Të sëmuresh nga dashuria
Paul Gauguin, nga moskuptimi në artin e vërtetë. Historia e një prej artistëve më të njohur të shekullit XX. Nga Parisi në Haiti, një rrugëtim i shndërruar në tablo
Nga Luan Rama
Atelieri i dikurshëm i Paul Gauguin në “Rue Vercingetorix” pranë Montparnasse, është dy hapa nga shtëpia ime, pasi ndërpritet me “Alfred Durand-Clay” ku banoj. Ishte befasuese për mua që këtë piktor e adhuroja që në mesin e viteve ’70… ai më kishte zbuluar hapësira të panjohura nga bota… madje akoma më shumë nga ai planet ku jetonim ne! Një ditë shkova të shikoja se ç’bëhej me atë vend ku Gauguin punoi dhe jetoi gjatë dy vjetëve, para ikjes së tij përfundimtare drejt Polinezisë, drejt ishujve Marquise…. Bashkëkohësit e tij e kujtonin shpesh atë atelier… Vështroja atë ndërtesë dhe imagjinoja kohën e ngjizur në të, përfytyroja atë piktor të dëshpëruar në kërkim të horizonteve të reja, edhe pse në zemër të Parisit. Ishte fundi i viteve 1880….. Paul Gauguin dhe Van Gogh e kishin lënë Parisin dhe kishin zbritur drejt Arles dhe Saint Remy për të kërkuar imazhe të reja, diçka të re e moderne, larg akademizmit të pëlqyer në sallonet parisiane të artit. Ata ishin të ngjashëm me poetin e tyre bashkëkohës Arthur Rimbaud, i cili ngaqë e kuptoi se poezia e tij nuk ishte e mirëpritur në rrethet poetike të kohës së “Parnasienëve” dhe nuk kuptohej, i bindur për vlerat e veçanta që kishte poezia e tij, ai i ktheu krahët Parisit letrar për të gjetur horizonte të reja, ashtu siç e shkruante dhe në poezinë e tij: “Po e lë Europën. Ajri detar do m’i përcëllojë mushkëritë. Klimat e largëta do më kalisin…” Po, kështu shkonin gjenitë kur nuk e gjenin veten dhe vlerësimin për artistin. Edhe ikja e piktorëve Gauguin dhe Van Gogh drejt jugut të Francës ishte si shkas i moskuptimit, pasi piktorët nuk e gjenin vetveten në mjediset e artit. Shkas u bë edhe zënka me mikun e tij të afërt Van Gogh, pasi Van Gogh donte që ai të rrinte me të dhe se ikja e tij do ta trishtonte shumë. Ata flinin në të njëjtin apartament edhe pse krijimtaria e tyre ishte e ndryshme nga njëri-tjetri. Një natë, Gauguin kishte hapur sytë në gjumë dhe sipër tij kishte parë fytyrën e çoroditur të mikut të tij.
– Çfarë ke Van Gogh! – i kishte thënë ai.
Por Van Gogh ishte larguar pa folur drejt shtratit të tij.
Një ditë tjetër, Van Gogh i kishte hedhur gotën e pijes së absintin në fytyrë e një herë tjetër, ato ditë kur Gauguin më së fundi po bëhej gati të largohej, në rrugë ai ndjeu hapa që nxitonin pas tij dhe i njohu që ishin hapat e mikut të tij. Ktheu kokën dhe pa Van Gogh-un me një brisk në dorë… Por Van Gogh-u kishte shkuar më tutje pa thënë asgjë… Po atë ditë, kur Gauguin i ishte afruar apartamentit të tyre, ai pa policët aty pranë dhe kur u ngjit pa Van Goghu-n e fashuar që rrinte në trisht me kokën e fashuar. Kishte prerë veshin. Një gjymtim që donte të bënte nga dhimbja për ikjen e shokut të tij, siç do ta