Stoltenberg: Erdogan do të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO
Në një konferencë për shtyp, ai tha se presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, do ta përcjellë ofertën e Suedisë në parlamentin turk dhe “të sigurojë ratifikimin”.
Më parë, Erdogan kishte deklaruar se Turqia do të mbështeste Suedinë nëse Bashkimi Evropian do të rihapte bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë. Ishte hera e parë që Erdogan e lidhi ambicien e vendit të tij për t’u bashkuar me BE-në, me përpjekjet e Suedisë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Turqia vazhdimisht e ka kritikuar Suedinë për pritjen që ajo u ka bërë militantëve kurdë.
Erdogan dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, u takuan të hënën pasi arritën në Vilnius, ku krerët e NATO-s do të takohen gjatë dy ditëve të ardhshme për të diskutuar një mori çështjesh, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e ardhshme të NATO-s me Ukrainën.
“Me kënaqësi njoftoj se pas takimit që zhvillova, Presidenti Erdogan ka rënë dakord t’ia përcjellë protokollin e pranimit të Suedisë Asamblesë së Madhe Kombëtare sa më shpejt, dhe të sigurojë ratifikimin. Ky është një hap historik që i bën të gjithë aleatët e NATO-s më të fortë dhe më të sigurtë“- shkroi Stoltenberg në Twitter.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.