Bota

Sot në mbrëmje hapet pjesërisht aeroporti i Zaventemit

Pas sulmeve terroriste të 22 marsit, aeroporti i Brukselit është gati të rihapet pjesërisht, por fluturimet nuk pritet të fillojnë para mbrëmjes së të premtes.

Aeroporti i Zaventemit ka qenë i mbyllur që kur 2 atentatorë vetëvrasës hodhën veten në erë atje, duke shkaktuar viktima e të plagosur. Në një deklaratë, autoritetet aeroportuale thanë se Zaventemi do të operonte me 20% të kapacitetit normal. Ky njoftim vjen pas testeve disa ditore për një sistem të përkohshëm “check in”-i.

“Kompania e Aeroportit të Brukselit mori autorizimin e shërbimeve zjarrfikëse dhe të autoriteteve të aviacionit civil për një rihapje të pjesshme të fluturimeve për pasagjerët. Aeroporti është teknikisht i gatshëm për rinisjen e fluturimeve me infrastrukturën e përkohshme të “check-in”-it, por deri të premten në mbrëmje nuk do të zhvillohet asnjë fluturim”, thuhet në deklaratën e aeroportit.

Autoritetet shtojnë se sistemi i përkohshëm mund të pranonte deri në 800 pasagjerë në orë, shumë më pak sesa normalisht. Gjithsesi, sqarohet se zona e tërheqjes së bagazheve dhe ajo e mbërritjeve ishte dëmtuar shumë pak dhe se tani ishte gati për përdorim. Më herët gjatë javës, shefi ekzekutiv Arnaud Feist tha se do të duheshin muaj para se aeroporti i Zaventemit të rihapej plotësisht.

Ndërkohë, policia aeroportuale e Brukselit, në një letër të hapur për autoritetet, të publikuar nga televizionit VRT, tha se kishte dërguar sinjale të forta sa i përket sigurisë së përgjithshme në aeroport, shumë kohë para sulmeve. Ajo ankohet se mungonin kontrollet e sigurisë tek pasagjerët apo bagazhet e tyre, nga kompleksi i aeroportit deri tek zona qendrore ku kryhen kontrollet trupore.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga ky autoritet kishte të bënte me të dhënat kriminale të shumë punonjësve të aeroportit. Policia belge po vazhdon kërkimet për gjetjen e personit të tretë që mori pjesë në sulmet e aeroportit. Terroristi, i cili në imazhet e publikuara në media shfaqet me një kapele e xhaketë të bardhë, besohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes pa e shpërthyer eksplozivin në trup. Dy atentatorët e aeroportit që humbën jetën në sulm janë identifikuar si Najim Laachraoui dhe Ibrahim el-Bakraoui. Vëllai i këtij të fundit Khalid el-Bakraoui, hodhi veten në erë në stacionin e metrosë së Malbekut. Gjithsej 32 persona humbën jetën në sulmet e 22 marsit në Bruksel dhe qindra të tjerë u plagosën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button