Ekonomia

Superleku, BSH sqaron arsyet e nënçmimit të euros dhe dollarit amerikan

Monedha shqiptare ka fituar pikë ndaj euros dhe dollarit amerikan në mënyrë të qëndrueshme gjatë vitit 2019 për shkak të efekteve sezonale të turizmit që për këtë vit janë zgjeruar në kohë. Sipas raportit të politikës monetare, banka e Shqipërisë sqaron se tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga vijimësi e mbiçmimit të monedhës vendase kundrejt euros.

Kursi mesatar gjatë kësaj periudhe rezultoi 121.6 lekë/euro, me një forcim tremujor të lekut prej 1.2%, po aq sa edhe në tremujorin e dytë të tij. Edhe mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë, prej mesatarisht 3.5%, rezultoi pranë vlerës së shënuar në tremujorin e dytë të vitit (3.4%).

Krahasuar me vitin e kaluar, forcimi i lekut gjatë vitit 2019 është ngadalësuar ndjeshëm, në kushtet kur deficiti korrent, e veçanërisht ai tregtar, janë zgjeruar. Kjo ecuri e kursit vlerësohet brenda linjave të sjelljes sezonale të tij dhe përkon me një  sezon  më  të  mirë  turistik,  sikurse  tregohet  nga  të  dhënat  indirekte  të  sektorit të turizmit.

Krahas kësaj, vitet e fundit është vërejtur dhe një shtrirje më e gjerë e këtij sezoni, çka është reflektuar në nisje më të hershme të mbiçmimit sezonal  të  lekut  dhe  zgjatje  të  tij  pjesërisht  deri  në  shtator.  Shuarja  e  efektit  sezonal, tipike e muajit shtator, ka nisur vetëm në fund të këtij muaji dhe duketse po reflektohet më shumë në muajin tetor. Në tre javët e para të muajit tetor, një  euro  është  tregtuar  mesatarisht  me  123.0  lekë,  me  një  nënçmim  mujor  të  lekut  prej  1.2%  dhe  ngadalësim  të  mbiçmimit  vjetor  të  tij  në  1.7%.  Në  përgjithësi,  tregtimi  i  euros  në  tregun  valutor  ka  qenë  i  qetë  dhe  treguesit  e  stresit në të janë paraqitur në nivele optimale.

Ecuria e dollarit amerikan ka reflektuar mbiçmimin e tij në tregun ndërkombëtar valutor, por në një masë më të zbutur si rrjedhojë e forcimit të lekut kundrejt euros. Kursi usd/lek rezultoi mesatarisht 109.4 lekë/usd në tremujorin e tretë, me një nënçmim të lekut prej 0.9% krahasuar me një vit më parë. Leku ka vijuar të nënçmohet kundrejt dollarit amerikan edhe gjatë tre javëve të para të muajit tetor, duke reflektuar kryesisht dobësimin e monedhës vendase kundrejt euros.

Në  terma  nominalë  efektivë,  leku  u  forcua  me  1.1%  në  tremujorin  e  tretë.  Mbiçmimi  vjetor  efektiv  i  lekut  ka  vijuar  të  ngushtohet,  duke  shënuar  2.2%  në muajin shtator, nga 5.8% dhe 10.2% që shënonte përkatësisht në muajin qershor të këtij viti dhe në fund të vitit të kaluar.

Peshën kryesore në mbiçmim efektiv e zë forcimi i lekut kundrejt monedhës evropiane, në një kohë që zbutja e  këtij  mbiçmimi  është  diktuar  nga  ecuria  e  tij  kundrejt  lirës  turke.  Kursi  real  efektiv i këmbimit ka shfaqur trajektore të ngjashme me atë nominal; në fund të tremujorit të tretë, mbiçmimi real vjetor i lekut ka zbritur në 1.9%, nga 4.7% që shënonte në fund të tremujorit të dytë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button