Anëtarja e Këshilli Bashkiak të Tiranës, Klodiana Shala në një dalje nga selia e Partisë Demokratike tha se përfaqësimi i Shqipërisë në aktivitetin ndërkombëtar më të rëndësishëm sportiv siç janë Lojërat Olimpike në Brazil, është një goditje për imazhin tonë dhe një shprehje e rrënimit të çdo standardi në këto 3 vite.
Sipas Shalës atletja jonë pa kostum kombëtar është një rast i paprecedentë në histori, sherri i pjesëtarëve të ekipit gjatë paradës në sytë e mbarë botës, dhe numri më i ulët në rajon e më gjerë i garuesve që Shqipëria ka atje, janë dëshmi e pastër e shkatërrimit të sportit, e shpartallimit të këtij sektori jetik në çdo drejtim.
“Edi Rama është padyshim përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të mjeruar e për këtë përfaqësim mjeran në qendrën e botës këto ditë, në Rio.
Hipokrizia e tij me sportin është e dukshme tashmë para gjithë shqiptarëve. Ai bën show, dhe jo punë. Nuk është serioz. Nuk e do sportin, por e përdor atë kur i duhet.
Edi Rama e sheh sportin si instrument politik për të bërë propagandë dhe jo si sektor ku duhet investuar me seriozitet.
Përfaqësimi i turpshëm në Lojërat Olimpike të Brazilit është meritë e tij.
Ne i urojmë suksese sportistëve tanë atje dhe dëshirojmë rezultatet më të mira, por jemi të indinjuar që ata janë braktisur me përbuzje nga qeveria, nga Edi Rama.
Edhe Lojërat olimpike, edhe sporti dëshmojnë se Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën”, tha Shala.