Studentët duhet të çregjistrohen dhe ta gjejnë vetë universitetin e ri
Vendimi
Ministria do të ndërhyjë vetëm kur është e nevojshme
Nga Shpresa Mezini
Studentët që tashmë kanë mbetur “pa universitet”, do të duhet të bëhen të zotët e vetes që të gjejnë zgjidhje për t’u regjistruar në një tjetër universitet, publik apo privat. 6 mijë studentët e prekur do të duhet të shkojnë në sekretaritë përkatëse të universiteteve private, ku janë regjistruar, për të tërhequr dosjet me dokumentacionin e dorëzuar në momentin e pranimit. Ndërsa pas kësaj, duhet të nisin kërkimet për t’u transferuar në një prej universiteteve publike ose private të vendit. Por kjo, në varësi të mesatares së secilit prej tyre, pasi për t’u pranuar në universitetet publike, duhet të plotësosh disa kushte, një prej të cilave është edhe mesatarja. Fakt ky që ka tronditur në masë studentët, pasi notat e tyre në universitetet private janë të ulëta, rrjedhimisht jo të mirëformuar, kritere që duhen plotësuar me patjetër për të qenë pjesë e auditorëve të universiteteve publike. Të paktën kështu sqarojnë burime në Ministrinë e Arsimit, sipas të cilëve, studentët duhet ta zgjedhin vetë universitetin ku do të vijojnë studimet e larta, ndërsa ministria do të ndërhyjë vetëm në ato raste, kur të rinjtë do të përballen me probleme. Në një situatë si kjo, studentët kanë frikë t’i drejtohen publikut, duke pasur parasysh se pjesa më e konsiderueshme e tyre janë regjistruar në universitetet private, tanimë të mbyllura, pikërisht sepse nuk zhvillohej mësim ose sepse një notë kaluese merrej me para, ndërsa përballja me publikun do të ishte fatale për ta. Por kjo nuk mbetet e vetmja arsye, një tjetër shqetësim janë edhe tarifat e larta të përcaktuara nga universitetet private që do të vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Shumë studentë, përveç se kanë zgjedhur privatët vetëm e vetëm për të siguruar një diplomë, pa pasur si qëllim në vetvete formimin e tyre intelektual, ishin regjistruar në universitetet private, tashmë të mbyllura edhe për shkak të tarifave vjetore, që për ta konsideroheshin të përballueshme. Ndërsa me mbylljen e tyre ata do të detyrohen të paguajnë më shumë para, pasi universitetet private në treg kanë pagesa të larta vjetore, fakt që ose do t’i detyrojë t’i sigurojnë këto para me çdo kusht ose do të mbeten pa shkollë të lartë.
E megjithatë, nuk dihet ende sesi do të zgjidhet amullia e krijuar në radhët e studentëve, pasi vetëm dy ditë më parë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, premtoi se dosjet e studentëve do të analizohen me përpikëri dhe se grupet e punës të ngritura në MAS do të ndihmojnë për konkretizimin e procedurave, pa dëmtuar asnjë student. “Të gjithë studentëve të atyre 18 institucioneve që nuk vijojnë të funksionojnë më si institucione të arsimit të lartë në vend, ne do t’u garantojmë shkollimin e tyre, së pari në institucionet e arsimit të lartë publik në rajonet nga ata vijnë. Ekipi ynë po vijon punën për hartimin e të gjitha modaliteteve dhe procedurave sesi ne do ta trajtojmë qartësisht masën e 6 mijë studentëve që preken nga ky vendim”, premtoi ministrja e Arsimit. Nikolla ritheksoi se në Ministrinë e Arsimit është ngritur tashmë grupi i ekspertëve që po merret me organizimin e procedurave që do të ndjekin studentët e mbetur pa universitet, për këtë arsye askush nuk duhet të shqetësohet. “Po vijojmë me masat për të menaxhuar gjithë situatën që lidhet me vijueshmërinë e studimeve për të gjithë studentët e 18 institucioneve që u hiqet licenca. Kemi një plan konkret për t’i sistemuar në institucionet e arsimit të lartë 5820 studentët që preken nga ky vendim. Një grup pune do të merret me përcaktimin e të gjitha modaliteteve. Për të gjithë studentët që janë diplomuar në këto institucione, garantojmë atë që ligji e njeh si parimin e sigurisë juridike që kjo vendimmarrje nuk ka fuqi prapavepruese. Por, nëse në vijim rezultojnë diploma të falsifikuara, ne nuk do të vazhdojmë në rrugën e mashtrimit”, sqaroi ministrja e Arsimit.
Keqkuptimi
Filialet e UT-së, nuk do të mbyllen, por do të pezullohen
Akademia e Arteve në Shkodër dhe filialet e Universitetit të Tiranës në Kukës, Sarandë, Peshkopi, Pogradec, Lushnjë dhe Gjirokastër nuk do të mbyllen. Pavarësisht se të listuara në tabelat ku renditeshin emrat e universiteteve që do të mbyllen, mësohet se në këtë pikë ka një keqkuptim. Për rrjedhojë, 6 filialet publike të Universitetit të Tiranës dhe Akademia e Arteve në Shkodër nuk do të mbyllen, por do të pezullohen përkohësisht. Në këtë rast, ndëshkimi ka të bëjë me një periudhë kohore dyvjeçare për mospranimin e studentëve të rinj, afat që do t’u vihet në dispozicion universiteteve për të përmbushur mangësitë e nevojshme, deri në plotësimin e kushteve. Ndërkohë, burime në Ministrinë e Arsimit saktësojnë se për universitetet, aktiviteti i të cilave do të pezullohet përkohësisht, nuk do të pranohen studentë të rinj vitin e ardhshëm akademik, ndërsa ata që janë në ndjekje e sipër të studimeve, do të vijojnë mësimin normalisht deri në përfundimin e ciklit.