Kryeartikull

Shqipëria me dy Republika

YLLI POLOVINA

Ylli PolovinaFryn pak. Është ajër i ftohtë, një nga ato erërat që, kur dëshiron të nxjerrë dufin, shndërrohet menjëherë në thëllim. Në mbrëmjen e vonë të 13 nëntorit, Prishtina duket sikur përpiqet të mbështillet me ngrohtësinë e dritave të rrugëve, si edhe të pallateve, veçanërisht të atyre të kohës së ish-Jugosllavisë, ku dendësia e banorëve është e madhe dhe në çdo apartament të gjitha dritat e dhomave janë të hapura. Në disa prej këtyre godinave jetojnë minatorë, një klasë njerëzish që ka bërë histori në Kosovën e dikurshme, të mbajtur arbitrarisht nën kontrollin e shtetit serb.

Një skuadër njerëzish me uniforma policie dhe veshje civile po kryejnë kontrollin e vendparkimeve. “Nuk të falin”, shpjegon një vendas. Pak minuta më pas, tek hyjmë në barin “Simphony”, i cili ndodhet pothuaj në qendër të Prishtinës, ndërsa vjen lajmi i këtij aksioni, nëpër tryeza kalon një si drithërimë. Një pjesë dalin me vrap për të verifikuar mos makinën e kanë parkuar pak centimetra më tej nga vija e lejuar. Pastaj rikthehen të qetë. Nuk kanë bërë asnjë gabim të tillë dhe skuadra e kontrollorëve, kur të vijë aty, nuk ka për t’i ndëshkuar.

Netëve Prishtina është më e ndriçuar se Tirana. Në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, siç këtu na quajnë për ta bërë të dallueshme nga shteti i tyre, Republika e Kosovës, një dorë ka montuar gjithkund shtylla me mbi krye llamba ndriçuese dhe një dorë tjetër, si e ardhur prej një kaosi dhe bote të përtejme, aspak prej një projekti dhe logjike, i ka mbjellë pemët e buzërrugëve fare ngjitur me shtyllat. Kështu llambat janë mbuluar nga gjethet, duke u zbehur e përgjumur, deri në mosdukje. Që të rikthehet ndriçimi normal, tani duhet ose shtyllat të shkulen nga vendi, për t’u zhvendosur pak metra më tej, ose duhen prerë pemët.

Nëse dëshiron të njohësh shqiptarin në formën e vet më “të pastër” dhe të humbasësh çdo shpresë se ai mund të ndërtojë një shtet më të përputhur me nivelet e zhvillimit bashkëkohor, të duhet të zgjedhësh “laboratorin” e Republikës së Shqipërisë. Nëse kërkon të gjesh një provë se gjithsesi shqiptari është një lëndë njerëzore që mund të përpunohet prej qytetërimit perëndimor dhe mund të ngrejë një shtet edhe më të organizuar, të duhet të vëzhgosh në “laboratorin” e Republikës së Kosovës.

Rregullat e respektimit të lëvizjes në trafik dhe kujdesi suprem që hekuri i makinës t’i hapë rrugë pa mëdyshje njeriut, këtu veprojnë me standardet e Vjenës, të Parisit, të Berlinit apo Londrës. Dhe zbatimi i këtij rregulli nuk është çështje teknike. Ka të bëjë drejtpërsëdrejti me vlerësimin e vetë shoqërisë dhe rolit të saj të parë në jetën e një populli. Individi, “njëshi” kosovar, veçanërisht politikani apo pushtetushtruesi, edhe këtu bën trysni të madhe që ta mbërthejë në duart e veta gjithçka, por për t’ia dalë e ka mjaft më të vështirë se në Republikën e Shqipërisë.

Në dy takime të shkurtra me Ramadan Zejnullahun, rektorin e Universitetit të Prishtinës (atij të shtetit, i cili ka 60.000 studentë), kupton menjëherë jo vetëm se gjendesh përballë me një shkencëtar të matematikës, por edhe me një intelektual tërë cilësi të larta morale. Nuk bëhet fjalë vetëm për pastërtinë e figurës së tij ku zakoni i përfitimeve prej postit konsiderohet një ves i shëmtuar, por edhe për mëvetësinë e tij nga bota politike. Ky Akademik i vërtetë në mbrëmjen e 13 nëntorit qe në pik të qëndresës kundër një ndërhyrjeje arrogante të pushtetit partiak, ministrit të Arsimit, për të pranuar në universitet një mijë “bij të dëshmorëve të luftës”, kur në të vërtetë ata qenë nipër e mbesa të të fuqishmëve të politikës apo të biznesit.

Lufta e vyer e UÇK-së edhe këtu, në Republikën e Kosovës, kishte krijuar si te ne, në Republikën e Shqipërisë, dekada më parë, dukurinë e “Çobo Rrapushit” (personazh letrar i krijuar nga Dhimitër Shuteriqi) apo të “Partizanit Meke” (nga Dritëro Agolli), ku luftëtari për çlirim shndërrohet në një “supermen” social, në një të privilegjuar, në zotëruesin e të gjithë prestigjit kombëtar, madje edhe të së ardhmes. Në të vërtetë kjo frymë nuk vjen prej luftëtarëve realë dhe është një dinakëri e disa individëve përfitues dhe shpërdorues të vlerës së vërtetë të luftës së armatosur. Në Prizren, pikërisht në pjesën e qytetit të vjetër, qenë vendosur dy shtatore të mëdha luftëtarësh të UÇK-së, kur simbolikat nderuese për atë bashkësi trimash që sakrifikoi deri edhe jetën, mund të shprehej në pjesë të tjera të qytetit modern, në vende edhe më të dukshme. Në qytetin e vjetër, ku turistët nuk kanë të sosur, informacioni për ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të zgjidhet me gjetje artistike mjaft më fine dhe jo me atë arrogancë bronzi. Madje do të mjaftonte edhe shpjegimi i shkruar rreth fatit të godinës së Lidhjes së Prizrenit, të cilën e tregon qartësisht vetë drejtori i këtij muzeu, Parim Kosova. Historia e shkatërrimit të saj nga serbët nëpër natë dhe e vendosjes në gërmadha e një predhe bombe prej të avionëve të NATO-s, për të akuzuar si autore vendet demokratike që iu kundërvunë gjenocidit milosheviçian, e mbarte të gjithë shkëlqimin e luftës për çlirim.

