SOS Tirana
Nga Artan Gaçi
Tirana zë 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jeton 1/3-a e popullsisë, hyjnë e dalin përditë dhjetëra e mijëra qytetarë nga i gjithë vendi; është motori ekonomik, administrativ e politik i gjithë Shqipërisë dhe atraksioni më i rëndësishëm turistik i saj. Unë nuk jam që buxheti i shtetit të mos përdorët edhe për politikë sociale. Por përmes buxhetit, qeveria duhet të stimulojë sektorët, të cilët gjenerojnë ekonominë dhe kthehen në burim të ardhurash për vetë buxhetin dhe, rrjedhimisht, edhe në mundësi më të mëdha financiare për zona të tjera që nuk kanë mundësi zhvillimi ekonomik.
Tirana ka qenë e penalizuar në këto vite, për shkak të ndarjes në mënyrë të barabartë të fondeve në të gjithë Shqipërinë. Unë jam shumë dakord të bëhet rruga Qukës -Qafë Plloçë e të ketë dy rrugë për të arritur në Korçë, por mos harrojmë që rruga e Pogradecit është në përfundim dhe rruga e re ka të njëjtat kilometra me të vjetrën, por shkurton pak kohën duke evituar kthesat. Jam shumë dakord të bëhet edhe rruga e bregut nga lumi i Vlorës. Jam shumë dakord që edhe të gjitha rrugët hyrëse- dalëse të Shkodrës të jenë të gjitha të reja, si rruga e Hanit të Hotit, rruga e Murriqanit, ajo e Dukagjinit, rruga nacionale për Tiranë, dhe bypass-i. Jam shumë dakord që edhe rrugët hyrëse-dalëse të Tropojës të jenë rrugë të reja të bëra në këto vitet e fundit, si rruga e Gjakovës, e Hasit, e Valbonës, edhe ajo më traget. Po ashtu, Durrësi, Kavaja e shumica e qyteteve kryesorë të vendit kanë një infrastrukturë rrugorë hyrëse-dalëse të re e të kënaqshme.
Por ajo që them unë është të bëjmë edhe Tiranën si Tropoja, si Shkodra e Korça, që mos ketë vetëm një rrugë hyrëse e të humbim më mijëra orë pune, energji edhe karburant në trafik, sa herë na duhet për të hyrë e për të dalë, me 1 milion banorë e qindra mijëra makina që çdo ditë hyjnë e dalin si në grykë të shishes nga autostrada. Shumë mirë që bëhen të gjitha këto rrugë, por unë mendoj, jo për të bërë lokalistin, por edhe për faktin se askush në Tiranë nuk bën lokalistin, rruga e Dibrës është inekzistente, rruga e Elbasanit me probleme shumë të mëdha, e pambaruar, dhe rruga e Ndroqit, ose rruga e jugut e turizmit dhe e bujqësisë, ose rruga që ka bërë çdo qytetar i Tiranës deri në vitet ‘90, të jetë rruga më e degraduar nga çdo rrugë hyrëse e çdo qyteti të Shqipërisë. Mos harrojmë që ky është kryeqyteti. Nuk është i joni që banojmë në Tiranë, është i të gjithëve. Dhë është qyteti që kontribuon më 50% të zhvillimit ekonomik të vendit dhe nuk mund të vazhdojë të diskriminohet në dëm të të gjithëve, vetëm për të bërë qokat e deputetëve që kanë pasur funksione të rëndësishme e kanë mbuluar zona të tjera.
