S’ka pretencë për Klement Balilin, shtyhet sërish gjyqi
Kur Gjykata për Krime të Rënda vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për Kelmend Balilin, u fol se procesi për të cilësuarin si Eskobari i Ballkanit, do të përmbyllej në vetëm pak seanca, por nuk po ndodh ashtu.
I pandehuri Balili dhe avokati i tij Theodhori Sollaku kanë munguar sërish sot në sallën e gjyqit duke e shtyrë sërish pretencën. Mësohet se avokati i Balilit nuk ka treguar arsyet e mungesës së sotme. Ndërsa gjatë seancës së kaluar mungesën e justifikoi me disa probleme shëndetësore.
Ish-zyrtari i lartë akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave. Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.
Prokurori Nakuci deklaroi më herët se gjatë hetimit nga homologët grekë është identifikuar një person me emrin Keli, që më vonë ka rezultuar se ishte Kelmend Balili. Ky i fundit sipas institucionit të akuzës, ka patur rolin e organizatorit në trafikimin e një sasie prej afro 800 kg hashash nga Shqipëria drejt Greqisë, atje ku edhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Në kërkesën për gjykim binte në sy fakti, se Balili ishte kallëzuar nga ILDKPI për fshehje pasuria, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim.
Kelmend Balili jetoi për dy vite në arrati për t’u vetëdorëzuar vetëm disa javë më parë, kur dosja penale e tij u dërgua për gjykim. Ai mohon të jetë përfshirë në veprimtari kriminale dhe këmbëngul për pafajësi.