“Sunday Express”, elozhe turizmit dhe bregdetit shqiptar
Në një shkrim për vlerat dhe publicitetin që i bën turizmit shqiptar, gazeta britanike “Sunday Express” do t’ia kalonte edhe vet Ministrisë shqiptare të Turizmit për mënyrën sesi e shet për audiencën dhe klientelën britanike atë çfarë ofron Shqipëria.
Që në titull, dhe jo pa qëllim, kjo gazetë flet për plazhet e bukura dhe të pandotura të Shqipërisë, të cilën e konsideron si perlën e panjohur të Europës me plazhe jo të mbipopulluara, ujëra të kaltër dhe birrë të lirë në çmim, teksa një gotë kushton më pak se një stërlinë, si për t’ua bërë më të prekshme britanikëve avantazhin e shkuarjes.
Për gazetën britanike, Shqipëria është në mënyrë të pabesueshme e sigurtë dhe e paqtë për ta vizituar. Në kushtet kur pritet të rriten çmimet e pushimeve europiane pas daljes së Britanisë nga BE-ja, “Sunday Express” sugjeron se Shqipëria mund të jetë një nga vendet e fundit ku mund të shijosh pushime të lira për xhepat e pushuesve britanikë, kaq afër gjeografikisht me ishullin.
Pushuesit britanikë mund të shijojnë vendet e trashëgimisë botërore të mbrojtura nga UNESCO në Shqipëri, por edhe Tiranën, një metropol që – sipas gazetës, – është një qytet i këndshëm dhe tërë gjallëri, me kafene mjaft të bukura, bare tërë stil dhe arkitekturë komuniste me plot ngjyra që ju lë pa mend.
E reja e shkrimit të fundit në shtypin britanik, që duket se ka rënë në dashuri vitet e fundit me turizmin shqiptar, deri aty sa nuk përmend asnjë të metë, për të cilat edhe shumë shqiptarë vet ankohen, është se tërheq turistët britanikë përmes avantazheve financiare të të bërit turizëm në këtë perlë të fshehur të Mesdheut, e cila do të zbulohet shumë shpejt, e ku turizmi po rritet nga viti në vit, shkruan “Sunday Express” e Londrës, e cila nuk përmend as çmimet e kripura të udhëtimit për në Shqipëri, e as mungesën e paketave turistike siç ndodh me destinacione të tjera tradicionale, ku shkojnë pushuesit britanikë.