(Në një çast Parim Kosova ndërhyn te Flamur Gashi, këshilltari diplomatik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për rajonin, aty i pranishëm, me lutjen e përsëritur radhas për disa presidentë e kryeministra të të dy Republikave, për t’i dhënë muzeut të Lidhjes së Prizrenit, statusin e një institucioni të përbashkët të dy shteteve tona. Ai mbronte një ide mjaft kuptimplote, atë të bashkimit të vlerave historike kombëtare. Moskryerja, gjer tani e shpjeguar me pengesa marrëveshjesh ndërshtetërore, shumë shpejt do të mbesë një punë e padenjë, sepse boshllëkun “ligjor” po e mbushin shqiptarët e dy Republikave. Shtëpinë-muze nuk e vizitojnë vetëm bashkëkombës nga Kosova e sidomos nxënës shkollash, por të tillë edhe nga Kukësi dhe me një intensitet dukshëm të madh nga Shkodra. Tashmë kanë filluar masivisht të vijnë nga Elbasani).

Republika e Kosovës është një realitet shumë më tjetër nga ai shqiptar, sepse është formuar përmbi tetëdhjetë vite në një bashkësi popujsh të tjerë të gadishullit, më me përvojë shtetërore dhe organizimi shoqëror. Po ashtu në kushtet e hapjes së kufijve me Perëndimin. Shtypja serbe ua ka konsoliduar aftësinë e vetëmbrojtjes jo nëpërmjet mosbindjes anarkiste, rezistencës së rrëmujshme antishtet, por nëpërmjet asaj të organizuar deri edhe në një shtet më vete. Bashkëkombësit e Kosovës vezulluan me ngritjen dhe qëndresën kombëtare nëpërmjet shtetit paralel, tashmë shembull i njohur dhe i cituar në historinë botërore.

Njeriu që lufton për një ideal çlirimi etnik në Republikën e Kosovës është i pandarë nga misioni i tij më i madh: zhvillimin e miqësisë mes popujve të gadishullit. Mes kaq shumë profesorëve universitarë dhe studiuesve, të cilët shkëmbejnë vizita pune nëpër kryeqytetet e Ballkanit, ndodhet edhe aktori Ilir Tafa, mbase këto kohë shqiptari simbol i bashkëpunimit rajonal. Prej më shumë se 120 serish, ai është pjesëmarrës në filmin televiziv më të ndjekur prej popujve të dikur ish-Jugosllavisë si edhe është, me këtë shpirt, nismëtari i vënies në skenë me aktorë kroatë, boshnjakë, serbë etj., të një pjese teatrore për Nënë Terezën.

Ndërsa Republika e Shqipërisë në Ballkan mund të quhet si vendi i të burgosurve politikë për arsye ideologjike, Republika e Kosovës patjetër ka vendin e parë jo vetëm në gadishull, por edhe më tej, i të burgosurve për çlirim. Shifrat janë tronditëse. Vetëm në pak vend, në Suharekë, ka pesëqind të tillë. Duket sikur bashkëkombësi ynë në ish-Jugosllavi ka vuajtur sa tërë bota. Një veprimtar humanist (këtë term e gjen vetëm në Republikën e Kosovës), siç është Naim Bajraktari, vetë dhe në familjen e tij, për katër pjesëtarë, ka pësuar 27 vite burgim.

Kjo Republikë motër ka ndryshe edhe një dukuri tjetër: njerëz si Zuhdi Hajzeraj. Është imami i Pejës, klerik mysliman rreth të tridhjetave. Nën kujdesin e tij është botuar libri “Një vështrim islam mbi terrorin dhe sulmet vetëvrasëse”. Zuhdi është një qëndrestar kundër ISIS. Në dy raste është kërcënuar, por i bindur se feja e vërtetë islame është tërësisht paqësore, ai në kauzën e vet nuk lëkundet. Trimëria e tij ishte prekëse.

Një kurajë të tillë sociale, sikur ta ndeshnim në Shqipëri, do ta bënte Republikën tonë më të kuptimtë për brezat e rinj.

Kosova është atdheu i prof. dr. Zekirija Cana-s, atij atdhetari të shquar, i cili thoshte përherë: “Vepro shpejt, se historia nuk pret!”

Mos ndoshta edhe këtu mes dy republikave shqiptare ka një dallim?

Ne të Tiranës herë pas here krijojmë përshtypjen se historia ka nge të na presë, madje ajo, si të jetë qengj, na vjen edhe nga pas. Kështu në të vërtetë vonohemi dhe rasti i favorshëm na ikën.

Ata të Prishtinës me sa duket nuk i rrinë prapa historisë, por i dalin përpara. Dhe për këtë arsye po na e kalojnë.

Mbase edhe na e kanë kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button