Tahiri: I gatshëm të përballem me PD-në
Pas kallëzimit penal të Partisë Demokratike reagoi sot ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministri shkruan se PD vazhdon të thellohet në bashkëfajësinë për ngjarjen e provokuar nga akuza e Doshit, që Tahiri i konsideron si të pabazë. Ai shprehet i gatshëm të përballet me PD-në si në prokurori dhe në gjykatë.
“Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe nuk do të kem asnjëherë problem të përballem me PD-në. Qoftë në prokurori, qoftë edhe në gjykatë. Por sot pyetja me vend është: Po Sali Berisha pse i shmanget ftesës së Prokurorisë?! Ky burrë që ka 25 vjet që akuzon dhe përgojon gjithë dynjanë; që ka quajtur vrasës dhe hajdut gjysmën e Shqipërisë; që ka lexuar me qindra herë librin e shtëpisë së çdo kundërshtari, nuk ka pasur kurrë guximin të shkojë në Prokurori”, shkruan ministri në Facebook.
Por, vijon ministri, këtë herë Saliu nuk mund të shmanget duke treguar përralla për kundërshtarët dhe duke turrur oficerët e SHQUP-it me dosje qesharake drejt Prokurorisë. “Këtë herë ai duhet të provojë se nuk është sponsor i filmit të shëmtuar! Dhe këtë mund ta provojë vetëm duke treguar në prokurori njerëzit që ai thotë se e vunë në dijeni për organizim vrasjesh. Përndryshe do të përballet me fort se kurrë me neverinë e opinionit publik dhe me fuqinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane”, përfundon komentin e tij ministri Tahiri.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u padit sot në Prokurori nga Partia Demokratike. Kallëzimi penal i depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme për ministrin e Brendshëm përfshin tre akuza: shpërdorim detyre, pengim i hetimeve dhe moskallëzim krimi në rastin e çështjes ‘Doshi’.