Ekonomia

Tatimet, gati disiplinimin e artistëve; Të pajisen me NIPT

Shqipëria është ndër të paktët vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim. Shuma marramendëse që artikulohen nga vetë ata e që arrijnë në mijëra euro qoftë edhe në një natë të vetme ( kryesisht këngëtarët)e për të cilat nuk paguhet asnjë taksë.

Administrata tatimore duket se më në fund po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.

Si hap të parë ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekte që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.

Sipas tatimeve nëse detyrimet nuk përmbushen atëherë do të jenë strukturat hetimore ato që do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve.

Në njoftimin e saj administrata tatimore sqaron se :

“Në vijim të përpjekjeve të administratës tatimore për të formalizuar biznesin dhe shmangur evazionin fiskal, duke mundësuar që çdo veprimtari ekonomike e cila sipas nenit 6 të ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, duhet të bëhet i identifikueshëm duke u regjistruar e pajisur me numrin unik të identifikimit (NIPT), apo të deklarojë të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në nenet 8, 13 dhe 16 të ligjit, nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, si dhe nenit 10 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për taksat vendore”, i ndryshuar dhe të kryejë shlyerjen e detyrimit mbi të ardhurat, sigurimin e punonjësve etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ju bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesioneve të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese të cilët janë objekt i këtij ligji, që të paraqiten pranë organave tatimore për formalizimin e aktivitetit të tyre dhe shlyerjen e detyrimeve të mësipërme.

Administrata tatimore, ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik, dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal.

Përpjekja për të ndaluar një herë e mirë evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshi edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese. Muzika, artet pamore, publiciteti, krijimet audio vizive komerciale si pjesë themelore e ekonomisë së artit dhe objekt i konsumit të përditshëm të qytetarëve, kanë qenë dhe do të mbeten në fokusin e administratës tatimore paralelisht me çdo veprimtari tjetër ekonomike”, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button