Ekonomia

Sigurimi i depozitave, qeveria synon forcimin e stabilitetit financiar

Ndryshimet e paraqitura për miratim në Kuvend në ligjin “Për sigurimin e depozitave” parashikojnë përmirësimin e skemës së sigurimit të depozitave përmes së cilës, qeveria synon të forcojë edhe stabilitetin financiar të vendit.

Zëvendësministri i Financave, Erion Luçi deklaroi të mërkurën në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se projektligji i propozuar kontribuon në forcimin e stabilitetit financiar në vend, nëpërmjet rritjes së bazës së depozituesve të mbrojtur nga skema, si dhe rritjes së besimit të tyre në skemën e sigurimit të depozitave.

Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet projektligjit, sipas Luçit janë, zgjerimi i bazës së depozituesve të mbrojtur nga skema nëpërmjet përfshirjes së depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në depozitat e
sigurueshme, përshpejtimi i afatit të kompensimit të depozitave, nëpërmjet detajimit të funksioneve të likuidatorit në lidhje me përjashtimet nga listë-pagesa për kompensim, si dhe garantimi i qasjes së shpejtë të Agjencisë në likuiditet nëpërmjet rishikimit të së drejtës së saj për të shitur dhe riblerë tituj edhe te Banka e Shqipërisë.

Me ligjin ekzistues, pjesë e skemës së sigurimit janë vetëm depozitat e individëve, të cilat përbëjnë 85% të totalit të depozitave të sistemit në vlerë dhe 94% të numrit të depozituesve. Me ndryshimet ligjore të propozuara parashikohet përfshirja në skemën e sigurimit të depozitave edhe të depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare, të cilat përbëjnë 13% (129,6 mld lekë) të depozitave të sistemit në vlerë dhe 6% (112.584 depozitues) të numrit të depozituesve.

Nga 129,6 miliardë lekë depozita që do të përfshihen në skemë, 29,2 miliardë lekë do të sigurohen nga skema (deri në nivelin 2,5 mln lekë). Gjithashtu, nga 112.584 depozitues, 105.961 prej tyre mbulohen plotësisht dhe pjesa tjetër mbulohen pjesërisht (deri në 2,5 milionë lekë). Aktualisht, depozitat e siguruara të individëve në sistemin bankar kapin vlerën 573.1 miliardë lekë. Përfshirja e depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në skemë do të rriste depozitat e siguruara me 29.2 miliardë lekë ose 5.1%.

Bazuar në ligjin në fuqi, bankat i paguajnë Agjencisë prime tremujore sigurimi që llogariten në 0,125% të depozitave të siguruara. Sipas të dhënave të ASD-së, shtesa në primin tremujor të sigurimit që do të paguajë sistemi bankar, si rrjedhojë e përfshirjes në skemë të subjekteve tregtare, kap një vlerë prej 36,5 milionë lekë. Aktualisht, totali i primeve të paguara në një vit nga sistemi bankar arrin vlerën 2.88 miliardë lekë. Përfshirja e depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në skemë do të rriste totalin e primeve për t’u paguar në një vit nga sistemi bankar me rreth 146 milionë lekë ose 5.1%.

Raporti i mbulimit të fondit të sigurimit të depozitave bie me 0,22 pikë përqindjeje nga 4,61% në 4,39%, sipas të dhënave më të fundit (gusht 2015). Një nga objektivat ligjorë të Agjencisë është arritja e nivelit 5% të këtij raporti. Sipas analizave më të fundit, përfshirja në skemë e subjekteve tregtare do ta shtynte
arritjen e këtij objektivi me 6 muaj.

Aktualisht, fondi i sigurimit të depozitave në banka, mbulon plotësisht depozitat e siguruara të 9 bankave më të vogla, nga 16 gjithsej. Me përfshirjen e subjekteve tregtare numri i bankave që mbulohen plotësisht nga Agjencia mbetet i pandryshuar. Ekspozimi maksimal teorik i Agjencisë dhe buxhetit të shtetit (sikur të falimentojnë të gjitha bankat) nga përfshirja e këtyre subjekteve shtohet me 29.2 miliardë lekë. Në rastin hipotetik të ndodhjes së ngjarjes së sigurimit për bankën më të madhe, ekspozimi maksimal shtesë i buxhetit të shtetit është 5,3 miliardë lekë.

Komisioni i Ekonomisë, i cili zhvilloi punimet e sotme pa praninë e opozitës miratoi ndryshimet ligjore, duke i hapur rrugë p/ligjit për miratim në seancë plenare të Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button