Shqipëri-Maqedoni: deklarojnë Rama dhe Zaev, lëvizje e lirë e mallrave dhe modernizim infrastrukturor
Mbledhja e parë mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë çel një kapitull të ri në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama në sesionin e hapjes së kësaj mbledhjeje të përbashkët
u shpreh se, “jemi këtu për të ngritur marrëdhëniet në një stad të ri cilësor. Kjo kërkon një orientim të përbashkët strategjik. Si dy vende fqinje kemi detyrim të ofrojmë më shumë zhvillim dhe të punojmë për më shumë mirëqënie për qytetarët tanë duke përmirësuar standardet ndërlidhëse me njëri tjetrin”.
Shqipëri – Maqedoni, lëvizje e lirë e mallrave dhe modernizim infrastrukturor
Rama vuri theksin tek bashkëpunimi i mëtejshëm mes dy vendeve, duke deklaruar se do të mundësohet lëvizja e lirë e mallrave.
Rama theksoi se do të reduktohen masat në pikat doganore me Maqedoninë, ndërsa shtoi se një vëmendje të veçantë do të kenë dhe rrugët që lidhin dy vendeve.
Kryeministri foli për angazhimin për modernizimin e infrastrukturës rrugore , hekurudhore dhe energjitike.
Do të kemi projekte madhore me potencial zhvillimor për të dyja vendet. Për korridorin e 8-të është realizuar plotësisht aksi nga Durrësi në kufirin me Maqedoninë ndërsa mbetet aksi Qafë Thanë- Pogradec- Korçë.
Po ashtu shtoi kryeministri, do të ndërtohet hekurudha Elbasan-Pogradec.
Ndër të tjera, kryeministri tha se dy qeveritë do të bashkëpunojnë për ‘Rrugën e Arbrit’, e cila sipas tij, do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve.
“Do ndërmarrim përsipër harmonizimin me Maqedoninë për Rrugën e Arbrit. Segmenti Bulqizë-Bllatë ka përfunduar. Kjo rrugë do sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve. Nuk ka dyshim se vijueshmëria e këtij korridori deri në Shkup do të sjellë shkurtim të distancës dhe do të lehtësojë aksesin e Maqedonisë në portet tona. Jemi besimplotë se kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij aksi është i plotë dhe nga ana juaj dhe në këndvështrimin e mesazhit për forcimin e themeleve të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve është themelor. Por kjo nuk mund të konceptohet pa modernizimin e rrugëve”, tha Rama.
“Do të punojmë që së bashku të mundësojmë lëvizjen e lirë të mallrave, duke krijuar mekanizmat e duhur për reduktimin e masave. Synojmë përkrahje për nxitjen e eksportit”, tha Rama.
Këto masa, shtoi kryeministri, “janë pjesë e qasjes sonë në zhvillimin ekonomik për krijimin e zonës rajonale-ekonomike.
Objekti i kësaj mbledhjeje është forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar. Ne ndajmë pasuri ujore të jashtëzakonshme. Ne kemi privilegjin e madh të gjendemi në brigjet e Prespës e Ohrit ndaj dhe është koha të vlerësojmë qasjen e përbashkët dhe t’i vlerësojmë këto pasuri”, tha Rama.
“Rivlerësimi i kuadrit ligjor është aspekt tjetër. Duhet të nisë një analizë dhe të merren masa për këtë kuadër. Ne nuk lejojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbeten ende të pazbatuara. Është koha t’i riaktivizojmë ato. Komiteti Ekonomik do të mblidhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Rama.
Rama: Zaev ka çelur cikël të ri për Maqedoninë
Rama theksoi se nën drejtimin e kryeministrit Zaev, Maqedonia ka hyrë në një cikël të ri.
“Askund më shumë dhe askush më shumë sesa ne nuk e ka përjetuar me entuziazëm mbylljen e një cikli të trazuar për Maqedoninë dhe hapjen e një cikli të ri. Njëherësh me partnerët e mëdhenj të Shqipërisë dhe Maqedonisë u ndjemë të inkurajuar nga lidershipi i kryeministrit Zaev, pasi jemi dëshmitar që qasje të tilla nxiten nga dëshira për të ndërtuar shoqëri dhe vende tërësisht demokratike, institucione të pavarura dhe qasje demokratike”.
“Bazuar në këtë moment shumë pozitiv kemi rigjallëruar kontaktet dhe marrëdhëniet. Përpos vizitave dhe takimeve të shumta dypalëshe, me kryeministrin Zaev kemi ndarë angazhimin për të kontribuar për një rajon pa barriera në qarkullimin e kapitalit, njerëzve dhe ideve”’, tha Rama.
Kryeministri shprehu besim se, “ky takim duhet konsideruar si moment kyc në marrëdhëniet tona, jo vetëm se është i pari, por sepse sot jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët për ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm afatgjatë dhe për t’i ngritur marrëdhëniet në një stad të qëndrueshëm ,afatgjatë dhe cilësor”.
