Sulm tragjik ndaj spitalit në Darfur: Dhjetëra të vrarë, mes tyre edhe fëmijë
OBSH: Mbi 2,000 viktima nga sulmet ndaj objekteve shëndetësore gjatë luftës në Sudan
Një sulm ndaj një spitali në rajonin Darfur të Sudanit ka shkaktuar të paktën 64 viktima, përfshirë 13 fëmijë, sipas kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në një postim në rrjetet sociale, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se mes viktimave në sulmin ndaj Spitalit Mësimor Al Deain, në qytetin Al Deain – kryeqyteti i shtetit Darfur Lindor – ishin edhe pacientë, dy infermiere dhe një mjek.
Nga sulmi, i cili ndodhi të premten në mbrëmje, u plagosën edhe 89 persona të tjerë, përfshirë tetë punonjës të personelit shëndetësor.
Sulmi ka dëmtuar rëndë repartet e pediatrisë, maternitetit dhe urgjencës, duke e bërë spitalin jashtë funksionit dhe duke ndërprerë shërbimet jetike për qytetin.
Sipas OBSH-së, numri total i viktimave nga sulmet ndaj objekteve shëndetësore gjatë luftës në Sudan ka kaluar tashmë shifrën 2,000. Gjatë konfliktit afro trevjeçar mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake Rapid Support Forces (RSF), janë konfirmuar 2,036 të vrarë në 213 sulme ndaj sektorit shëndetësor.
Deri më tani nuk ka informacion të menjëhershëm mbi autorët e këtij sulmi.
Lufta në Sudan shpërtheu në mesin e prillit 2023 dhe ka shkaktuar një nga krizat humanitare më të rënda në botë, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe mbi 12 milionë persona të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Të dyja palët ndërluftuese janë akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa forcat RSF janë përfshirë në mizori në Darfur që, sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, mbajnë shenja të gjenocidit.
“Mjaft gjak është derdhur. Mjaft vuajtje janë shkaktuar,” u shpreh Tedros, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e civilëve, punonjësve shëndetësorë dhe organizatave humanitare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.