Ekonomia

Tatimet shtojnë të ardhurat, qeveria shtrëngon krahun e shpenzimeve

Të ardhurat në buxhet u rritën me 7.4 për qind në katër muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare nga ministria e financave tregojnë se për periudhën janar prill të këtij viti, qeveria mblodhi në buxhet 130.7 miliardë lekë të ardhura nga 121.7 miliardë që ishte shifra në 4-mujorin e parë të 2015-ës.

Rritja ka ardhur plotësisht nga të ardhurat tatimore. Thuajse të gjitha taksat kryesore të buxhetit si TVSH, tatim fitimi dhe akciza kanë patur një performancë të fortë pozitive. Ndërsa, të hyrat nga kontributet, një tjetër zë i rëndësishëm i buxhetit u rritën me 12.5 për qind ndaj një viti më parë.

Por, me gjithë rritjen e të ardhurave, qeveria ka ndjekur një politikë të shtrënguar në krahun e shpenzimeve. Shpenzimet e buxhetit ishin në katër muajt e parë me 10.5 miliardë lekë ose rreth 90 milionë dollarë më të ulëta se vjet. Së bashku me rritjen e të ardhurave, kjo ka bërë që qeverisë jo vetëm të mos marrë hua për 4-mujorin, por të ketë një suficit prej 16.5 miliardë lekësh në buxhet.

Një pjesë e rënies së shpenzimeve, lidhet borxhet e prapambetura, të cilat për 4-mujorin e parë të 2015 ishin 8 miliardë lekë, ndërsa këtë vit zero pasi shlyerja e tyre ka përfunduar.

Por, veç borxheve të vjetra, shpenzimet kanë rënë edhe për shkak të investimeve publike. Për periudhën e janar prill investimet e qeverisë ishin 26 për qind më të ulëta se vjet duke u konfirmuar edhe për këtë vit një nga zërat me ecurinë më problematike të buxhetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button