Të udhëtosh në Shqipëri, ku shqiponjat fluturojnë ende
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur, në gusht të 1991-it, 20 mijë shqiptarë iu larguan varfërisë dhe rrëmujës duke iu afruar brigjeve të Italisë në bordin e anijes ”Vlora”. Pamjet dramatike bënë xhiron e botës. Që nga ajo kohë, Vendi i Shqiponjave ka ecur përpara dhe, në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, promovon bashkëpunim tregtar dhe financiar, iniciative kulturore dhe natyrisht, turizmin. I mëshohet faktit se Shqipëria është një vend me natyrë shumë të bukur, me njerëz mikpritës dhe një vend pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të italianëve, kaq e afërt dhe kaq e ngjashme (të gjithë në Shqipëri flasin italisht dhe i dinë problemet tona), por akoma kaq e largët.
Por, tani, një guidë e re turistike përpiqet të mënjanojë paqartësitë që, gjatë viteve të kaluara, edhe për shkak të fakteve të shumta të kronikës, ka krijuar një ide të shtrembër për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për të ndihmuar turistët që të shohin më mirë fqinjin tonë përtej Adriatikut, i famshëm për shqiponjat që fluturojnë mbi majat e Alpeve (flamuri shqiptar ka një shqiponjë me dy krerë në një sfond të kuq) dhe që sot janë të rralla, por janë shpallur specie në mbrojtje. ”Me më shumë se 180 faqe të pasura me informacion, me më shumë se 90 foto, harta dhe të dhëna, histori, gjeografi, klimë dhe kulturë, guida ‘Tirana dhe Shqipëria’ nga Morellini Editore duket si mbështetja e duhur për të zbuluar një nga destinacionet më tërheqëse të Ballkanit. E botuar falë bashkëpunimit mes antropologut Francesco Vietti dhe Benko Gjatës, gazetar dhe drejtor i Qendrës së Kulturës Shqiptare, kjo guidë përfaqëson për lexuesit një pamje të plotë për vendin, me një hapësirë të madhe për Tiranën, një seri udhëtimesh njëditore apo itineraresh disaditore në të gjithë vendin.
Një udhëtim në Shqipëri ofron vizita ku shijohet një antikitet i rrallë si ai i rrënojave parahistorike, greke dhe romake në Butrint, kolonia ilire në Apolloni, brigjet e mrekullueshme (bregu i famshëm i Dhërmiut), qytetet e pasura në pamje dhe histori (edhe e krishterë dhe italiane) si Berati dhe Gjirokastra. Dhe pastaj mrekullia e Alpeve të virgjëra shqiptare dhe mikpritja e ngrohtë e një populli të thjeshtë dhe krenar. Një destinacion origjinal në zemër të Evropës, që mund të përshkohet me rulotë dhe motoçikletë (sot ka rrugë moderne dytësore pranë bregdetit) apo më shpejt me avion për të udhëtuar më pas me veturë./ (Nga Fabrizio Cassinelli)