Rajoni

Shqipëri-Maqedoni e Veriut, gati marrëveshja për Portin e Thatë, në Strugë

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet të mbajnë të hënën në Shkup mbledhje të përbashkët qeveritare.

Mediat e Maqedonisë së veriut e bëjnë të ditur se dy qeveritë do të mblidhen pas pesë viteve nga mbledhja tjetër si një hap i nevojshëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy shteteve fqinje.

Të njëjtat burime që i referohen atyre zyrtare të Shkupit paralajmërojnë nënshkrimin e 18 marrëveshjeve.

Mes tyre bën pjesë marrëveshja për Portin e Thatë në Strugë për të shfrytëzuar Portin e Durrësit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Sipas tyre, edhe ky port është i dizajnuar ngjashëm me Portin e Thatë të Prishtinës. 
Porti i Thatë i Strugës do të shërbejë për tregti rajonale nga ku mallrat do të shkojnë edhe në vendet e Rajonit.

Një tjetër marrëveshje e rëndësishme është ndërtimi i autostradës në Korridorin 8, në të cilin aktualisht po punohet dhe do të punohet në të ardhmen edhe më shumë nga kompania Bektel-Enka, e cila kishte ndërtuar rrugën e kombit në Shqipëri dhe rrugën që lidh Prishtinën me Tiranën.

Në këtë segment rrugor aktualisht autostradë e mirëfilltë është rruga Shkup – Tetovë, ndërsa rruga Tetovë – Gostivar pritet që të zgjerohet. Gjithashtu rruga Kërçovë – Ohër është duke u ndërtuar nga kompania kineze, por që ka vonesa të shumta dhe dështime në disa segmente. Më e rëndësishme dhe më e vështirë është rruga, Gostivar – Kërçovë, e cila duhet të kalojë në pjesën malore të kësaj ane. Dhe në fund duhet urgjentisht të ndërtohet edhe rruga Strugë – Qafë e Thanës, në kufirin me Shqipërinë, e cila është tepër e dëmtuar.

Mediat njoftojnë edhe një Marrëveshje për “one stop shop” në kufi, pra një kontroll të përbashkët të kufirit mes dy vendeve, gjë që është folur vite më parë dhe që sipas tyre Maqedonia e Veriut është duke e aplikuar me Serbinë, ndërsa Shqipëria me Malin e Zi dhe Kosovën.

Në seancën e parë ndërqeveritare të mbajtur në vitin 2017 të dy palët nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi për infrastrukturë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim. Atë kohë, kryeministri Edi Rama kërkoi nga pala e Maqedonisë së Veriut që të analizojë mundësinë e vazhdimit të aksit rrugor Bllatë – Shkup, për të kompletuar edhe matanë kufirit atë që njihet si Rruga e Arbrit. Duke vendosur theksin në vullnetin e Zaevit për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike, kryeministri shqiptar kërkoi miratim të Ligjit të gjuhëve, si përmbyllje të Marrëveshjes së Ohrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button