shohim dhe më pas në një autoportret të tij. Menjëherë Theo, vëllai i Van Gogh, erdhi të kujdesej për të vëllain dhe disa ditë më vonë, pasi e lanë piktorin e sëmurë në spitalin e Arles për t’u qetësuar psiqikisht, ata u larguan drejt Parisit. Gauguin e kishte vendosur: do të ikte, larg, sa më larg… nëpër ishujt dhe kolonitë, ndoshta në Madagaskar, mbase në Saint Domingue apo Martinique… diku në Polynesie… larg, veç të ikte. Rrethi i piktorëve nuk e konsideronte fare dhe atë e mbanin për një piktor të vogël. Po kështu dhe gruaja me fëmijët e tij ishin larg në Kopenhagë… Gauguin ishte një lloj bohemi. Dhe kështu, i përbuzur, me anijen më të parë që shkonte drejt Polinezisë, ai u nis i ngarkuar me telajo dhe kanavacë për krijimet e tij të ardhme. Hipur në anijen “Australien” ai më së fundi u nis. Tre muaj më pas Gauguin dalloi brigjet e Tahitit ku do të fillonte një aventurë e re pikturale: ajo e diellit dhe ngjyrës ekarlate, e fortë, spikatëse, si e dalë nga një llavë vullkani të harruar në ato male që i ngjiteshin qiellit thikë, rrethuar nga një gjelbërim i pafund… dhe deti, deti, e kaltra dhe ngjyra metise, okër-kafe e atyre indigjenëve të mirë e të paqtë, e banorëve të atyre ishujve që deri atëherë nuk e kishin gjetur veten në pikturën e metropolit francez, në penelat e një Monet, Degas, Van Gogh, Renoir… Dhe Gauguin kishte besim se një pikturë tjetër do ta prezantonte atë me dinjitet në sallonet parisiane. Dhe kështu, shumë shpejt, peizazhet dhe figurat e tahitianëve do të krijoheshin në telajot e tij, do të shfaqeshin vetvetiu me buzët e tyre të trasha dhe vështrimin e paqtë, të sinqertë, me gjinjtë e zhveshur dhe zemrën e hapur, ku mund të hyje pa trokitur. Papete ishte atëherë me 3000 banorë. Gjeti një shtëpi të vogël druri, një verandë dhe filloi të mësojë gjuhën, folklorin, madje u vendos larg qendrës së banuar. Ai donte të ishte larg qytetërimit perëndimor që kishte mbërritur ndërkohë deri aty… por ai donte sa më afër qytetërimit vendas… Në fillim në Parca, pastaj në Tetuani, ku ritet fetare indigjene ishin të gërshetuara me katolicizmin, prandaj dhe Jezuja që krijoi ai ishte ndryshe nga ajo që bënin piktorët perëndimorë. “Je vous salue Marie!”, “Ju përshëndes Mari”, dhe poshtë kësaj tabloje me këtë titull ai vendosi fjalët tahitiane “Ia orana”. Edhe pse i dëshpëruar dhe larg fëmijëve të tij, ishte piktura që e shpëtoi atë: “Gjithë ekzistenca ime ka qenë e tillë, – shkruante ai në një letër drejtuar miqve të tij në Paris. – Shkoj gjer në cep të greminës dhe nuk bie!” Dhe që të ketë një model, por dhe të ketë pranë seksin tjetër, ai merr një nga ato vajzat brune dhe shtatlarta që në gjuhën e vendit i quajnë “vahine”. Dhe Teha’amana shkon të jetojë me të në kasollen e tij. – Ti nuk ke frikë nga unë? – i kishte thënë ai, duke shkruar për takimin e tyre parë.
– Aita! (Jo!)
– A do të banosh në shtëpinë time ?
– Aha! (Po!)
– Ke qenë ndonjëherë e sëmurë?
