Shtator 1920 – kur terrorizmi godiste SHBA në zemrën e vet
Dje, mbarë bota përkujtoi 11 shtatorin, përvjetorin e 14 të sulmeve më të mëdha terroriste në SHBA. Por nëse do t’i hidhnim një sy historisë, ajo do të na tregonte se të tilla sulme në SHBA kanë nisur pikërisht nga Nju Jorku. Gjithçka ndodhi në vitin 1920, kur anarkistët shkaktuan një shpërthim madhor në Wall Street
Nga Armand Plaka
Dje mbarë bota përkujtoi 11 shtatorin, përvjetorin e 14 të sulmeve më të mëdha terroriste në SHBA. Por nëse do t’i hidhnim një sy historisë, ajo do të na tregonte se të tilla sulme në SHBA kanë nisur pikërisht nga Nju Jorku. Gjithçka ndodhi në vitin 1920, sigurisht në një tjetër kohë e me një distancë të madhe nga ato të 11 shtatorit, por vendi dhe koha të paktën, kanë çuditërisht shumë ngjashmëri.
Kështu, në historinë e vonë amerikane ndoshta jo të gjithë e dinë se më 16 shtator 1920 ndodhi sulmi terrorist mbi distriktin financiar më të madh të SHBA-së, në Manhattan.
Organizatorët kishin si objektiv një ndërtesë me peshë e shumë simbolike, e cila gjithashtu kish shërbyer si një simbol, jo vetëm i kapitalizmit amerikan. Por metoda e tyre e sulmit ishte e pazakontë. Ata nuk përdorën as aeroplan e as nuk kryen sulme vetëvrasëse, sikurse do të ndodhte pas më shumë se tetë dekadave. Ata përdorën një metodë në fakt shumë arkaike, e cila mund të ishte përdorur edhe njëqind apo treqind vjet më parë.
“Bomba në Wall Street”, siç njihet nga historiografia zyrtare në SHBA, ndodhi pasditen e një të enjteje të 16 shtatorit 1920. Një karro e mbushur me dinamit dhe me rreth një çerek toni materiale të forta, hekur e metale, ishte parkuar përballë “23 Wall Street”. Ndërtesa në atë kohë ishte dhe seli qendrore e J.P. Morgan & Co., bankës më të fuqishme në SHBA.
Vetëm një minutë pasi ora kishte shënuar 12:00, akrepi në sahatin e materialit eksploziv në karro, arriti zeron dhe një shpërthim i madh pasoi në mes të rrugës mbushur me njerëz.
Tridhjetë vetë, si dhe kali që ishte i lidhur me karrocën, humbën jetën menjëherë nga shpërthimi. Tetë të tjerë e humbën atë më pas nga plagët që morën. Qindra të tjerë mbetën të plagosur, disa të shtrirë pa ndjenja në rrugë e të tjerë morën plagë nga xhamat e thyer të dritareve të zyrave të bankës apo copat inerte që u fluturuan mbi trup e fytyrë. Shpërthimi ishte aq i fortë, siç raportonin mediat e kohës, saqë “New York Times” të nesërmen e shpërthimit shkruante se, “pasagjerët e një trolejbusi që po kalonte dy blloqe rrugësh më tej, kishin kërcyer të tmerruar jashtë tij”.
Askush nuk e mori përgjegjësinë për aktin terrorist pas sulmit, çka solli me vete shumë teori e konkluzione që i shihnin organizatorët si “agjitatorë komunistë” të mbështetur apo frymëzuar nga Revolucioni Bolshevik në Rusi. Më 17 shtator 1920, “New York Times” raportonte se “si hetuesit e policisë lokale, ashtu dhe ata të qeverisë, binin dakord më shumë me idenë se ‘të kuqtë’ ishin ata që e kishin vënë bombën në karrocë”.
Rusët, për shkak të zhvillimeve politike, shiheshin si të dyshuarit kryesorë për atë ngjarje, edhe sipas John Markle, njërit prej dëshmitarëve okularë që u ndodhën atë ditë para ndërtesës së J.P. Morgan. “Nuk ka dyshim në mendjen time, se shpërthimi është shkaktuar nga bolshevikët”, theksonte ai në atë kohë për NYT.
Sidoqoftë, jo të gjithë mendonin ashtu. Kështu, agjenti i Departamentit të Drejtësisë, Frank Francisco, ishte i bindur se shpërthimi kishte qenë një aksident, pasi objektivi ishte tjetërkund.
