Kronika

Supervjedhja, të gjithë punonjësit kanë përgjegjësi për veprim dhe mosveprim

Skandali

Pas drejtorit, punonjësve të sigurisë, arkëtarëve, dhe inventarit, hetime edhe për drejtuesit e bankës

banka-e-shqiperiseSkandali i vjedhjes katërvjeçare në Bankën e Shqipërisë ka vënë në përgjegjësi penale të gjithë punonjësit e degës së Thesarit, ndërsa hetimet do të shtrihen tashmë edhe në zyrat qendrore. Nën akuzë janë vënë 17 persona, 16 prej të cilëve punonjës të bankës dhe nipi i organizatorit, Ardian Bitraj. Por, “peshku” më i madh deri më tani ka qenë drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku, ndërsa me radhë janë akuzuar dhe arrestuar përgjegjësit e arkave stok dhe në veprim. Nën akuza janë edhe punonjësit e sigurisë, ndërsa pritet që hetimet të shtrihen te disa persona të tjerë, ndoshta te zyrat qendrore të bankës. Në ditët e para të shtatorit do të pyeten drejtuesit kryesorë të bankës, së bashku me Guvernatorin, ku do të ndahen edhe përgjegjësitë e tjera penale.

Deri më tani, akuza thotë se po punon të zbardhë mekanizmin e plotë të vjedhjes, destinacionin e shumës së vjedhur. Hetimet janë përqendruar edhe te hetimi pasuror mbi personat e dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje apo edhe verifikimi i përgjegjësive për administrimin/organizimin e punës, si dhe për zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni. Hetimi ka nisur më 21 korrik 2014. Akuza thotë se ka provuar se Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të arkës stok pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash, veprime, të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Bitraj, i cili ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë arkës stok dhe asaj për veprim, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat, sipas urdhrit të administratorit përkatës të Bankës së Shqipërisë, duhet të asgjësoheshin. Ai ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje si e ka realizuar vjedhjen. Ndërkohë, e arrestuar është edhe bashkëpunëtorja e tij, Mimoza Bruzia, e cila ka pranuar se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte para në arkën për veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, që filmonin ambientet e brendshme të Godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në disa data të dokumentuara në këqyrje, ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok.

“Fakti që shtetasi Ardian Bitraj ka hapur i vetëm derën kasafortë të arkës stok, tregon se nga ana e tresheve të ngarkuar me vlera, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, nuk është zbatuar rregullorja përkatëse. Nga pamjet filmike pasqyrohet fakti se, pas mbylljes së derës kasafortë në arkën stok (transit), nga ana e treshes së arkës për veprim të arrestuarve Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha nuk janë marrë në dorëzim çelësat e derës, duke i lënë ato në duart e të arrestuarit Ardian Bitraj, i cili, në momente të caktuara, shkon i vetëm dhe hap derën kasafortë në arkën stok, duke marrë sasi të mëdha parash”, – thotë akuza.

Shkelje kanë edhe dy specialistët e arkës stok, të arrestuarit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, të cilët, pas mbylljes së derës kasafortë, ua kanë lënë çelësat e tyre shtetasit Ardian Bitraj, edhe pse udhëzimi përkatës i detyronte ata të depozitonin çelësat në kasafortën e arkës për veprim. Gjithashtu nga hetimet e zhvilluara është provuar se nga procesverbali i këqyrjes së pamjeve filmike, në Departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë, të datës 30.07.2014, ka rezultuar se më datë 15 dhe 16 korrik 2014, shtetasi nën hetim Klevis Bejtaj ka shkuar me automjetin e tij tip Benz pranë godinës së Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë dhe është takuar me Ardian Bitraj, ku besohet se ka marrë edhe paratë e vjedhura.

Akuza thotë se në Degën e Thesarit në Linzë nuk ka pasur asnjë rregullore dhe asnjë udhëzim, në kohën kur drejtohej nga Dorian Çollaku. “Provohet se Departamenti i Emisionit nga data 01.01.2013 deri më datë 28.03.2014, në kohën që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku, ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete. Siç është provuar nga hetimi, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku”, – thotë akuza.