Vitet kalonin dhe tablotë e tij, edhe pse vuante e jetonte gjithnjë në mjerim, shtoheshin dhe tashmë shumë prej tyre i kishte nisur te galeristi i tij në Paris. Tahiti ishte larg metropolit. Të tjerat mendoi t’i merrte me vete dhe mendoi të merrte rrugën e Francës për të bërë të njohur punët e reja të tij. Një ekspozitë ishte hapur ndërkohë në Kopenhagë, nën kujdesin e gruas së tij, Mette. Dhe ai niset: “Kur lashë skelën, pashë për herë të fundit Teha’amana-n që kishte qarë disa net rresht. E trishtë por e qetë ajo qëndronte e ulur mbi gur, me këmbët e varura mbi ujin e kripur!…” Kthehej me katër franga në xhep. Tablotë ishin pasuria e vetme e tij. Më 30 gusht 1893 mbërriti në Marseille, nga ku i dërgon një letër gruas së tij. Por e zemëruar me të, ajo nuk i ktheu përgjigje. Po kthehej me besimin që kishte pasur poeti Rimbaud: “Do të kthehem me këmbë hekurt, – kishte shkruar ai, – dhe me syrin e furishëm, e sipas fytyrës do më gjykojnë si pinjollin e një race të fortë”. Vallë, si do ta priste Parisi i letrarëve e artistëve? Që nga viti 1877, ai kurrë nuk kishte ekspozuar në Paris. Tashmë piktura e tij ishte një tjetër pikturë, tablo me një intensitet e ngjyrë të jashtëzakonshme, me personazhe e subjekte të një bote të largët që zbarkonin aty në zemër të Parisit…. Mallarmé që i pa ato tablo kishte shkruar: “Si mund të vendosësh kaq shumë mistere në një tablo dhe kaq shumë shkëlqim?!” Por kur Gauguin i kërkoi të shkruante diçka si parathënie të ekspozitës së tij, Mallarmé heshti… Ato kohë, Ana, një metise, erdhi të jetonte në atelierin e tij të habitshëm me ato xhama të lartë dhe shumë gjëra ekzotike që ai kishte sjellë nga Tahiti, ku dhe muret tashmë i kishte lyer me ngjyra të forta, veçanërisht të verdha. Në atelier mbante madje dhe një papagall. Aty i priste miqtë. Aty kishte shkuar një ditë dhe dramaturgu i madh August Strindberg, autori i dramës së famshme “Zonjusha Zhuli”… aty dhe miku arvanitas, poeti Jean Moréas, i cili e kishte deklaruar në një mbrëmje të tij festive si simbolistin e pikturës franceze. Idetë e Moréasit dhe programi i tij për shkollën simboliste e kishin joshur piktorin, i cili i kishte bërë madje dhe një karikaturë të bukur dhe mjaft të gjetur. Ai i kërkoi Strindberg-ut t’i shkruante diçka për parathënien e ekspozitës së atyre ditëve, por Strindberg iu përgjigj: “Ju keni krijuar një tokë të re, një qiell të ri, por unë nuk e ndiej veten në mjedisin e krijimeve të tua…”. Atëherë Gauguin e shkroi vetë parathënien duke botuar letrën e Strinderg dhe përgjigjen e tij, ku ndër të tjera, duke iu referuar figurës së pikturuar të Evës që ekspozonte, ai i shkruante: “Eva, sipas konceptit tuaj të qytetëruar ju bën, apo pothuaj na bën të gjithëve mizozhinë. Por Eva e lashtë në atelierin tim, e cila ju frikëson, mund t’u buzëqeshë një ditë më me pak hidhësi… Eva që unë kam pikturuar mund të qëndrojë nudo para syve tanë…” Parisi, Franca, Europa, i dukej atij e ftohtë, mospërfillëse. Vallë nga njerëzit primitivë që kishte pikturuar? Mikpritës ishte veçse Degas e ndonjë tjetër, që duke i blerë ndonjë tablo kërkonin ta ndihmonin që të mund të jetonte. I zhgënjyer nga ëndrrat se do të prezantonte në Paris një art të ri, Gauguin e gjeti veten të braktisur, të tepërt. Kohë e moskuptimit. Ç’vlerë kishin Eva-t e tij, ajo botë njerëzore e largët që mbartte thelbin e vet njerëzor me ngjyrat e ngrohta të tokës, diellit, ngjyra që ai i shikonte si një muzikë inkandeshente të gëzueshme e jetëdhënëse. Dhe përsëri ai niset drejt Tahitit. Përsëri brigje, ishuj, diell dhe ata njerëz paganë me ritet e tyre shekullore. Gjen një tjetër grua, të quajtur Vaeoho. Ajo ishte gruaja e shtratit dhe modelja e tij. Kohë më pas, ai i shkruan miqve të tij në Paris se “së shpejti do të jem përsëri me fëmijë. Dreq o punë. Më duhet të mbjell farën ngado…” Ndryshe nga tri gratë e para të tij në Tahiti, që nuk i shohim aq në tablotë e tij, Vaeoho na shfaqet