Në nxitimin e tyre për të riçelur zyrat e bursës së Nju Jorkut ditën e nesërme pas shpërthimit, zyrtarët lokalë pastruan çdo evidencë që mund të kishte çuar në zbulimin apo identifikimin e organizatorëve të sulmit. Pavarësisht se pati një hetim që zgjati tre vjet, autorët e sulmit nuk u arrit të zbulohen kurrë, e sot e kësaj dite, dosja e asaj ngjarjeje ngjall akoma shumë interes, duke u bërë shpesh objekt spekulimesh të shumta.
Në vitin 1944, sidoqoftë, FBI-ja e rishikoi rastin dhe arriti në përfundimin se anarkistët italianë ishin ata që me më shumë gjasa fshiheshin pas atij sulmi. Grupimi i tyre kishte kryer një seri sulmesh në mbarë territorin e SHBA-së në vitin 1919, të cilat i ngjallën për herë të parë popullit amerikan edhe frikën ndaj “rrezikut të kuq”, duke e shndërruar atë në një psikozë, sidoqoftë të pavërtetuar.
Sot, fasada e “23 Wall Street”, akoma mban gjurmë të shkaktuara nga shpërthimi i 95 viteve më parë, për t’u kujtuar kalimtarëve se terrorizmi nuk njeh moshë, kohë, komb apo kufi.
Sulmet terroriste në SHBA qysh nga 1920-a
16 shtator 1920: Një bombë shpërthen në lagjen e Wall Street-it në Nju Jork. 40 vetë vdesin dhe qindra të tjerë plagosen. Shumë dekada më vonë, policia arrin në përfundimin se sulmi u krye nga grupe anarkiste italiane, por një autor përfundimtar akoma nuk ka.
24 janar 1975: Shpërthim në një bar njujorkez. Katër vetë vdesin. Sulmin e morën përsipër Ushtria për Çlirimin e Porto Rikos (FALN), e cila në vitet 1974 – 1977 kishte kryer gjithsej 49 sulme në Nju Jork.
29 dhjetor 1975: Sulmi me bomba në aeroportin e Nju Jorkut “La Guardia”. Njëmbëdhjetë të vdekur dhe 75 të plagosur. Askush nuk e mori përsipër sulmin e askush nuk u arrestua për të.
26 shkurt 1993: Atentat kundër “World Trade Center” në Nju Jork. Sasia me materialin shpërthyes ishte fshehur në thellësinë e një garazhi të njërës prej dy kullave binjake. Gjashtë vetë vdiqën dhe disa u plagosën. Katër fondamentalistë islamikë u gjetën fajtorë më pas për sulmin dhe u dënuan me burgime të përjetshme.
19 prill 1995: Në sulmin mbi ndërtesën administrative të qytetit amerikan të Oklahomas, gjetën vdekjen gjithsej 168 vetë, ndër ta edhe 19 fëmijë. Autori, Timothy McVeigh, e arsyetoi sulmin me aksionin policor të Waco-s në vitin 1993. Në atë sulm të forcave policore federale amerikane mbi kreun e një sekti religjioz në Teksas, David Koresh, mbetën të vrarë rreth 80 vetë, e ndër ta edhe 22 fëmijë. McVeigh vetë më pas u ekzekutua në korrik të vitit 2001.
7 gusht 1998: Në atentatet mbi ambasadat amerikane në Najrobi dhe Daressalam, mbetën të vdekur 224 vetë. Si autorë u identifikuan fondamentalistët sauditë nën drejtimin e Osama bin Laden. Në 2001-shin, në Nju Jork u arrestuan katër anëtarë të Al-Kaedës.
12 tetor 2000: Në një sulm mbi anijen luftarake amerikane “USS Cole”, vdiqën në Portin e Adenit në Jemen, 17 marinarë amerikanë. Anëtarë të grupimeve radikale islamike “Ushtria e Mohammedit”, morën përsipër sulmin.
11 shtator 2001: Dy avionë vërshuan brenda pak minutave mbi dy kullat binjake të “World Trade Center” në Nju Jork. Edhe Pentagoni u sulmua nga terroristët. Akti që shkaktoi rreth tre mijë të vdekur, tashmë njihet si më i madhi terrorist në historinë e SHBA-së dhe në analet e sulmeve terroriste ndaj qendrave të qytetëruara botërore. Ai ndryshoi përgjithnjë mendësinë dhe mënyrat e trajtimit të sulmeve terroriste në botë, duke sjellë shumë ndryshime radikale në politikat e sigurisë, jo vetëm në SHBA.