Politika

Stoltenberg takon Ramën: Shqipëria, rol kyç për paqen dhe stabilitetin

Angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s kundër terrorizmit ka qenë në fokus të takimit të zhvilluar këtë të enjte në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, kryeministri Rama ka deklaruar se, Shqipëria ka mjetet e duhura për ta vijuar kontributin e saj për paqen në radhët e Aleancës dhe ka nënvizuar se, miratimi i Strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit është një hap përpara në luftën me kërcënimin që vjen nga Shteti Islamik.

“Ne ndajmë shqetësimin me gjithë anëtarët e Aleancës për kërcënimin serioz që paraqet terrorizmi, i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare, në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara, ndërkohë që njëlloj zotërojnë vullnetin, mundësitë dhe kapacitetet për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar atë që Papa Françesku e quan lufta e tretë botërore”, ka deklaruar Rama.

“Miratimi së fundmi i Strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm është një tjetër hap që ne bëmë si pjesë e kësaj përpjekjeje kundër së keqes, sepse ne besojmë që qasja për të luftuar jo vetëm shfaqjen e kësaj të keqeje aty ku ajo është mishëruar fizikisht por edhe shkaqet më të thella të saj është qasja e duhur për të zhvilluar në këtë rrugë, një proces nga ky bota jonë e lirë të dalë më e fortë”, ka vijuar shefi i qeverisë.

Nga ana tjetër, Rama i ka shprehur sekretarit mirënjohjen e Shqipërisë për faktin që NATO mori një tjetër “vendim historik”, atë për të ftuar Malin e Zi.

“Sepse zgjerimi i NATO-s në hapësirën tonë është zgjerim i hapësirës së lirisë, paqes dhe demokracisë së mbrojtur. Dhe aq sa ne mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi, po aq jemi mbështetës të vijimit të këtij procesi me vendet e tjera të rajonit që aspirojnë të integrohen në Aleancë”, ka thënë Rama.

Në këtë kontekst, është shprehur ai, Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë mundësinë e afrimit dhe institucionalizimit të marrëdhënieve mes NATO-s dhe Kosovës. “Bindja jonë është se në këtë rajon nuk duhen lënë zona gri dhe duhen eleminuar potencialet që mund të shfrytëzohen nga e keqja me të cilën përballemi bashkarisht”, ka shtuar Rama.

Në zbatim të angazhimeve të samitit të Uellsit, kryeministri ka nënvizuar se, edhe pse në kushte jo të lehta ekonomike e financiare, qeveria ka frenuar trendin në rënie të buxhetit të mbrojtjes dhe madje ka mundësuar rritjen e tij në vitin 2016, si dhe ka hartuar një formulë ambicioze sa i takon shpenzimit për modernizimin e mbrojtjes.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm Stoltenberg e ka vlerësuar Shqipërinë si një anëtar të rëndësishëm të NATO-s dhe ka nënvizuar se vizita e tij në Tiranë ka qenë një mundësi e mirë për të diskutuar mbi zhvillimin e bashkëpunimit.

“Lavdëroj Shqipërinë për angazhimin shumë të fortë për Aleancën dhe sigurinë tonë të përbashkët, për kontributet në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Kosovë, si dhe për asistencën që ka ofruar dhe po ofron për të ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në Ukrainë dhe Gjeorgji”, ka deklaruar Stoltenberg.

Gjithashtu, ka vijuar ai, “vlerësojmë atë që ju po bëni kur bëhet fjalë për të ruajtur stabilitetin e Ballkanit perëndimor”. “Ju luani një rol kyç, kështu që për mua është e rëndësishme të shohim se si mundd të vazhdojmë përballjen me sfidat në Afganistan, Kosovë, Ukrainë e Gjeorgji, por edhe në Ballkan e më gjerë”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka vlerësuar se, përmes bashkëpunimit me fqinjët Shqipëria ofron një kontribut të gjerë për rajonin. “Ju falenderojmë edhe për qëndrimin tuaj në lidhje me politikën tonë të dyerve të hapura. Vetëm pak ditë më parë ne vendosëm të ftonim Malin e Zi për t’u bërë anëtari i 29. Ky vendim pasqyron angazhimin e NATO-s për t’i mbajtur dyert e hapura, angazhimin ndaj stabilitetit në Ballkan dhe atë për të plotësuar vizionin tonë për një Europë të lirë dhe në paqe. Shqipëria ka pasur një rol kyç në këtë proces. Shumë faleminderit”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm ka vënë në dukje gjithashtu se, siguria e Europës po sfidohet në drejtime të ndryshme dhe NATO, sipas tij, po i kundërpërgjigjet kërcënimeve duke iu përshtatur një mjedisi të ri sigurie.

“Ne po rrisim gatishmërinë e forcave tona, kemi një forcë dyfish më të madhe të reagimit dhe kemi një prani ushtarake të rritur në lindje të Aleancës. Gjithashtu po ofrojmë mbështetje për partnerët në lindje dhe jug. Të gjithë aleatët e NATO-s janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIL dhe mirëpres kontributin e Shqipërisë këtu”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka nënvizuar se, ky nuk është një konflikt mes Islamit dhe Perëndimit, por mes ekstremizmit dhe shoqërive të hapura, “ndaj ne duhet të çohemi në mbrojtje të vlerave tona, të luftojmë ekstremizmin së bashku”.

“Përshtatja e vazhduar ushtarake e Aleancës mbetet e një rëndësie kyçe”, ka vlerësuar më tej Stoltenberg, duke shtuar se, “duhet të investojmë për mbrojtjen tonë, sikurse u vendos në Uells vitin e kaluar”.

“E kuptoj vështirësinë ekonomike me të cilën Shqipëria është përballur, ndaj e vlerësoj edhe më shumë faktin që keni vendosur të rrisni shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2016. Ju inkurajoj të vazhdoni në këtë drejtim”, ka shtuar numri 1 i NATO-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button