Stefan Fyle: “Nëse darka e Krokodilit do të përfundonte me sukses, Shqipëria do të kishte progres”
Këshillat e Komisionerit para largimit për Ramën dhe Bashën
Darka në Strasburg – Në maj të 2010-s, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes mazhorancës së drejtuar nga Berisha dhe opozitës së drejtuar nga Rama, BE-ja organizoi një darkë mes dy liderëve kryesorë të politikës, me qëllim sheshimin e konflikteve dhe arritjen e një kompromisi politik. Darka e shtruar në restorant “Krokodil” në Strasburg nuk pati asnjë rezultat konkret, pasi nuk pati një marrëveshje Rama-Meta.
Në një intervistë të fundit përpara largimit nga detyra, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, rrëfen për “Top Channel” historinë e marrëdhënies se tij me Shqipërinë, me politikanët shqiptarë në qeveri dhe opozitë. Stefan Fyle thotë se darka e famshme e “Krokodilit”, nëse do të kishte arritur në një marrëveshje, mund të kishte ndryshuar Shqipërinë.
Në mënyrë të përmbledhur, mandati juaj u shenjua nga darka e “Krokodilit”, thënë ndryshe dështimi ndaj bojkotit të opozitës, shpërthimi në Gërdec me 26 viktima, sakrifikimi i ish të burgosurve politikë të regjimit komunist dhe 21 janari, ku u vranë 4 demonstrues nga autoritetet shtetërore, pa përmendur zgjedhjet, që për ju rezultonin dy fitues pa përcaktuar palën qeverisëse. Megjithëse 21 janari mbetet ngjarja më e rëndë për një shoqëri demokratike, qëndrimi i BE-së ishte i paqartë. A mendoni se ju mund të kishit ndikuar për një ecuri më të mirë të këtyre ngjarjeve, nëse Rama dhe Berisha do t’i ishin përgjigjur pozitivisht letër-kërkesës suaj për t’u ftuar në 2011-n?
Ka qenë gjithnjë ky potencial në Shqipëri, mes qytetarëve shqiptarë dhe mendoj, edhe mes politikanëve shqiptarë. Pajtohem me ju se nëse kjo darka e ‘Krokodilit’ do të rezultonte me të vërtetë pozitive në atë kohë, ne do të kishim parë një progres edhe më të mirë sot. Ndonjëherë, përpiqesh të bësh më të mirën e mundshme. Mundohesh të krijosh kushtet për të tjerët që të merren vesh, por në disa raste, kjo nuk varet nga ty. Unë po mundohem të shoh përpara, më shumë sesa të shpenzoj kohën për të vështruar nga e kaluara për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, përgjigje që edhe po ta dija, sidoqoftë, nuk do të ndryshonte shumë gjëra. Në fakt, raporti aktual i progresit mbi Shqipërinë, nuk flet vetëm për 12 muajt e fundit, por dhe për të ardhmen e Shqipërisë në 12 muajt në vijim, e madje dhe për 5 vitet e ardhshme kur të vijohet nga Johannes Hahn.
Veçanërisht pas këtij raporti, ju çmoheni më shumë nga qeveria se sa nga opozita. Si do ta përshkruanit Kryeministrin Rama? A po ndjek ai qasjen e duhur ndaj opozitës?
Nuk më takon mua të gjykoj, nëse ky apo ai kryeministër trajton siç duhet këtë, apo atë opozitë. Absolutisht, jo. Por, ju e dini se jam munduar që t’u them politikanëve shqiptarë se sapo të vini në qeveri si pasojë e zgjedhjeve, ju lutem, përpiquni të silleni me opozitën, ashtu sikundër do të donit që kundërshtari juaj politik të sillej me ju, nëse radhës tjetër do të ishit në opozitë. Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Ju më pyesni tani për marrëdhënien jo të lehtë mes shumicës dhe pakicës, sepse ne po flasim për një rajon të Europës, ku ekziston ndjesia se sapo të fitosh zgjedhjet, merr gjithçka dhe çdo gjë bëhet e jotja. E, në fakt, nuk ndodh kështu. Demokracia ka rregullat e saj. Një nga këto rregulla është se për të pasur demokraci të fortë, nevojitet një opozitë e fortë demokratike. Për opozitën që të jetë e fortë dhe konstruktive, ju duhet të krijoni kushtet. Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë vërejta pak hapje. Kam dëgjuar se ka të paktën disa kërkesa të formuluara qartë, të cilat do t’i mundësonin opozitës që të kthehej sërish. Ato lidhen mjaftueshëm me çfarë kemi trajtuar dhe është shumë i rëndësishëm funksioni i kontrollit të opozitës në Parlament, ndaj dhe shpresoj shumë se ky përbën me të vërtetë një hap pozitiv. Kjo faktikisht është e dyanshme. Kryeministri sinjalizoi mjaft qartë se ai është i gatshëm për të luajtur rolin e tij për të siguruar që opozita t’i bashkohet Parlamentit.
