Kronika

Skandal në Albpetrol, 10.5 milionë euro abuzime në më pak se 1 vit

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori administratorin e kompanisë shtetërore Albpetrol dhe disa drejtues të tjerë të kësaj kompanie. Nga një audit i kryer nga data 1 gusht i vitit 2013 deri më 30 qershor i vitit 2014 rezultoi se shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej afro 10 milionë eurosh. 9.5 milionë euro është dëmi i ardhur si pasojë e zbritjeve “të gabuara” në llogaritje. 1.4 milionë dollarë (afro 1 milionë euro) është abuzimi nga kostot te transportit të naftës.

albpetrol2

Sipas KLSH, Albpetrol, në kundështim me ligjin, ka funksionuar si agjent kompanish konçesionare: pra, një kompani shtetërore që ka funksionuar tërësisht në dobi të interesave të kompanive koncesionare private dhe interesave të drejtuesve më të lartë të saj, nëpërmjet shmangies nga vendimmarrja të Këshillit të Ministrave, Këshillit Mbikëqyrës, Drejtorisë së Auditit të Brendshëm dhe drejtorive të tjera të Albpetrol, si dhe krijimit e konsolidimit të strukturave paralele drejtuese në brendësi të shoqërisë.

Më konkretisht, Administratori i shoqërisë Albpetrol ka nënshkruar dy Akt-Marrëveshje hidrokarbure me të njëjtën kompani koncensionare, tërësisht në kundërshtim me procedurat e parashikuara dhe në tejkalim të plotë të kompetencave të tij si administrator. Dy Akt-Marrëveshjet e hidrokarbureve të datave 28.02.2014 dhe 04.04.2014, janë nënshkruar si shtesa të marrëveshjeve të mëparshme të hidrokarbureve, të miratuara me VKM në vitin 2007 dhe kishin si qëllim likuidimin e detyrimeve të ndërsjellta që kompania koncesionare dhe Albpetrol sh.a.kishin ndaj njëra tjetrës.

Nënshkrimi dhe zbatimi i këtyre akt-marrëveshjeve nga Administratori i Albpetrol, është kryer në kundërshtim flagrant me përcaktimet e bëra në nenin 1, pika 1/6 të Marrëveshjes bazë të Hidrokarbureve të vitit 2007, ku përcaktohej “Marrëveshje, do të thotë kjo marrëveshje-hidrokarbure së bashku me anekset, si çmund të amendohet herë pas here me rënien dakort të palëve dhe aprovim të Këshillit të Ministrave, për vlerësimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në zonën e kontratës”.

Këto dy akt-marrëveshje, Administratori i shoqërisë jo vetëm nuk ia paraqiti për miratim Këshillit të Ministrave, por as dhe Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë Albpetrol, madje siç rezultoi nga auditimi në lidhje me to nuk kishin dijeni edhe një pjesë e strukturave dhe drejtuesve të kësaj shoqërie. Referuar përmbajtjes së këtyre akt-marrëveshjeve, në to favorizohet haptazi kompania koncensionare, së cilës Albpetrol i jep mundësinë që detyrimet e saj për dorëzimin e naftës bruto (të akumuluara ndër vite) t’i shlyente duke paguar një vlerë të caktuar monetare. Ndërsa sasinë e naftës që kjo kompani i kishte dhënë tepër Albpetrolit (në një nga puset që ajo kishte marrë me koncesion) ta merrte prej Albpetrolit direkt e në vendburimin e naftës dhe jo në mënyrë të disiplinuar dhe kontrolluar nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit, Patos.

Në bazë të marrëveshjes bazë të hidrokarbureve (neni 3, pika 3.5.1), kompania koncensionare ka pasur për detyrim që t’i dorëzonte Albpetrolit një sasi të caktuar nafte në natyrë, por në asnjë nen të kësaj marrëveshjeje nuk përcaktohej e drejta e Albpetrolit për t’ia konvertuar këtë detyrim kompanisë koncensionare në vlerë monetare dhe aq më tepër ta caktonte vetë mënyrën e përllogaritjes së vlerës totale të këtij detyrimi.

Për rrjedhojë, me nënshkrimin e këtyre dy akt-marrëveshjeve, Administratori i Albpetrol sh.a, ka marrë përsipër atributet e Këshillit të Ministrave, duke i ndryshuar termat e marrëveshjes bazë të hidrokarbureve, në dobi dhe favorizim të hapur të kompanisë koncensionare.

Dy akt-marrëveshjet e hidrokarbureve të lidhura me kompaninë koncensionare, janë mbajtur të fshehta dhe nuk i kanë kaluar për miratim Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrol sha. Në rast se këto akt-marrëveshje nuk duhet të shqyrtoheshin dhe të miratoheshin paraprakisht nga ky organ kryesor vendimmarrës, atëherë përse mund të shërbejë ky Këshill në drejtimin e kësaj kompanie?

Caktimi i çmimit të naftës në mënyrë arbitrare

Procedura e ndjekur nga Administratori i Albpetrol, për konvertimin në vlerë monetare të sasisë së naftës bruto që kompania koncensionare i detyrohej asaj, ndonëse në pamje të parë duket si akt-marrëveshje për shlyerje të detyrimeve, është në vetvete një akt i mirëfilltë shitjeje, ku kompanisë koncensionare i jepet e drejta që në njëfarë mënyre të blejë të gjithë sasinë që ajo i detyrohet Albpetrol sha, pa konkurruar në procedurat normale të ankandit dhe me një çmim për të cilin vetë palët bien dakord ndërmjet tyre. Në rast se kjo sasi nafte do të shitej nëpërmjet procedurave normale të ankandit, vlera monetare që do të përfitonte Albpetroli nga kjo shitje do të ishte shumë më e lartë sesa vlera e përllogaritur nga Administratori në akt-marrëveshjen e nënshkruar prej tij, madje ky çmim nuk i afrohet as çmimit me të cilin kompania koncensionare i ka shitur naftë Albpetrolit në disa raste!

