Maqedonia

Sulmi në stacioni policor në Goshincë, incident i montuar?

Pas incidentit në Gushincë Kanë reaguar edhe ekspertët e sigurisë, që besojnë se ngjarja e Goshincës mund të jetë përpjekje për tërheqjen e vëmendjes nga kriza politike.

Policia e ka quajtur “sulm terrorist” incidentin, për të cilin njoftoi të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit (21.04.2015) në pikën kufitare në fshatin Gushincë të Komunës së Likovës, pavarësisht se nuk ka pasur as krisma e as të lënduar. Sipas versionit të policisë një grup prej rreth 40 personash, me uniformë të UÇK-së dhe armatim të rëndë, kanë hyrë nga Kosova dhe kanë marrë nën kontroll pikën kufitare, duke mbajtur peng edhe 4 policët maqedonas. “Maqedonia ishte shënjestër e një sulmi terrorist. Rreth orës 2:30 pas mesnate një grup i madh prej rreth 40 personash sulmuan kullën kufitare të Gushincës në afërsi të kufirit verior. Personat kanë qenë të armatosur me uniforma dhe maska me shenja të UÇK-së, si dhe kanë folur shqip mes tyre. Gjatë sulmit janë mbajtur peng 4 policë, të cilët në atë moment kanë qenë kujdestarë në pikën e kontrollit”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Gjithnjë sipas Kotevskit grupi i armatosur është tërhequr, duke iu lënë afat gjysmë ore, që edhe policët të linin pikën e kontrollit.

Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së
Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB së Maqedonisë.

Duraku: Nuk kemi vërejtur grupe të dyshimta

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, zyra e të cilit gjendet dhjetë kilometra nga vendi i incidentit, thotë se nuk ka informacione se persona të armatosur kanë qëndruar në rajonin e Karadakut të Kumanovës. “Ne si këshill komunal do të kërkojmë nga MPB ndriçimin e këtij incidenti. Ne nuk kemi informata, që persona të armatosur janë vërejtur në fshat. Në komunë nuk është paraqitur askush të ankohet për diçka të tillë”, thotë kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku .

Partitë politike me apel për qetësi

Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në koalicionin qeveritar, përmes një kumtese me shkrim reagoi ndaj incidentit në Goshincë. Sipas BDI-së, ato dëmtojnë rëndë axhendën e shqiptarëve në Maqedoni.
“Ky incident dëmton axhendën e shqiptarëve në Maqedoni, në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi. BDI fton qytetarët, që të mos te shqetësohen dhe mos te bien pre e provokimeve të tilla”. BDI kërkon nga institucionet kompetente, që të marrin përgjegjësi për të garantuar siguri për qytetarët dhe sa më parë të zbardhin këtë rast.

VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim e dënon këtë akt terrorist, i cili ka për qëllim destabilizimin e Maqedonisë
“I ftojmë institucionet, që në mënyrë të vendosur të veprojnë për zbardhjen e këtij rasti dhe ta sigurojnë ligjin, sigurinë dhe stabilitetin. Të gjithë bartësit politikë, individët dhe partitë duhet që në mënyrë të përgjegjshme të veprojnë në këto momente, të përmbahen nga manipulimet dhe të mos nxisin tensione për qëllime të ngushta partiake dhe personale”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Lëvizja BESA e dënon ashpër incidentin në Goshincë dhe i fton të gjitha subjektet relevante vendore dhe ndërkombëtare për qetësimin e situatës dhe izolimin e grupeve destabilizuese. Lëvizja BESA në këtë sulm vëren një inskenim të radhës për zhvendosjen e vëmendjes dhe krijimin e gjendjes së tensionuar, që në fund kjo të kthehet në përfitim politik për subjekte të caktuara në Maqedoni.

LSDM-ja opozitare ka dënuar sulmin në stacionin policor në Gushincë të Komunës së Likovës. Nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski, vlerëson se incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale. Remenski thotë se të gjithë ata, që ndihmojnë këtë skenarë, janë bashkëpunëtorë në tentativën për shfajësimin e pushtetit nga veprat e mundshme kriminele, që po zbardhen me anë të bombave të opozitës.
“Tentativa për të përfshirë Maqedoninë në konflikt etnik të paguar, drejtuar dhe iniciuar me vetëdijesi skenarë për shmangien e pushtetit nga përgjegjësia penale, është akt tradhtar dhe anti-shtetëror i të gjithë të përfshirëve kundër popullit dhe shtetit të vetë”, vlerëson Frosina Remenski, nënkryetare e LSDM-së.

Analistët: Kujdes me marrëdhëniet ndëretnike

Ekspertët e sigurisë besojnë se ngjarja e Goshincës mund të jetë përpjekje për tërheqjen e vëmendjes nga kriza politike. Eksperti për çështje të sigurisë, Ivan Babanovski, ka hedhur poshtë insinuatat e MPB-së se sulmi është bërë nga shqiptarët . “Këtë skenar nuk e mbështesin pjesa më e madhe nga rradhët e BDI-së. Përcillini këto ngjarje dhe gjeni vetëm një njeri në Maqedoni, që do të besojë në këtë punë dhe lojëra qesharake”, thotë eksperti për siguri, Ivan Babanovski.

Edhe opinionisti Milazim Mustafa thotë, se ky incident i ngjan më shumë një ngjarjeje të fabrikuar, se sa një sulmi të organizuar nga ndonjë formacion i uniformuar. “Qytetarët u shqetësuan nga ky incident, sidomos pas komenteve të ditëve të fundit, se partia maqedonase në pushtet do të përpiqet të krijojë ndonjë incident për të tërhequr vëmendjen nga afera e përgjimeve dhe një terren i përshtatshëm është pikërisht rajoni i Likovës, shkaku i pozitës strategjike dhe afërsisë me Kosovën. Por popullata nuk duhet të bjerë pre e provokimeve, që mund të vijnë nga faktorë të ndryshëm, sepse për momentin asnjë faktori shqiptar nuk i shkon për shtati hapja e një krize të re”, vlerëson Milazim Mustafa.

Analisti politik Albert Musliu mendon se kriza momentale nxitet nga grupe të caktuara, me qëllim tërheqjen e vëmendjes kah vetvetja dhe të shfrytëzohet rasti për interesa personale. “E para, mirë është që nuk kemi pasoja më të rënda dhe viktima në njerëz. Ka pasur tortura, por nuk ka pasur viktima. E dyta, situata momentale është e tillë, që grupe të ndryshme do të provojnë që ta tërheqin vëmendjen kah vetja dhe ta shfrytëzojnë për qëllime të tyre. Por nuk e dimë, se kush është ky grup i armatosur”, deklaron Albert Musliu
Vendi i incidentit është vizituar edhe nga përfaqësues të OSBE-së. Stacioni policor në Gushincë është përsëri nën kontroll të MPB.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button