Si t’ua shpjegojmë demokratëve “vetëpërjashtimin” e Salianjit?

Në kuptimin gjuhësor “vetëpërjashtimi” është një akt kur një person e përjashton veten e tij nga një grup, nga një detyrë, nga një proces apo nga një e drejtë që i takon pa u konsultuar me të tjerët. Për shembull, mund të largohesh nga një detyrë që të kanë ngarkuar, nga një pozicion politik, nga pjesëmarrja në një parti politike etj.
Ervin Salianji është një anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, i cili nuk ka bërë asgjë nga këto që të plotësojë ndonjë kusht minimal që të quhet i vetëpërjashtuar. Nuk është larguar nga Kryesia e Partisë Demokratike, përkundrazi merr pjesë në mbledhjet e saj. Nuk është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, përkundrazi bën takime me demokratët në çdo rreth të Shqipërisë. Nuk është larguar nga aktivitetet e PD pasi merr pjesë edhe në mitingjet e thirrura nga Sali Berisha.
Tani Sali Berisha dhe gjithë papagallët poshtë tij përsërisin përditë se Ervin Salianji nuk mund të kandidojë pasi ai është vetëpërjashtuar.
Vendimi duket serioz dhe besoj që ata do ta çojnë deri në fund, por pse kanë zgjedhur fjalën “vetëpërjashtim” dhe jo fjalën “përjashtim”?
Këtu është dhe sekreti i gjithë atyre që nuk kuptojnë se ç’do të thotë të vetëpërjashtohesh nga PD.
Të vetëpërjashtohesh nga PD nuk është sikur të japësh dorëheqje nga ministër, apo nga Kryesia e PD, apo qoftë edhe nga PD. Ky tip vetëpërjashtimi nuk ka lidhje me mënyrën se si funksionon PD.
Që të jesh anëtar i PD, apo anëtar i kryesisë së saj, siç është edhe Salianji, ti e ke të ndaluar të heqësh dorë nga dashuria për Sali Berishën dhe besnikëria ndaj tij.
E ke të ndaluar të mendosh se ai është plakur edhe kur shkon 82 vjeç, e ke të ndaluar të mendosh se ai ka rrjedhur edhe kur i thotë këmbës dorë në publik, e ke të ndaluar t’i thuash që është hajdut edhe kur akuzohet me fakte për korrupsion madhor qoftë edhe nga SHBA apo Britania e Madhe duke u shpallur “non grata”, e ke të ndaluar të mendosh se është vrasës edhe kur vret në mes të bulevardit, e ke të ndaluar të mendosh se ai e ka Partinë Demokratike një pronë private edhe kur shikon që ti duhet të kesh bekimin e djalit dhe vajzës së tij për të bërë karrierë në PD, e ke të ndaluar të mendosh se ai mban afër idiotë si Flamur Noka për të injoruar çdo kënd që është njeri qoftë edhe intelekt mesatar, e ke të ndaluar të mendosh se ai nuk është i interesuar të fitojë pushtetin, por të përdorë PD si imunitet ndaj akuzave të mundshme penale, e kështu me radhë.
Pra nëse ty në një moment të caktuar të shkon në mendje diçka e tillë nga këto që përmenda më lart, atëherë ti ke përjashtuar veten tënde nga dashuria për Sali Berishën, ke bërë mëkat dhe ke dënuar veten me vetëpërjashtim nga dashuria për të. Kjo të bën automatikisht të padëshirueshëm në PD dhe aq më tepër të papranueshëm qoftë edhe si rival formal kundër Sali Berishës. Demokratët nuk mund të pranojnë që ai që konkurron përballë Berishës të mos e dojë Berishën më shumë se sa e duan ata.
Ky është ndryshimi nga vetëpërjashtimi si koncept dhe vetëpërjashtimi nga PD, që nuk është thjesht heqje dorë nga detyrat e tua apo angazhimet e tua, por është heqje dorë nga dashuria për Sali Berishën. Nëse të ka ndodhur kjo, është njësoj sikur djalli të të ketë pushtuar shpirtin dhe ti nuk ke më vend në atë parti.
Madje ky si koncept duhet të futet në ndryshimet e reja statutore si nocion juridik special vetëm për Partinë Demokratike, që njerëzit të mos ngatërrohen në të ardhmen dhe të lodhen të kuptojnë pse Salianji quhet i vetëpërjashtuar edhe pse as nuk është larguar dhe as ka hequr dorë nga PD. Ka bërë diçka edhe më të rëndë se kaq: ka hequr dorë nga Berisha.
Dhe kjo duhet të pasqyrohet në statutin e ri të PD që në të ardhmen të mos guxojnë njerëz të tjerë që nuk e duan Berishën të jenë anëtarë të partisë, e madje të guxojnë të kandidojnë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.