shpesh e gjerësisht, sensuale, si vetë dielli dhe bregdeti tahitian, femra e çlirët, pagane, ashtu siç ishte krijuar nga mëma e vet. E vetmja lidhje që e mbante me familjen larg në Kopenhagë ishte Aline, vajza e tij e madhe, e brishtë si një lule. Në Krishtlindjet e vitit 1893 ai i kishte shkruar: “Tashmë je 16 vjeç, je rritur. Zonjushë, shko në ballo… A di mirë të kërcesh? A të kujtohet para tre vjetëve kur më thoje se do të ishe gruaja ime? Unë qesh tani me fjalët e tua dhe mendimin naiv. Ah, fëmijët e mi të varfër, mos e qortoni atin tuaj që nuk u sjell para në shtëpi. Por një ditë ju do të mësoni se ai ishte ati më mirë në botë!…” Por jo shumë kohë më vonë, një lajm i tmerrshëm trondit ekzistencën e tij. Aline, vajza që donte më shumë nga fëmijët dhe që i shkruante letra shpesh, kishte vdekur. “Sapo më ka vdekur vajza, – shkruante ato ditë ai. – Tani nuk e dua më Zotin. Ashtu si dhe nëna ime, ajo quhej Aline. Çdo njëri do në mënyrën e vet: për disa, dashuria është e ekzaltuar në qivure, për të tjerë nuk e di… Ah, varri i saj atje… Lule! Por kjo është në dukje. Varri i saj është këtu, pranë meje: lotët e mi janë lule të gjalla!…
Dhe Gauguin mbytet në dëshpërim. Mjerimi i tij i përditshëm është gjithnjë e më i madh. Pikturat shiten rrallë. Më 1897, pas temës së tij të gjatë “Nevermore, o Taiti”, ai pikturoi një figurë vajze, interesante, të shtrirë ashtu si një odaliskë e Edouard Manet, por me ngjyra të ndezura, e vetmuar… një vajzë e shtrirë, një jastëk i verdhë, pas saj dy figura grash që bisedojnë dhe një korb që përgjon… mos vallë “Korbi” i Edgar Poe-s që poeti Mallarmé ua lexoi një mbrëmje gjithë entuziazëm grupit të simbolistëve?… Po kështu, një tjetër tablo: një vajzë e shtrirë si në një tablo, një Venus i Cranache (I Vjetri). Piktura ishte e vetmja gjë që e bënte të harronte dhimbjet e shpirtit dhe ato të trupit. Tabloja “Kur do të martohesh? (Nafeaa fa ipoipo) mbetet një nga tablotë e përkryera e më të mira të tij, ku spikat shpirti polinezian, sensualiteti dhe ai primitivizëm i dashur i tij, për çka do ta admironin nga të parët piktorët Matisse dhe Picasso (ky i fundit u influencua së tepërmi në tablonë e mëvonshme të tij Zonjushat e Avignon-it). Por një nga tablotë më tronditëse të Gauguin është padyshim dhe autoportreti i tij i gjetur në shtëpi pas vdekjes “Autoportret pranë Golgotës”, ku spikat dhimbja e pakufishme e një njeriu që kërkon një lloj shpëtimi. Por ai e ndjen se asgjë nuk mund ta ndihmojë tashmë. Bota e artit të metropolit ende e mban larg, në heshtje. Por ai e di se një ditë atje do ta duartrokasin, por ai s’do të jetë më. A nuk kishte ndodhur kështu dhe me mikun e tij Van Gogh?…
Kështu, vazhdimisht, gjithnjë e më shumë, ai mendonte të vriste veten. “Ah, vitin që shkoi, gabim që nuk e vrava veten!” – shkruante ai. Në nëntor të atij viti, Gauguin shkruan se nga kjo botë “kërkon vetëm heshtje”. Le ta lenë të lirë, të harruar, diku, larg… Ai nuk ha, nuk ka uri. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë është piktura dhe ai ngrihet sërish të pikturojë një tablo të re edhe pse kanavaca tashmë i mungon gjithnjë e më shumë. Duhen para. Në vitin 1899, e dashura e re Pau’ura vjen të jetojë me të. Në prill lindi një djalë, e quajtën Emile dhe Gauguin ishte i lumturuar: ja më së fundi një fëmijë pranë tij. Ai kërkon që të shkruhet në bashkinë e Papete-s si ati i tij, madje kërkon të martohet me Pau’ura, por prifti nuk pranon, meqë ai figuron i martuar me dikë tjetër që është në Kopenhagë, edhe pse nuk ka asnjë lajm për të.… Në këtë kohë pikturon dhe tablonë Mëmësia e pastaj Dy tahitianet. Në vitin 1901 shkon të jetojë në ishullin pranë, HivaOa, ku janë 500 banorë. Peizazhi i ri e mrekullon, po kështu figurat njerëzore dhe shtëpinë e tij të re, të drunjtë, ai e quan “Shtëpia e gëzimit”. Paleta e tij tahitiane është e kuqja, okra, roza si dhe jeshilja e bluja e detit. Por ai gëzim ishte i përkohshëm.
