Shqipëri-Maqedoni, bashkëpunim për promovim të potencialeve të mëdha ekonomike
Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri dhe Kosovë do të organizojë për herë të parë një tryezë ekonomike të nivelit të lartë me përfaqësues të biznesit të Maqedonisë dhe qeverisë shqiptare në datat 14-16 Mars 2016.
Ky aktivitet, i pari i këtij lloji, realizohet falë edhe bashkëpunimit të rëndësishëm që kanë dhënë Dhoma Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unioni i Dhomave Ekonomike të Maqedonisë.
Drejtuesit e dy dhomave, si dhe një përfaqësi e 35 bizneseve më të rëndësishme në Maqedoni parashikohet që ditën e sotme të zhvillojnë takime për të promovuar potencialet e mëdha ekonomike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, Ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, si edhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ai i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si dhe zv/ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Bahri Shaqiri. Pjesë e këtyre takimeve tepër të rëndësishme është edhe ai me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Qëllimi i tyre është ngritja në një nivel më të lartë e bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dy vende fqinje që synojnë të integrohen në një treg të madh dhe tejet konkurrues siç është ai i Bashkimit Europian.
Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri dhe Kosovë, në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, Fatos Mustafa thotë se “Shqipëria dhe Maqedonia nuk duhet të sillen mes tyre si konkurrente sepse nuk janë të tilla. Ato janë plotësuese”. Sipas tij, ky është një element kyç që i shërben ekonomisë së rajonit dhe frymës së bashkëpunimit.
“Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin në shkëmbimet tregtare, në industri, por edhe turizëm e më gjerë. Vetëm kështu mund të kontribuojmë, si dhe të krijojmë mundësi që bizneset e dy vendeve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të bëhen më konkurrente në tregje më të mëdha. Maqedonia mund të shërbejë për Shqipërinë si një model i mirë në lehtësimin e kushteve të të bërit biznes, në funksionimin e Zonave të Lira Ekonomike dhe Industriale e Teknologjike. Ndërsa biznesi nga Maqedonia, përmes Portit të Durrësit mund të bëhet akoma më konkurrues drejt tregjeve rajonale. Nuk është rastësi që Zyra jonë në bashkëpunim me Odën Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionin e Odave Ekonomike të Maqedonisë organizon këtë event unik. Vetë përfaqësimi i lartë i shtetit shqiptar tregon se të dy qeveritë po angazhohen intensivisht në rritjen e marrëdhënieve ekonomike”, shprehet Mustafa.
Në ditën e dytë të këtij eventi (16 Mars) në bashkëpunim edhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë (nën kujdesin e projektit EEN) do të organizohet edicioni i tretë “Forumi i biznesit dhe investimeve Shqipëri-Maqedoni”.
Delegacioni nga Maqedonia përbëhet nga anëtarë të Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionit të Dhomave Ekonomike të Maqedonisë, të cilat përfaqësojnë fushat më me potencial, si tregtia, infrastruktura, bujqësia, energjia, turizmi, manifaktura, agjenci imobiliare, etj.
Në panelin e diskutimeve do të mbajnë fjalën përshëndetëse të radhës, Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Republikën e Shqipërisë , Stojan Karajanov, Ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, Fatos Reka, Kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, nënkryetari i Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë, Sead Koçan dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka.
Më pas, përfaqësuesit e bizneseve të dy vendeve do të zhvillojnë takime B2B me qëllimin krijimin e kontakteve si dhe shkëmbimin e përvojave, që nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. “Misioni Ekonomik” do të vazhdojë në Durrës, ku do të pritet nga kryebashkiaku Vangjush Dako, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Gazmend Shalsi, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Andrea Xhavara si presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi. Qëllimi i këtyre takimeve është shtrirja e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, si dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim konkret mes bizneseve të dy vendeve.