Shlyerja e detyrimit direkt në burimin e naftës

Përsa i përket marrëveshjes tjetër të datës 04.04.2014, të nënshkruar me po të njëjtën kompani koncensionare, Administratori i Albpetrol, vendos që ta favorizojë kompaninë koncensionare duke e lejuar atë që ta tërhiqte sasinë prej 11,213.6 ton naftë të pretenduar si të dhënë tepër, jo nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit Patos (QASHNG) por direkt në vendburimin e naftës. Shmangia e QASHNG nga procedurat e lëvrimit, ka sjellë si pasojë mosdeklarimin e sasisë së naftës në magazinat fiskale, pra për të nuk është prerë dokumenti shoqërues administrativ (DSHA), si dhe nuk është deklaruar në sistemin që mbahet në QASHNG, veprime të cilat bien në kundërshtim me Ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe VKM nr. 612, datë 05.09.2012 “Për dispozitat zbatuese të ligjit për akcizat”.

Sikur të mos mjaftonin këto favorizime, në amendimet e propozuara për këtë akt-marrëveshje, Albpetroli merrte përsipër që t’i mundësonte kompanisë koncensionare likuidimin në natyrë, jo vetëm direkt nga vendburimi ku ishin krijuar këto detyrime dhe i cili kishte një naftë të një cilësie jo shumë të lartë, por edhe në tre vendburime të tjera ku nafta ishte e një cilësie më të lartë.

Zbritja e holluesit nga detyrimi për naftën

Përvec sa më sipër, nga auditimi i detyrimeve që kompani të tjera koncensionare kishin ndaj Albpetrol, rezultoi që në rastin e njërës prej këtyre kompanive, ishte zbritur nga nafta e prodhuar sasia e holluesit të përdorur.

Shkeljet në Qendrën e Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit

Nga auditimi i aktivitetit të Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit (QASHNG) në Patos, u konstatua se kjo qendër përdorte për regjistrimet kontabël programin Microsoft Excel, program i cili lejon mundësinë e kryerjes së ndryshimeve të qëllimshme në veprimet kontabël të periudhave të mëparshme, dhe në bilancin e naftës bruto për vitin 2013 dhe 2014 u konstatua një diferencë në sasinë 5,403.58 ton naftë bruto me vlerë 100,690,309.4 lekë.

Strukturat paralele që dublojnë Albpetrol Sh.a.

Përsa i përket ngritjes dhe funksionimit të strukturave paralele në Albpetrol sha, nga auditimi rezultoi që organika e personelit të Drejtorisë së Marrëveshje dhe Hidrokarbure nuk ishte në përpjesëtim me numrin total të punonjësve në administratën e Albpetrol sha. si dhe me nevojën reale të kësaj drejtorie për këtë numër punonjësish. Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve. Madje, disa punonjës të kësaj drejtorie, në veçanti ata të Sektorit të Supervizimit, janë pa profesionet përkatëse (inxhinier ndërtimi, inxhinier tekstili, inxhinier mekanik) ose janë të padiplomuar. Në strukturën e kësaj drejtorie ishin parashikuar qëllimisht sektorë, të cilët dublojnë veprimtarinë e strukturave të tjera të Albpetrol sha, si sektori ekonomik, sektori juridik, sektori teknik, etj. dhe madje këta sektorë të drejtorisë vazhdojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre, pa u mbështetur në detyra konkrete të përcaktuara në rregulloren e brendshme të Albpetrol.

Problemet e mbartura ndër vite me Sindikatën e Naftës

Gjatë kësaj periudhe, në adresë të KLSH si dhe të institucioneve të tjera të larta të vendit kanë ardhur shumë ankesa nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës Patos, përsa i përket largimeve të padrejta nga puna, problemet në lidhje me përfitimin e pensioneve, etj.

Per shkeljet e konstatuara në lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve si, edhe ato me fiktivitetin e konstatuar nga KLSH në bilancet vjetore të naftës së QASHNG, Patos KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë, kallëzimin penal me nr. 528/28, datë 24.09.2014 për Administratorin e “Albpetrol” sha dhe Dretorin e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe disa drejtues të tjerë të kësaj shoqërie, per konsumimin e elementeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

KLSH ka rekomanduar zgjidhjen e kontratës së punës për 6 drejtues të “Albpetrol” sh.a dhe dhënien e vërejtjes me paralajmërim për zgjidhjen e kontratës për 18 punonjës të kësaj shoqërie.

 

Drejtori i Albetrol Endri Puka
Drejtori i Albetrol Endri Puka

Denoncimi i opozitës

Partia Demokratike reagoi lidhur me emërimin e Endri Pukës si drejtor i Albpetrol. Sipas PD, Puka është partner biznesi i deputetit Koço Kokëdhima. Sipas saj, përmes këtij modeli mesazhi i Kryeministri Rama për shqiptarët është ky; “unë do të qeveris si të dua vetë, me kë të dua vetë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button