Referuar Udhëzimit nr.5, datë 30.01.2006, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, të dalë në zbatim të ligjit, në pikën 1.4 citohet ndër të tjera se: përcaktimi i “burimit të të ardhurave” është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën e përcaktimit të detyrimit tatimor të personave rezidentë dhe sidomos për personat jorezidente, të cilët tatohen në Shqipëri për të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë.
Kur këto të ardhura realizohen nga persona jo-rezidentë, individë ose persona rezidentë shqiptarë që, në bazë të legjislacionit tatimor ekzistues, nuk janë të detyruar të regjistrohen në organet tatimore shqiptare, detyrimi tatimor do të mbahet në burim nga paguesi i të ardhurave.
Në pamundësi për këtë, përfituesi i të ardhurave duhet të deklarojë dhe paguajë detyrimin tatimor në organin tatimor përkatës.
Përsa i përket rezidentëve, ligji përcakton se, individët rezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore, për të gjitha burimet e të ardhurave (brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë).
Gjithashtu, sipas përcaktimeve të nenit 13, “Deklarata individuale vjetore e të ardhurave” të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar përcaktohet detyrimi i tatimpaguesve individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, mbi kufirin prej 2 000 000 lekë të ardhura bruto, të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore.
Deklarues të të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë. Afati i dorëzimit të kësaj deklarate është jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.
Tatimet lajmërojnë këngëtarët se subjekte të ndryshme të biznesit të argëtimit muzikor, të cilët janë të regjistruar në organin tatimor, duhet të lidhni me ta kontrata bashkëpunimi (në kontratë duhet të jepen saktësisht detajet si pagesa, datat e performacës tuaj, kohëzgjatja e kontratës etj.) dhe ata duhet të mbajnë dhe derdhin për llogari të organit tatimor 15 për qind nga shuma bruto që kanë përfituar.
Bazuar në Kodin e Punës, kur dy palë hyjnë në marrëveshje, ku njëra palë në cilësinë e punëmarrësit merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar kohe, në kuadër të organizimit dhe të urdhrave të një personi tjetër, të quajtur punëdhënës, i cili merr përsipër të paguajë një shpërblim kemi të bëjmë me marrëdhënie punësimi, e cila rregullohet nga kontratat e punësimit me kohë të plotë apo të pjesshme sipas dispozitave ligjore të këtij kodi.
Më tej, në referencë të ligjit Nr. 8438, datё 28.12.1998 “Pёr tatimin mbi tё ardhurat”, i ndryshuar, neni 10, pika 1, në udhëzimin Nr. 5, datё 30.01.2006, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, pika 2.6.1 dhe 2.6.2 pёrcaktohet se çdo punёdhёnёs, qё paguan njё pagё a shpërblim tё parashikuar nё nenin 8, gёrma “a”, dhe në përputhje me nenin 9, paragrafi i parë i ligjit nr.8438, mban tatimin në burim mbi tё ardhurat personale dhe e derdh tatimin e mbajtur nё favor tё organeve tatimore, duke përdorur deklaratën “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësorë dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” brenda afateve ligjore të përcaktuara në këto akte ligjore.
Një tjetër element i rëndësishëm i ligjit 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është “Burimi i të ardhurave”, ku sipas përcaktimit në nenin 4, gërma b), përcaktohet se, janë të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë edhe të ardhurat nga veprimtari kulturore apo sportive apo dhe nga veprimtari të tjera personale në Republikën e Shqipërisë.