A mendoni se qeveria “Rama” mund t’i përmbushë reformat për nisjen e negociatave?
Unë besoj se ata politikanë u zgjodhën nga qytetarët shqiptarë për të formuar qeverinë që do të jetë në gjendje për të kryer ato reforma. Absolutisht! Meqë ra fjala, ju e nisët me një numër elementesh negative. Por, unë do të shtoja se zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kalimi i butë i pushtetit, rivendosja e konsensusit ndërmjet partive kryesore politike në dobi të agjendës europiane dhe hapat konkrete në reformat e mbështetura nga kjo qeveri, por të nisura dhe nga qeveria e mëparshme kur ishte në pushtet, dhanë rezultate për statusin kandidat.
Kreu i opozitës, Basha, ka deklaruar se PD i sheh vlerat europiane tek komisioneri i ri Hahn, duke refuzuar madje dhe që t’u përgjigjet dy letrave tuaja të deritanishme për ftesë. Keni ndonjë koment për këtë?
Kam një koment, në fakt. Për mua ishte shumë e rëndësishme, në kuptimin e përgjithshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe, sidomos për zgjerimin, që të luaja një rol bipartizan, apo që të garantoja se kjo politikë është bipartizane. Nuk është sekret se jam i asociuar ndaj grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian. Nuk jam socialist. Por, çfarëdo kam bërë në pesë vitet e fundit, gjatë ushtrimit të detyrës sime, kjo lloj përkatësie ishte me të vërtetë gjëja e fundit për nga rëndësia. Përkundrazi, isha unë ai që mblodhi, pikërisht, në restorantin “Krokodil” përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha kryesore politike dhe, për dijeni, jam unë ai që u kam thënë të dy palëve, PPE-së dhe socialdemokratëve, se ju keni përgjegjësi të veçantë për të punuar së bashku. Keni një përgjegjësi të veçantë që, në vend që të bëni lojën partiake politike me Shqipërinë dhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, t’i sillni bashkë ata për të mbështetur axhendën europiane, sepse kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të krijuar nxitjen e duhur dhe shembullin e mirë për vetë ato parti politike. Unë nuk kam humbur kurrë rastin për të folur me opozitën. Nuk kam humbur kurrë mundësinë për të dëgjuar ankesat, vërejtjet dhe propozimet e tyre. Kam kujtime të mira për shumë prej tyre që ndërvepronin me mua, ndonjëherë i përkisnin këtij grupi politik e ndonjëherë tjetrit. Është vetëm për të ardhur keq që në disa raste, pavarësisht përpjekjeve të mia, komunikimi dhe dialogu nuk kanë qenë mjaft veprues.
Çfarë mundësish shihni te qeveria për të afruar opozitën, ndërkohë që taktika e bojkotit vazhdon ende në politikën shqiptare?
