Ekonomia

Tatimet: Të gjitha hapat për të çregjistruar një biznes, ja detyrimet edhe pas mbylljes

Teksa Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm procedurat për regjistrimin e një biznesi në vetëm një ditë dhe më pak dokumente, çregjistrimi është një sagë më vete. Drejtoria e Tatimeve, për ta bërë sa më të thjeshtë këtë shpjegim për biznesin, ka bërë gati një manual të shkurtër për të gjithë hapat që i duhen një biznesi për t’u çregjistruar.

Mbyllja e një biznesi bëhet me anë të aplikimit për çregjistrim. Subjektet çregjistrohen nga regjistri tregtar në rastet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për prishjen dhe pavlefshmërinë e personave juridikë, shpërndarjen e shoqërisë së thjeshtë, në rastet e përfundimit të ushtrimit të veprimtarisë të personit fizik, si dhe në çdo rast tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Çregjistrimi bëhet:

Në mënyrë vullnetare nga subjekti;

Në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë;

Sipas parashikimit të ligjeve të posaçme.

Për më shumë informacion mbi procedurën e aplikimit në QKB klikoni këtu.

Çregjistrimi i tatimpaguesit

Personat e regjistruar në organin tatimor mund të çregjistrohen në rastet që vijojnë:

Personat fizikë dhe juridikë, sipas dispozitave të ligjit “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar;

Organizatat jofitimprurëse, në bazë të vendimit të gjykatës;

Përfaqësuesi tatimor, me përmbushjen e detyrimit tatimor si i tillë;

Personat të cilët, sipas ligjit për falimentimin, janë shpallur të falimentuar me vendim gjykate të formës së prerë;

Personat juridikë publikë, në përputhje me legjislacionin e fushës që përcakton veprimtarinë e tyre.

Qendra Kombëtare e Biznesit ose gjykata, menjëherë me marrjen e kërkesës për çregjistrim prej tatimpaguesit, njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit ose për kërkesën për çregjistrim të personit fizik apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik, edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit.

Organi tatimor kompetent, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim, është i detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe njofton njëkohësisht QKB-në ose gjykatën dhe subjektin.

Kur organi tatimor, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, atëherë ky afat nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë pune, përfshirë kryerjen e kontrollit.

Qendra Kombëtare e Biznesit ose gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se brenda afatit 30-ditor të sipërpërmendur, administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin.

Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe, në rastin e personit juridik, faktin se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit, ose nuk ka dorëzuar deklaratat tatimore.

Në rastin kur subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit ose gjykatës rezultojnë me detyrime tatimore, ata çregjistrohen automatikisht pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore, përfshirë detyrimet që lindin në rastin kur çregjistrimi kryhet me likuidim.

Në rastin kur kundërshtimi për çregjistrim nga organet tatimore është bërë si pasojë e mosdorëzimit të pasqyrave financiare ose deklaratave tatimore, atëherë, me paraqitjen e tyre, organi tatimor kompetent detyrohet të tërheqë menjëherë kundërshtimin për çregjistrim dhe Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit.

Nëse, pavarësisht nga shlyerja e detyrimit, për të cilin është kundërshtuar çregjistrimi, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti paraqet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dokumentin që vërteton shlyerjen e këtyre detyrimeve tatimore. Në këtë rast, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton organin tatimor kompetent dhe tatimpaguesin.

Kujdes:

Çregjistrimi tatimor nuk eliminon detyrimet ekzistuese tatimore dhe nuk parandalon administratën tatimore të vlerësojë ose të mbledhë detyrimet tatimore. Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB-ja kryejnë, sipas këtij neni, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, njoftohen në të njëjtën kohë edhe tatimpaguesit.

Datë e çregjistrimit të tatimpaguesit në administratën tatimore është data e çregjistrimit në QKB ose gjykatë. Datë e çregjistrimit të personave të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant, të kryefamiljarit, që punëson individë si punëtore shtëpie, kujdestare etj., të kësaj natyre, të përfaqësuesve tatimorë dhe fermerit është data e miratimit të çregjistrimit të tyre nga administrata tatimore, por me efekt në datën e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button