Kryeministri Rama u shpreh se dy vendet kanë numrin më të madh të marrëveshjeve në rajon, por shumë prej tyre nuk janë shndërruar në vepra konkrete, prandaj ministritë dhe institucionet duhet të nisin një analizë për marrjen e masave për zbatimin e këtij kuadri.
“Nuk mund të lejojmë që për teknikalite, marrëveshje si ajo e arsimit të mbeten pa zbatuar”, tha Rama.
Rama: Rëndësi implementimi i dygjuhësisë
Kryeministri Edi Rama theksoi se mbetet me rëndësi implementimi i dygjuhësisë nga Maqedonia, përmes shtrirjes së gjuhës shqipe në të gjithë vendin.
“Shpresoj që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt. Alfabeti i Manastirit duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike. Simbolika flet shumë për të gjithë sëbashku”.
Kryeministri foli dhe për minoritetin maqedonas në Shqipëri. “Ne kemi punuar dhe do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit maqedonas në Shqipëri.
Rama tha se me miratimin e ligjit të ri, qeveria ka përmbushur një hap madhor në drejtim të respektimit të pakicave në të gjithë territorin. “Ne nesër do të vizitojmë bashkinë e Pustenit, një bashki që në numër të vogël por që për ne ka një kuptim të veçantë si një territor ku duhet të mbizotërojë shembulli i respektit dhe garantimi i barazisë së plotë si qytetarë të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Ndërkohë kreu i qeverisë i premtoi Zaevit mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
“Shqipëria do vijojë të mbështetëse me të gjitha forcat anëtarësimin e Maqedonisë në NATO-s si një investim i fuqishëm për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Një NATO pa Maqedoninë është e cunguar”, tha Rama.
Rama falenderoi Zaev edhe për solidarizimin dhe ndihmën e ofruar pas përmbytjeve të fundit në disa zonave të vendit.
Kryeministri Zaev: Shqipëri-Maqedoni, ura bashkëpunimi për zhvillimin rajonal dhe projektet strategjike
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u shpreh se Maqedonia dhe Shqipëria ndajnë sfida të përbashkëta në aspiratën për hapjen e negociata për anëtarësimin në Bashkim Europian.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Maqedoni që zhvillon punimet sot në Pogradec, Zaev theksoi përkushtimin e qeverisë në avancimin e procesit të reformave që rrisin besimin e qytetarëve dhe të gjithë shoqërisë ndaj institucioneve, me qëllim rritjen e stabilitetit dhe zhvillimin e ekonomisë .
“Ne duhet të japim kontributin në drejtim të zhvillimit rajonal, të projekteve strategjike. Mbi të kaluarën deri tek e tanishmja duke punuar në zgjidhje paqësore dhe jo në shtyrje, ne ndërtojmë të ardhmen për Maqedoninë dhe rajonin. Kjo mbledhje e parë është më tepër se një mesazh për rajonin”-tha ai.
“Viti 2018 le të shënojë fillimin e përbashkët të negociatat për në BE, që do të sjellë shansin për zhvillimin rajonal dhe të projekteve ekonomike, vijoi Zaev.
Kryeministri maqedonas tha se, Shqipëria ashtu siç edhe Maqedonia ndan vizionin për një rajon me prosperitet dhe zhvillim.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen për mbështetja që Shqipëria i ka dhënë aspiratës maqedonase për anëtarësimin në NATO. Maqedonia dhe vendet e rajonit përballen me përpjekjet për forcimin e institucionit gjyqësor, drejtësisë, dhe mundësisë për barazi për të gjithë, tha ai.
“Muaj e ardhshëm me rëndësi për Maqedoninë si për integrimin në BE ashtu edhe për anëtarësimin në NATO. Ndaj ne jemi të përkushtuar për të bërë maksimumin. E rëndësishme është edhe vendosja e Komitetit të Përbashkët për bashkëpunim ekonomik, duhet të vendosen edhe mekanizma për realizimin e marrëveshjeve dypalshe. Ju ftoj që të dyfishojmë përpjekjet që të përshpejtojmë projektet aktuale, me infrastrukturën dhe energjetikën. Dëshiroj t’i përkushtohemi të gjitha mundësive për lehtësinë e qytetarëve në të dyja anët”, u shpreh Zaev.
Zbatimin efikas i marrëveshjeve dypalshe dhe identifikimi i projekteve të përbashkëta do të ndihmojë bashkëveprimin mes dy vendeve tona do të nxisë projektet në sektorin e energjisë, kulturës dhe infrastrukturës.
Si dy vende fqinjë ne kemi mundësi për ndërtimin e projekteve në hekurudhë, energjetike si dhe të shohim projekte që paraqesin lehtësi për zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Ftoj qeverinë e Shqipërisë u shpreh Zaev të mbajmë mbledhjen e përbashkët të radhës mes dy qeverive në Ohër.
Ndërsa theksoi angazhimin për të punuar së bashku në zhvillimin e projekteve zhvillimore për të pasur një progres për të ardhmen e Shqipërisë , Maqedonisë dhe Rajonit.