 

Të arrestuarit

  • Ardian Bitraj
  • Mimoza Bruzia
  • Dorian Çollaku
  • Bashkim Xhilaga
  • Petrit Ramohitaj
  • Lavdim Cani
  • Myzejen Belba
  • Liljana Tusha
  • Dhimitër Davidhi
  • Klevis Bejtaj
  • Gentian Jahja
  • Ilir Dedja
  • Emiljano Lamçe
  • Mehdi Marku
  • Bahri Allushi
  • Mehdi Molla
  • Fatbardha Gurthi

Fullani “përjashton” veten nga komiteti i krijuar me urgjencë pas vjedhjes në bankë

Komiteti i Auditit të Bankës, me 5 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës

Nga Zamir Alushi

Bëhet publik vendimi për krijimin e Komitetit të Auditit të Bankës së Shqipërisë (BSH). Vendimi i marrë me urgjencë më 31 korrik nga Këshilli Mbikëqyrës, pas zbulimit të vjedhjes së 713 milionë lekëve, është njoftuar dje në buletinin e akteve të BSH-së. Ky është një reagim i vonuar, pas vërejtjeve të bëra si nga inspektori i përgjithshëm i bankës, ekspertët e huaj dhe së fundi nga KLSH-ja. Sipas këtij vendimi, ngrihet një komitet që do të japë “vulën” përfundimtare për çdo pasqyrë financiare dhe do të vlerësojë kontrollet që kryhen në BSH.

Komiteti i Auditit

Sipas vendimit të marrë, pesë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës mblidhen në cilësinë e Komitetit të Auditit. Komiteti ndihmon Këshillin Mbikëqyrës dhe Guvernatorin në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, duke ofruar këshillim dhe opinione në lidhje me integritetin e raportimit financiar; mbarëvajtjen e përgjithshme të sistemit të kontrolleve të brendshme; vlerësimin e efektivitetit të sistemit për monitorimin e përputhshmërisë me ligjet dhe rregulloret; dhe mbarëvajtjen e funksioneve të audituesit të jashtëm dhe kontrollit të brendshëm. Komiteti ka për detyrë që të shprehë vlerësimin e tij nëse pasqyrat financiare të Bankës paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të situatës financiare, në përputhje me politikat kontabël, përpara paraqitjes për miratim pranë Këshillit Mbikëqyrës. Në veprimtarinë e tij ky komitet vlerëson procesin e administrimit të rrezikut dhe strukturat përgjegjëse të Bankës në këtë drejtim. Nga duart anëtarëve të këtij komiteti do të kalojnë propozimet për rishikim të politikave kontabël me impakt të rëndësishëm në pasqyrat financiare të Bankës. Gjithashtu, komiteti e ka për detyrë që të diskutojë me audituesin e jashtëm, përpara fillimit të auditimit, natyrën dhe fushën e auditimit dhe, në përfundim të auditimit, procedurat dhe rezultatet e auditit. Në varësi të rëndësisë së çështjes, sipas vendimit të krijimit të këtij komiteti, do të diskutohen me njësitë përkatëse në Bankë rekomandimet e audituesit të jashtëm në letrën e menaxhimit ose të kontrollit të brendshëm të Bankës. Ndërkaq, ky organizëm do të shqyrtojë programin vjetor të kontrollit të brendshëm dhe do të vlerësojë nëse funksioni i kontrollit të brendshëm ka burimet e nevojshme për ushtrimin e detyrave të veta.

Cilët janë anëtarët

Anëtarët e Komitetit emërohen nga Këshilli Mbikëqyrës për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Në fakt ata janë mbështetësit aktualë të guvernatorit në këshill, pikërisht kur pakica kërkoi dorëheqjen e tij. Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët, sipas vendimit, nuk mund të jenë anëtarë, ndërsa kryetari emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës ndërmjet anëtarëve të Komitetit. Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës ushtron detyrën e sekretarit të Komitetit. Përveç rastit të mbarimit të mandatit të përcaktuar, anëtari i komitetit lirohet nga detyra në momentin që mbaron afati i qëndrimit të tij në Këshillin Mbikëqyrës.

Funksionimi

Auditi – Audituesi i jashtëm dhe Inspektori i Përgjithshëm mund të kërkojnë mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit

Investigimi – Komiteti duhet të marrë autorizim nga Këshilli Mbikëqyrës që të kërkojë çdo informacion nga çdo punonjës i Bankës

Sekreti – Materialet, konkluzionet, rezultati i votimit dhe procesverbali i mbledhjes së komitetit, përbëjnë informacion konfidencial

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button