Tirana, në vend që të punonte me kapacitet të plotë, në mendimin tim, punon më çerekun e kapacitetit dhe mundësive që ka. Të zë frika të lëvizësh jashtë qendrës së Tiranës se të ikën gjysma e ditës në trafik. Sot ka dy Tirana. Ajo e bulevardit nga Skënderbeu deri tek universiteti, ku janë institucionet e bizneset më të mëdha, ku është elita e vendit, zonë e cila ka një komunikim shumë të mirë për shkak edhe se lëvizet në këmbë; dhe Tirana tjetër, jashtë këtyre 3 km katrorë, që është e paqarkullueshme. Trafik për të shkuar tek spitalet, trafik në rrugë të Kavajës e atë të Elbasanit, trafik tek treni, trafik tek Petro Nini për të kapur unazën, trafik tek Vasil Shanto e Komuna e Parisit, tmerr tek Pallati me Shigjeta, akoma më keq në Laprakë e tek Shqiponja. Për 1 orë vjen nga Italia në Rinas e mund të të duhet edhe 1 orë e gjysmë për të bërë 15 km deri në qendër të Tiranës.
Për të hyrë e për të dalë në Tiranë është vetëm autostrada, 2 korsi të bëra që para 15 vjetësh që na janë kthyer në makth për këdo që niset për të shkuar në veri, në jug, në Durrës, në port, në aeroport, për të shkuar në Kosovë, Greqi a Mal të Zi. Të gjithë duhet të kalojnë nga ajo grykë shisheje. Dy orë në mëngjes për të hyrë e për të dalë, dy orë në pikun e pasdites kur dalin njerëzit nga puna, orë e orë të tëra në fundjavat e gjata të sezonit veror.
Unë nuk jam kundër rrugës Qukës-Qafë Plloçë që kushton 152.75 milionë dollarë për 43.4 km. Por nëse do kisha zgjedhur, sot që po mbaron edhe Pogradeci e Korça mbërrihet në mënyrë shumë komode, do të kisha zgjedhur të sakrifikoja një rrugë paralele me atë te Pogradecit, më të njëjtat kilometra sa ajo e Pogradecit, por që kursen vetëm gjysmë ore për mjetet që lëvizin në atë aks. Edhe sot që flasim, trafiku në atë aks është relativisht i ulët dhe do të ulet edhe me rrugën paralele krahasimisht më Tiranën, ku qindra mijëra makina çdo ditë do të vazhdojnë të rrinë të bllokuara. Me 152.75 milionë dollarë mund të rehabilitohej 100% rruga Tiranë – Ndroq – Plepa, dukë i dhënë një zhvillim të madh bujqësisë, agro-turizmit, turizmit dhë komunikimit me jugun e Shqipërisë. Do ishte kthyer si rrugët e Toskanës për nga bukuria e peizazhit ku kalon. Brenda të njëjtës shumë do mbaronte edhe unaza e madhe e Tiranës, autostrada e re nga Elbasani (pjesa që ka mbetur), lidhja e bulevardit me rrugën nacionale, madje do tepronin lekë edhe për një pjesë të mirë të rrugës së Arbrit, që do të lidhte Tiranës me juglindjen e me Maqedoninë.
Nuk po flas për mjedisin që qindra mijëra makina naftë 10-vjeçare rrinë të gjitha të ndezura e nuk lëvizin, e na rrofshin kostumet ne politikanëve kur mushkëritë e fëmijëve tanë i mbushëm me blozë.
E njëjta logjikë vlen edhe për lumin ë Vlorës. Po përfundon bypass-i i Fierit dhe i Vlorës dhe brenda një viti do të kemi autostradë deri në rrëzë të Llogorasë. Janë 78 milionë dollarë që do t’i çojnë një rrugë të re Kuçit, Tërbacit, Fterrës e Corrës, e do lidhen diku nga Himara. Shumë mirë, por me 1/3-n e kësaj shume mund t’i shtrohej një tapet kësaj rrugë ku qarkullimi është krejt i vakët e pjesa tjetër t’i dedikohëj rrugës së Arbrit, që bashkë me fondet e para rrezik përfundonte pa hyrë në borxh me kinezët për 200 milionë euro. E përsëris, që asnjërit në Tiranë nuk na pëlqen të bëjmë lokalistin, por duhet bërë për të shpëtuar metropolin e për ta bërë po aq të aksesueshëm sa Shkodra, Tropoja, Korça e Vlora.