Ndërkohë ai largohet edhe më larg nga qendra e banuar për në ishujt Marquises, një nga vendet më të virgjëra, më të bukura e më të vetmuara, ku janë vendosur dhe disa misione fetare. “Në dritaren time, – shkruante ai, – këtu në Autona të Marquises, gjithçka po errësohet, vallet kanë mbaruar, meloditë e ëmbla janë shuar. Por nuk është qetësi. Në kreshendo, era vërtitet nëpër degë dhe vallja e madhe fillon. Cikloni gjëmon. Olimpi shfaqet. Jupiteri ua dërgon rrufetë, titanët bien nga shkëmbinjtë dhe lumi del nga shtrati… ” Një dekor i vërtetë vagnerian. Është 2 janari i vitit 1902. Shira të tmerrshme bien mbi shtëpinë e tij. Erërat e forta të furtunës apo një cunami, i marrin kasollen dhe ia çojnë tutje, mbi një shkëmb. Ishte forca e papërballueshme e natyrës. Një stuhi e paparë. Dhe për më tepër, tashmë sëmundja e tij është bërë kritike. Ekzema e këmbëve e pengon të ecë dhe mjekimet e pareshtura nuk e mposhtin atë sëmundje të tmerrshme, ku për më tepër vuante dhe nga sifilizi. Tani merr morfinë që të qetësojë dhimbjet. Ashtu nëpër delirin e dhimbjeve ai vazhdon të pikturojë. E megjithatë është i kënaqur që pikturat e tij ndërkohë po i vlerësohen dhe galeristi i tij Vollard i kërkon piktura të reja. Madje tashmë ai ka një pagesë mujore. Degas kishte blerë një tablo të Gaguin! Ja më së fundi vlerësimi. Piktorin e handakosur tutje botës tashmë po e vlerësonin dhe për më tepër piktorë me emër si Degas e të tjerë. I sëmurë dhe në dhimbjen e madhe të vetmisë ai pikturon një tablo të madhe, më e madhja e tij ku poshtë shkruan: “Nga vijmë? Kush jemi? Ku shkojmë? Problem i përhershëm që godet krenarinë tonë. O dhimbje, ti je Zoti im!”… Dhe tabloja do të quhej “Nga vijmë? Kush jemi? Ku shkojmë?” (D’où venons-nous? Qui sommes nous? Où allons nous?)… Një pyetje filozofike e ekzistencës njerëzore. Një ditë ulet dhe shkruan: “Mbrëmjen që shkoi pashë se kisha vdekur dhe u habita sepse ishte momenti kur vërtet e ndjeva veten të lumtur!”… Tashmë sëmundja po e dërmon gjithnjë e më shumë. Dhimbjet janë edhe më të mëdha. Morfinë, zvarritje, bojëra, telajo, pikturë… atje i rrethuar nga tablotë, nderur në atë kasolle të mjerë. Ç’bënte ky piktor në fund të botës?
Një mëngjes, një indigjen e gjeti pa frymë dhe shkoi të lajmërojë të tjerët: “I bardhi ka vdekur!”… “I bardhi ka vdekur!” Ishte data 8 maj 1903. Arkivolin për në varreza e shoqëroi prifti i ri dhe katër njerëz të mjerë të atij ishulli vullkanik që e mbanin për ta çuar në varrezat e misionit katolik në majë të kodrinës.
Më vonë, një pllakë guri ishte vendosur në varrin e tij: “Ci-git Paul Gauguin, artiste français, juin 1848 – mai 1903, Société des études océaniennes” (Këtu prehet Paul Gaguin, artist francez, qershor 1848-maj 1903, Shoqata e Studimeve Oqeanike”). Kur tablotë e Gauguin erdhën dhe një ekspozitë u hap, bota e artit të metropolit zbuloi atë që nuk e kishte kuptuar si dhe dramën e tij, zbuloi Gaguin-in si një artist të madh…