Sot Kongresi i Konservatorëve: 100 ditë pas Brexit – Pritje apo divorc i shpejtë
Do të mbetet Britania e Madhe pjesë e tregut të brendshëm europian? Kur duhet të fillojnë bisedimet e daljes nga unioni? Festimi por edhe grindja duket janë të programuara në kongresin e konservatorëve të dielën (02.10).
Kryeministrja britanike, Theresa May ka ftuar konservatorët në kongresin e parë të tyre që nga zgjedhja e saj si kryeministre. Në kongresin e konservatorëve (toris) që fillon të dielën në Brimingham (02.10) e vazhdon deri të mërkurën pritet që një temë të sundojë gjithë të tjerat: Brexit. Atmosfera pritet të jetë festive: Konservatorët udhëheqin qartazi sondazhet dhe po kërkojnë konsolidimin e pushtetit. Por kongresi nuk ka për të qenë i paprekur nga tensionet e brendshme. Në qeverinë e Mayt zien: Kështu ministri për Brexit, Davis Davis dhe ai i Tregtisë, Liam Fox kërkojnë gati hapur daljen nga tregu i brendshëm euopian në favor të kontrollimit më të fortë të emigracionit. Ndërsa ministri i Financave, Philip Hammond, ai i Jashtëm, Boris Johnson besojnë se mund të gjendet një kompromis me BE që mundëson si aksesin në tregun e brendshëm europian, ashtu edhe kontrollimin e imigracionit. Theresa May paralajmëron se nuk duhet të përflitet strategjia para fillimit të bisedimeve.
Kryeministrja britanike, Theresa May qëndron nën presion të madh për të ofruar planin kohor dhe detajet për daljen nga Bashkimi Europian. May duhet të shpjegojë qartë se çfarë dëshiron ajo nga divorci me Europën. Deri më tani ajo ka arritur të mos japë detaje. Disa personalitete politike, si Ken Clark, për shembull apo George Osborne paralajmërojnë vetëpërmbajtje, ndërsa “hardliner”-përkrahësit e fortë të Brexit si David Davis apo Boris Johnson kanë kërkuar një prerje të fortë.
Spekulime
“Çështja e Europës nga ana nominale është e vendosur, por ka shumë pika që ziejnë në sfond, pra se si konservatorët do të procedojnë për Brexit”, thotë Mattheew Cole, lektor në Universitetin e Birminghamit për Deutsche Wellen. “Duan ata të jenë pjesë e tregut të brendshëm? Janë të përgatitur të pranojnë lëvizjen e lirë? Kaq shumë çështje ende pezull – pa harruar edhe se kur do të aktivizohet neni 50 i Marrëveshjes së Lisbonës,( E drejta e çdo shteti anëtar të vendosë për tërheqjen nga unioni në përputhje me kërkesat e veta kushtetuese. Shën red.)
Me shumë gjasa konferenca e konservatorëve nuk ka për të ofruar shumë informacione të sakta për hapat e tjerë në drejtim të Brexit. Ajo që dihet është se bisedimet për daljen nga unioni – të parashikuara për dy vjet – do të fillojnë vitin e ardhshëm. Ka spekulime se May pret rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Francë, madje edhe zgjedhjet parlamentare në Gjermani në vjeshtë 2017. Edhe eksperti i Institutit Europian të University College në Londër, Oliver Patel nuk pret shumë të reja nga kongresi, “veç se e gjithë dita e parë do t’i kushtohet Brexit.”
Axhendë e re e Theresa May
Theresa May me ardhjen në detyrë, bëri një shkëputje të dukshme nga paraardhësi I saj, David Cameron, duke larguar gati të gjithë ministrat, që ishin shumë të afërt me Cameronin, zbuti programet e kursimit të Cameron dhe Osborne dhe hoqi disa aspekte të axhendës së tij modernizuese. Shembull më i njohur është plani i saj për kthimin e të ashtuquajturave “Grammar schools” – shkollave elitare në Britaninë e Madhe
Megjithëse kaosi brenda partisë laburiste, ka bërë që konservatorët të punojnë pa pasur përballjen me opozitën, May është e vetëdijshme se partia e saj ka vetëm një mazhorancë të 12 vendeve, gjë e bën shumë të rendësishëm ruajtjen e unitetit brenda partisë. Megjithëse e pozicionuar djathtas për shumë çështje politike, gjuha e Mayt herë pas here tingëllon e krahut të majtë. Fjalimi i saj i parë si kryeministre theksoi mobilitetin social. “Retorika e saj ishte meritokraci dhe nocionin e një vendi që krijon mundësi për të gjithë. Theresa May është e etur për të vënë vulën e saj në mandatin si kryeministre. “Një axhendë politike sociale është një nga projektet e saj, seriozitetin për t’u ndeshur me pabarazinë sociale dhe krijimin e shanseve për këdo”, thekson eksperti Cole. Ndarja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian do të dominojë jo vetëm kongresin e konservatorëve për tre ditë, por edhe përtej tij.