Simbolika hyjnore në pikturë, Enea Ziu çel në Tiranë ekspozitën personale “Hiri”
Artisti Enea Ziu ka çelur në Tiranë ekspozitën personale “Hiri” me krijime që përcjellin mesazh shprese, ndërsa gjithë veprat janë përqendruar në një narrativë biblike.
Ekspozita “Hiri”, në Galerinë e Artit Tiranë, sjell simbolikën hyjnore në pikturë përmes një qasjeje ku figura njerëzore, elementet mitike dhe simbolika hyjnore nuk paraqiten si ilustrime të një doktrine, por si forma përmes të cilave artikulohet konflikti midis së dukshmes dhe së padukshmes, midis thirrjes shpirtërore dhe brishtësisë psiko-njerëzore.
Cikli i punimeve “Hiri”, ku bota historike takohet me atë metafizike, fton për reflektim mbi marrëdhënien midis njeriut dhe së shenjtës.
“Hiri përmban dy kuptime, është hiri i Zotit dhe ajo çfarë fshihet pas zjarrit. Gjithë ekspozita është pikturë në vaj, është përqendruar më shumë te kompozimi, është përqendruar në një narrativë biblike”, thotë Ziu.
Ngjyra, kompozimi vertikal dhe motivet mitike artikulojnë tensionet midis së mirës dhe së keqes.
“Është një histori shumë e dhimbshme, por nuk kam dashur ta fus në ato ujëra, është vendimi i Faraonit për të ekzekutuar të gjithë fëmijët dhe skllevërit izraelit. Jam munduar ta trajtoj në një formë qetësie”, thotë ai.
Nga mëkati i parë njerëzor te Adami dhe Eva, te vrasja e parë ku Kaini i merr jetën vëllait të tij Abeli, apo historia e Kulla e Babelit, ku njerëzit u dënuan të flisnin gjuhë të ndryshme, krijimet e Ziut përcjellin mesazh shprese.
“Mesazhi i ekspozitës është një mesazh shprese në fakt, sepse flet për rënien e njeriut dhe për hirin e Zotit. Në çdo punë jam munduar të fus një element që sjell shpresë”, thotë Enea Ziu.
Ekspozita e Enea Ziu, e kuruar nga Kristian Zara, që ka përzgjedhur të vendosë bocetet përballë pikturave, do të qëndrojë e hapur në Galeria e Artit Tiranë deri në 29 mars.
The post Simbolika hyjnore në pikturë, Enea Ziu çel në Tiranë ekspozitën personale “Hiri” appeared first on Euronews Albania.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.