Ekonomia

TAP, kompania: Është realizuar 87 përqind e insfrastrukturës ndihmëse

Kompania ndërtuese e gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi se punimet për projektin në territorin e Shqipërisë po ecin me ritme të shpejta. Sipas saj, deri tani është kryer mbi 87.5 përqind e vëllimit të punimeve në rrugët dhe urat e aksesit, ndërkohë që për vetë projektin në tërësi janë realizuar gati 20 përqind e punimeve.

Rruga e gazsjellësi në territorin shqiptar është rreth 215 kilometër në tokë dhe 37 kilometra të tjera në det. Gjurma e tij nis në Bilisht të Korçës dhe përfundon në bregdetin e Adriatikut, 17 kilometër në Veri-Lindje të Fierit.

Punimet për rrugët ndihmëse filluan në Verën e vitit të kaluar dhe pritet të përfundojnë këtë vit, ndërsa ndërtimi i vetë gazsjellësit nisi tre muaj më parë. Sipas kompanisë, aktualisht në projekt janë të punësuar mbi 900 punonjës shqiptarë dhe ky numër pritet të rritet deri në 2 mijë me avancimin e punimeve.

Gazsjellësi Trans-Adriatik është një investim 1.2 miliardë dollarë dhe renditet si një nga projektet me të mëdha në botë që është në fazë ndërtimi. Sipas planit, ndërtimi i gazsjellësit përfundon në vitin 2019, ndërsa dërgesat e para të gazit në tregjet europiane pritet të mbërrijnë në vitin 2020.

Një studim i Universitetit të Oksfordit ka dalë në përfundimin se vetëm gjatë fazës së ndërtimit, ekonomia shqiptare do të përfitojë 157 milionë euro shtesë në prodhimin kombëtar nga gazsjellësi, ndërsa arka e shtetit do të marrë mbi 40 milionë euro të ardhura nga taksat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button