Spahiu i LSI-së i kujton mazhorancës gënjeshtrat për Rrugën e Arbrit
Deputeti i LSI-së, për Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu në një koment të tij i rikujton mazhorancës premtimin që ka bërë dhe që duhet ta zbatojë deri në zgjedhjet e 2017-ës, atë të ndërtimit të rrugës së Arbrit.
Ky reagim vjen në një moment kur edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nga një takim me strukturat e partisë në Dibër, risolli në vëmendje këtë premtim të së majtëve para së të vinin në pushtet.
“Me qenë dibran, edhe jo fort i mençur, kupton se fushata elektorale për Zgjedhjet 2017, tashmë ka nisur. Pavarësisht rrugës së vështirë dhe të gjatë për të mbërritur deri atje, shumë politikanë, jashtë dhe brenda Kuvendit, nuk po pyesin më as për makina, dhe as për karburant. Me qenë dibran, qoftë edhe për një ditë, tashmë që po vjen fushata, ia vlen barra qeranë. Mjafton që t’u përmendësh njerëzve, kudo ku ajo duhet të kalonte, Rrugën e Arbrit. Por me qenë dibran, pas gati dy dekadash premtimesh, zor se të beson njeri. Madje as unë që kam “gënjyer” veten një herë, kur garoja për deputet në zgjedhjet e kaluara parlamentare, nuk më takon të mashtrohem më. Rruga e Dibrës (jo kjo e Tiranës) vazhdon të jetë po ajo, sikurse politikanët e të gjitha ngjyrave, që një herë në katër vite, detyrohen të bëhen dibranë për një ditë. Duke premtuar pa u lodhur dhe deri në turp, po Rrugën e Arbrit…Disa nga ne, sikurse edhe kolegu im i PBDIU-së dje, nuk kemi asnjë faj për “gënjeshtrat” e vjetra, por hir të atyre që janë thënë deri tani, nuk na takon të premtojmë më!”, shkruan deputeti i LSI-së.
Ai propozon këtu një rezolutë për të miratuar sa më shpejt këtë rrugë. “O sa mirë me qenë dibran…me qenë e vërtetë, duhet të bëhet e vërtetë, sëbashku me Rrugën e Arbrit. Sa pa filluar mirë fushata, të paktën Ne deputetëve të Kuvendit, na takon të kërkojmë urgjentisht realizimin e saj. Këtë herë me një rezolutë të përbashkët, të gjitha forcat politike, të vendosim ndërtimin e saj, me të gjitha sforcot financiare, llojet e koncensioneve apo partneritetit me privatët. Rruga e Arbrit kushton shumë më shumë, e pandërtuar. Pa folur për kostot morale, që prej dy dekadash vazhdojnë të njollosin të gjithë klasën politike shqiptare. Rruga e Arbrit është gënjeshtra më e madhe e tranzicionit shqiptar dhe banorët e Matit, Bulqizës e Dibrës, meritojnë premtime të tjera në 2017-ën. Kush është dibran dhe prej andej nga kalon Rruga e Arbrit, nuk na beson më. Sa pa nisur mirë fushata, të votojmë në Kuvend ndërtimin e saj”, ka thënë Spahiu.