpër këmbë! Kini mirëkuptim, sepse shteti po ndjek “terroristët” do të klithë Jankullovska! Pastaj, jeni shtuar tepër ju shqiptarët e nuk keni turp të bëni seks edhe në pikë të ditës, do të thonë. E kuptoni se epshi juaj e rrezikon shtetin e Maqedonisë?
Lëre, kjo më nuk është as satirë… kaq keq i ka deformuar marrëdhëniet në komunitet kjo qeverisje e çmendur nga antika. Vetë përmendoret gjigante me shpata drejtuar nga lagjet shqiptare në Shkup tregojnë veçse frikën dhe mendjen e vogël të ideologëve të tyre nga… “Enciklopedia”! Nuk nxorën mësim nga “Memorandumi” serb!
Pak a shumë të gjithë e kishin të qartë se qeveria po përgatit një incident ndërnacional për të ikur nga ballafaqimi me pasqyrën të cilën opozita në formë “bombash”, përkatësisht përgjimesh, i kishte vënë përballë. E Jankullovska po krihej para pasqyrës dhe po e pyeste: “Pasqyrë moj pasqyrë…” Pasqyra u thye dhe idili i ish-ministres u prish! Dikush i kishte përgjuar në çaste shumë intime kur ata po flisnin si të shkatërronin një popull… për një orë!
Deri në momentin kur po e mbyllim këtë shkrim, numri i “shpërthimeve” të kontrolluara të opozitës, është mbi tridhjetë. Kur krahason bisedat nga përgjimet dhe sheh në televizor ngjarjet nuk ke si të mos e kapësh kuptimin.
“Bombat” po shpërthejnë njëra pas tjetrës, duke u bërë një fenomen i “rrezikshëm për qeveritarët ballkanas, duke u dhënë të kuptojnë se veprimet mesjetare duken frymëzuese vetëm sepse asokohe nuk kishte media që i kemi sot. Për ndonjë arsye efekti, përgjimet, të cilat nga dikush ranë në dorë të opozitës maqedonase, po i quajnë në mënyrë metaforike, “bomba”. Njëra pas tjetrës, ato po “shpërthejnë” para publikut dhe po e shpalosin fytyrën e egër, paragjykuese, korruptive të një regjimi nacionalist dhe projektin e tyre mesjetar të një Maqedonie ku shqiptarët do të jenë vazhdimisht qytetarë të dorës së dytë, të shtypur dhe vazhdimisht fajtorë për diçka.
Kjo “diçka” mjafton t’u vishet në media dhe pastaj shqiptarët, cilëtdo qofshin ata, të shpallen të fajshëm prej mediave dhe zyrtarëve të frustruar dhe arrogantë të llojit Jankullovska. Pastaj, a nuk bëjnë gjithçka këta shqiptarët? Vetëm kujtojini “krimet” e shqiptarëve të paraluftës, në Kosovë dhe do të kuptoni përse Serbia deshi t’i shfaroste. Pa pikë turpi, hynte lopa shqiptare në misrin e një serbi! Pastaj ajo shishja e famshme e z. Martinoviç!
A nuk ju duket sikur ajo fabula e moçme, për bretkosën e cila e kishte parë një kalë tek “mbathej’ dhe kishte ngritur këmbën e sajë të brishtë duke klithur: “Më vini edhe mua një patkua”?
Regjimi Gruevski, i llastuari i ri i Ballkanit, ku mbi shpatullat e tij të brishta synohej të ngrihej një baraspeshë e re Ballkanike, krijoi një qeveri me “monstra” të tipit Jankullovska, e cila pa përpjekjen më të vogël për të qetësuar situatën, bombardoi një lagje të tërë me civilë, për të arrestuar një grup klandestin, për të cilin veç një Zot e di se si u formësua dhe shkoi atje. Jankullovska dhe të tjerët, mbase në fund të këtij procesi, do të japë përgjegjësi para gjykatës për terrorin shtetëror dhe do të shpjegojë se si u kurdis “bomba” me sahat, e quajtur Kumanovë. Ndoshta do të zbulojë edhe se si u kurdis “Monstra” e shumë raste të tjera policore që diktuan politikën maqedonase dhe marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend!
Kështu plasi edhe “bomba” e 32–të e mediave e kryeopozitarit Zaev! Aty ministrja e Brendshme, bëri një striptizë politike, u zhvesh duke mbetur para qytetarëve të vendit të saj krejt lakuriq, madje as pa të brendshmet, të cilat do t’i mbulonin pjesët e turpshme të trurit të saj përplot paragjykime dhe urrejtje.
Përfundimisht, nyja maqedonase është ngatërruar keq. Përpjekja e ish-ministres që ta presë këtë nyje me shpatë rezultoi me sjelljen e Maqedonisë buzë humnerës.
Për fund, nuk mundem të mos përmend parakalimet e opozitës me flamuj të lidhur nyje të nacionaliteteve në Maqedoni. A po këndellet opozita apo vetëm po imiton ish-Lidhjen Komuniste e cila po përpiqej të ndalte shkatërrimin e shtetit me simbolikën e flamujve të lidhur të kombeve dhe kombësive…?!
A po ofron opozita liri dhe barazi europiane për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, apo, është kjo veçse një përpjekje paraprakisht e dështuar për një ringjallje të “vëllazërim-bashkimit” të tipit jugosllav e me të, edhe idesë jugosllave?
Procesi i shpërthimit të kontrolluar të “bombave” po vazhdon…