Ky është një element i ri në këtë raport-progresi, sepse kemi qartësuar disa pika. Së pari, puna jashtë Parlamentit është një mesazh i madh dhe i rëndësishëm politik, por, si i tillë, vështirë se kontribuon për një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet që ngre pakica. Një tjetër pikë, që ne mundohemi të theksojmë, është fakti se është në interes të qeverisë që opozita të luajë rolin e saj, të kryejë kontrollin e saj brenda Parlamentit dhe të mos i nxjerrë çështjet e saj në rrugë. Por, nuk është vetëm në interesin e qeverisë, e cila duhet të krijojë kushtet për këtë, dhe kjo është një nga pyetjet që shtrova gjatë takimit të fundit të Dialogut të Nivelit të Lartë. Kemi dëgjuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni kërkesën e opozitës për të ngritur komision hetimor parlamentar. Pse ka kaq shumë vonesa? Përse të mos i ofrohet opozitës mundësia që të ushtrojë funksionin e saj të kontrollit në demokraci? Por, ka gjithashtu përgjegjësi për opozitën. Një nga përgjegjësitë e opozitës është se brenda këtij kuadri dhe këtyre kushteve, duhet të ushtrojë me konstruktivitet rolin e saj, duke bërë të qarta çështjet e saj në Parlament për ta forcuar këtë institucion që është ndër më të rëndësishmit në vend, më shumë se sa t’i nxjerrë këto raste në rrugë. Së fundi, ishte interesante të shihje se në mungesë të opozitës në Parlament, ne patëm një debat shumë të mirë në Dialogun e Nivelit të Lartë. Meritat për këtë i shkojnë Kryeministrit Rama dhe ish-ministres së Integrimit, Bregu, tashmë kryetare e Komisionit të Integrimit, sepse të dy palët, qeveria dhe opozita, përdorën këtë platformë për të ndërvepruar mbi axhendën europiane. Nuk do të thotë se kemi pasur gjithnjë biseda të qeta. Nuk kemi pasur gjithmonë marrëveshje, përkundrazi, plot diskutime, ndonjëherë shumë të hapura e mjaft të sinqerta. Por, kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne po kërkojmë për platformën e duhur të gjithëpërfshirjes për reformat. Qeveria ka plotësisht të drejtë kur thotë se u zgjodhëm mbi bazën e programit tonë, dhe programi ynë bazohet në seriozitetin e hapave që ndërmerren për reformat dhe ne tani duam ta zbatojmë atë. Kjo është mënyra se si duket. Por që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe të marrin në konsideratë pikëpamjet e sa më shumë qytetarëve që të jetë e mundur, ju nevojitet procesi gjithëpërfshirës. Ju nevojitet ta dëgjoni opozitën. Ju nevojitet të angazhoni shoqërinë civile. Ju nevojitet të reflektoni mbi sugjerimet e tyre e kështu me radhë. Kjo nuk ju cenon të drejtën dhe përgjegjësinë për të drejtuar vendin.
Gjatë viteve 2007-2013, BE shpenzoi më shumë se gjysmë miliard euro për të ndihmuar Shqipërinë për reformat në tërësi. A mendoni se janë shpenzuar siç duhet këto para, sidomos kur vërejmë gjetjet e raportit për sa i takon reformës së administratës publike dhe gjyqësorit?
Çdo qindarkë që ka për qëllim të sjellë vendin pranë standardeve të BE-së, mund të jetë një shpenzim i mirë. Siç e dini, ne kemi sistemin tonë strikt për të garantuar se paratë e BE-së me të vërtetë shpenzohen në mënyrën më efikase dhe se pasohen nga rezultate konkrete. Tani, çështja e gjyqësorit është shumë e rëndësishme. Kjo është një fushë ku qeveria ka një ide të qartë për mënyrën se si do të procedojë me reformën. Kjo përbën gjithashtu një fushë ku ne kemi vetëm një rekomandim të qartë, e cila është: “Ju lutem sigurohuni se, së pari, ju bazoheni në ekspertizën e Komisionit të Venecias së Këshillit të Europës dhe këshilloni ekspertët e Komisionit Europian dhe, së dyti, edhe më e rëndësishme, është që të garantoni se është gjithëpërfshirës”. Sigurohuni se opozita është pjesë e saj dhe konsultoni shoqërinë civile. Atje janë marrë disa hapa pa përfshirjen e Komisionit të Venecias, pa konsultuar opozitën dhe mendoj se është e rëndësishme që në një fazë të dytë, qeveria ta bëjë këtë sa më gjithëpërfshirës që të jetë e mundur. Më 6 tetor, konferenca shumë e rëndësishme që u organizua nga Presidenti dhe ministri i Drejtësisë, mendoj se ishte një shembull i mirë se aktualisht është i mundshëm një bashkëpunim dhe kjo mund të jetë ekstremisht e dobishme. Këtu ka dhe një pikë tjetër të rëndësishme. Rezultati më i rëndësishëm në tryezën e fundit të dialogut të nivelit të lartë ishte se ne ramë dakord se në grupin e punës mbi reformën e gjyqësorit, edhe opozita do të marrë pjesë, jo për të zëvendësuar punën që duhet bërë në Parlament, por si një platformë e shtuar për ndërveprimin mes qeverisë, opozitës, palëve të tjera të interesuara dhe Komisionit të Venecias e KE-së.
