Politika

“Shqipëria e dyta, me 1198 emigrantë minorenë të pashoqëruar në Itali”

Raporti i qeverisë italiane, Topalli: Lajm tronditës. Ku po shkon ky vend?

Një dramë brenda dramës e kanë përkufizuar autoritetet italiane fenomenin e emigrantëve minorenë të pashoqëruar që mbërrijnë çdo ditë në territorin italian. Fluksi i madh i emigrantëve e problematikat e emigracionit me të cilat po përballet aktualisht Europa, kanë ndikuar në thellimin e këtij fenomeni, ku statistikat e fundit të qeverisë italiane konfirmojnë se Egjipti e Shqipëria renditen në dy vendet e para në klasifikimin e vendit të origjinës me numrin më të madh të emigrantëve minorenë të pashoqëruar të pranishëm në territorin italian. Ministria italiane e Punës dhe e Politikave Sociale ka publikuar së fundmi Raportin Kombëtar mbi minorenët e pashoqëruar, i monitoruar deri më 31 korrik të 2015-s. Sipas tij, në Itali, aktualisht janë të regjistruar 8442 emigrantë minorenë të kombësive të ndryshme, të pashoqëruar nga një i rritur, shifër kjo që tenton të rritet për shkak të fluksit të madh të përditshëm të mbërritjes së emigrantëve. 8014 janë minorenë të seksit mashkull e 428 të seksit femër. Në klasifikimin e ndarjes së emigrantëve minorenë sipas kombësive të tyre, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 1198 minorenë të pashoqëruar me origjinë shqiptare, përgjithësisht 14,2% të numrit të përgjithshëm, pas vendit të parë që zë Egjipti me 1896. Ndër 1198 minorenë me origjinë shqiptare, aktualisht 84 prej tyre rezultojnë të pakontaktueshëm, pasi janë larguar fshehurazi nga strukturat e strehimit apo nga familjet që i mikprisnin. Republika e Kosovës renditet në vendin e 11 me 220 minorenë. Pas publikimit të këtyre të dhënave, e para që ka reaguar ishte deputetja demokrate, Jozefina Topalli, e cila përmes faqes së saj zyrtare në “Facebook” u drejtohet ndjekësve të saj me pyetjen: “Ku po shkojmë?”. “Nuk jemi vetëm të dytët, pas Sirisë, për numrin e azilkërkuesve në Gjermani! Ky është një lajm tjetër tronditës në dramën e madhe të azilkërkuesve shqiptarë! A do rrimë të shikojmë si po zhbëhet ky vend? A do të ulim shpinën e të shohim si zhbëhet familja shqiptare?! A do të ulim qafën e të presim si do rrokulliset ky vend?”, pyet Topalli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button