Takimi Rama-Basha, SHBA: Zhgënjim për dështimin
Deklaratë e ambasadës amerikane: Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Reagon PD, publikohen emailet me OPDAT dhe EURALIUS për modelin e emërimeve nga parlamenti. Bylykbashi: Këto fakte dëshmojnë fleksibilitetin e PD-së
Në Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehur sot “zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi”
Deklarata e ambasadës thekson se “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë, prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit”. Më tej deklarata vë në dukje se “do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.
Ambasada i bën më pas një përshkrim të shkurtër procesit që ka ndjekur Reforma në Drejtësi. “Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje”. Ambasada rithekson se “kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara” duke saktësuar se ato “do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”.
Keqardhje për dështimin e takimit Rama-Basha, shprehur sot dhe delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë. Në deklaratën e tyre theksohet se “ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv”.
Reagimi i Partisë Demokratike
Në mbrëmje Partia demokratike reagoi ndaj deklaratës së ambasadës së Shteteve të Bashkuara duke publikuar këmbimet e emaileve me misionet amerikane dhe europiane të Ndihmës ligjore OPDAT dhe EURALIUS për Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht çështjen e modelit të emërimeve të zyrtarëve të intitucioneve kryesore të sistemit të Drejtësisë nga ana e parlamentit. “Janë fakte që dëshmojnë katërcipërisht fleksibilitetin e PD-së gjatë negocimit dhe dialogut jo vetëm me palët politike por dhe partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Oerd Bylykbashi.
Në një email të datës 10 shkurt “ne na u paraqitën një numër zgjidhjesh e propozimesh lidhur me modelin e emërimit. Janë disa alternativa që përfshijnë dhe modelin e vendeve të rezervuara. Na u dha mundësia të zgjidhnim njërin prej modelit që garantnte përfaqësimin e opozitës. Mes modeleve të mbështetura dhe në nivele politike ajo që zgjodhi PD ishte modeli i vendeve të rezervuara ku dy përzgjidhen nga kandidatura profesionistësh nga kandidatura të shumicës, dy nga opozita dhe një me 3 të pestat”, shpjegoi zoti Bylykbashi duke shtuar se më 17 Shkurt “PD-ja ka kthyer përgjigje zyrtare duke përgjedhur modelin e vendeve të rezervuara”. Më 21 Prill “pas daljes së raportit të Venecias, ekspertët ndërkombëtarë bëjnë një komunikim të fundit duke thënë se të vetmet sugjerime janë dy: sistem proporcional i komplikuar, i përgzjedhur nga shumica dhe sistemi me vende të rezervuara i përzgjedhur nga opozita”, tregoi zoti Bylykbashi duke theksuar se “këto fakte vërtetojnë katërcipërisht fleksibilitetin maksimal të PD-së e cila në procesin e dialogut e konsensusit ka bërë hapa përpara për të gjetur pikat e takimit. Eshtë shumë e thjeshtë, është fare e qartë se i vetmi që pengon është kryeministri, i cili në momentin që vendos të përgjedh këtë model, e mbyll procesin e Reformës”.