Atmosfera e asaj konference të organizuar në Tiranë për gjyqësorin dukej e polarizuar. Si mendoni se kjo do të ndikojë për çeljen e negociatave, dhe a besoni se ky proces mund të nisë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s?
Për sa i takon perspektivës në të ardhmen, kjo nuk varet shumë nga komisioni. Kjo më së shumti, është në duart e politikanëve shqiptarë dhe të palëve të tjera të përfshira. Ne jemi këtu për të krijuar mundësitë. Dialogu i nivelit të lartë shërben për të qartësuar se çfarë mbetet për t’u bërë, duke ju ndihmuar që të punoni mbi pesë prioritetet kyçe, duke afruar aktorë të tjerë si Komisioni i Venecias dhe duke u siguruar se e gjitha kjo përbën një proces gjithëpërfshirës. Ne ju ndihmojmë me gjithë mundësitë tona, pa folur për paratë e çështje të tjera. Pyesni politikanët tuaj. Pyesni ata që janë në qeveri. Pyesni ata që janë në opozitë. Kur do të japin rezultate ata mbi ato pesë përparësitë kyçe? Kur duan ata që të nisin bisedimet për anëtarësim? Kur e shohin ata Shqipërinë si pjesë të Bashkimit Europian?
Që nga koha që ju morët detyrën, vendi vijon të mos përmbushë detyrimin e MSA-së për të drejtën e autorit, nuk ka zgjidhur çështjen e pronave, mbeten ndërhyrjet politike mbi median dhe kërkesa për hetime proaktive me dënime për korrupsionin në nivel të lartë. Sa larg është Shqipëria nga praktika europiane?
Nuk është fjala për standarde europiane. Janë pesë përparësi kyçe ku aktualisht përfshihen çështjet që ju numëroni. Askush nuk pret që Shqipëria të përputhet plotësisht me praktikën e Bashkimit Europian, përpara se të bëhet anëtar, apo dhe përpara se të nisë negociatat e anëtarësimit. Ajo që ne duam të shohim është përparim i vazhdueshëm. Ne duam të shohim progres mbi çfarë kemi rënë dakord në përkufizimin e atyre pesë prioriteteve kyçe, në mënyrë që Komisioni të jetë në gjendje t’u rekomandojë vendeve anëtare hapjen e negociatave. Pastaj do të kemi kohën e ekzaminimit në ato fusha dhe kjo do të zgjasë për më shumë se një vit. Më pas, do të vijë koha e negociatave të anëtarësimit, për sa i takon varësisë për të hapur kapitujt, që do të zgjasë për disa vite dhe, përgjatë kësaj kohe, ne do të presim që Shqipëria të dorëzojë plotësisht në ato fusha. Kështu që, të shohësh se në krye të rrugës ka një qëllim, është e rëndësishme. Ju nuk duhet të humbisni qëllimin nga përpjekjet tuaja përgjatë kësaj rruge. Por, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të fokusoheni për ndalesat më kryesore dhe që për momentin është dhënia mbi ato pesë prioritete kyçe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Pavarësisht ndihmës së Komisionit Europian apo të të tjerëve, kjo varet nga ju. Nuk ka kalendar artificial në këtë zyrë dhe nuk ka për të pasur ndonjë kalendar artificial në zyrën e Johannes Hahn. Ju premtoj se kalendari i vetëm që Shqipëria mund të ofrojë është në duart e politikanëve shqiptarë dhe palëve të tjera të përfshira.