Teatri si dashuria
Olta Daku / Të jesh aktore në Tiranë … Rrugëtimi nga muzika te teatri
“Është dashuri, diçka që merr formë brenda teje pa të cilën nuk bën dot.” Ky është teatri sipas Olta Dakut, një forcë e brendshme që i jep fytyrën e personazhit që ajo do të ngjisë në skenë. Aq sa kur shfaqja ka mbaruar, asaj i duhet kohë ta shkëpusë prej trupit rolin. Vetëm një javë më parë ajo ishte Dorina, shërbëtorja në komedinë “Tartufi” që u ngjit në skenë nën regjinë e Erion Kames, e cila kërkonte t’i hapte sytë padronit të saj Orgonit, për ta parë qartë hipokrizinë e Tartufit. E qeshur, me një humor thumbues dhe të vërtetë, Dorina ishte personazhi që vazhdon ta bëjë për vete publikun prej shekujsh. Ka të vërteta në thëniet e Dorinës, e cila vazhdon të personifikojë thjeshtësinë që thuhet gjithnjë nga njerëz pa pushtet. E veshur me fustanin e gjatë me fruta të Dorinës, Olta Daku solli një interpretim të arrirë, duke e nxjerrë Dorinën nga imagjinata e Molierit dhe duke i dhënë jetën ashtu si ai e kishte menduar në skenën e Teatrit Kombëtar. Por kishte një sekret mes Oltës dhe Dorinës, që bënte që të mos dallonte aktoren nga personazhi. Një sekret që e çoi Oltën pas në kohë, kur regjisori Kame i besoi këtë rol. Në mendje iu shfaq imazhi e një gruaje me zë të bukur, e cila mbrëmjeve ulej në shtratin e vajzës dhe i lexonte asaj pasazhe të tëra nga Dorina. Ajo ishte Xhovana Daku, mezosoprano, që kërkonte ta rriste të bijën me personazhe të denja që mund t’i gjeje vetëm në libra. Dhe Dorina do të grishte herët përfytyrimin e Oltës, duke i marrë asaj pse jo pak humorin gjatë rritjes. I pari njeri që telefonoi kur mori në duar pasazhet e tekstit të Dorinës, ishte mamaja. Ky rol dukej si një takim me të shkuarën, si për të treguar se asgjë, dhe rrëfimet e thjeshta dhe të ndjera të fëmijërisë, nuk janë rastësisht. Ka gjithnjë takime të dyta në jetë me njerëzit që i kemi dashur shumë, qofshin këto dhe personazhe, si takimi i Oltës me Dorinën. Ky personazh duket se ashtu siç hapi mendjet dhe sytë e Orogonit për të parë atë çfarë ishte në të vërtetë Tartufi, kishte hapur herët një rrugë tjetër drejt së cilës Olta po ecte pa e ditur, rrugën e teatrit. Bijë e dy prindërve të lidhur me muzikën, babai pedagog klarinete në Akademinë e Arteve (Kristo Daku), dhe e ëma mezosoprano Olta u rrit me pasionin për muzikën. Për një vit ajo do të merrte mësime flauti dhe më vonë do të studionte kanto në Lice. Por muzika dukej se po ndërtonte një tjetër botë brenda Oltës, një botë shpesh e padukshme, por tepër e fortë për ta shtyrë drejt një tjetër zgjedhjeje që kishte të bënte me fjalën. Dukej se teatri ishte projektuar herët në mendjen e saj, ashtu pa e ditur, që në kohët kur endej në shtëpi dhe lexonte me zë pasazhet e Dorinës. Gjithçka ndryshoi gjatë dëgjimit të një diplome, ku humbi aq shumë në botën e muzikës, sa kur doli prej saj u ndie e qartë se donte një tjetër botë. “Ishte një zë i brendshëm, i cili u bë më i qartë që papritur të kuptoja se doja aktrimin”, thotë ajo. Vitet e studimeve në Akademinë e Arteve do të ndërtonin profilin e aktores së ardhshme, e prerë për role karakteresh. Ajo e quan fat faktin se ka punuar me dy pedagogë si Mario Ashiku dhe Altin Basha, nga të cilët ka mësuar disiplinën e teatrit. “Çifti i shqyer”, vepra nën regjinë e Altin Bashës, ku Daku shfaqet përkrah aktorit Gazmend Gjoka në historinë e një çifti që ka një raport të nderë me lirinë, do të tregonin ambicien e një aktoreje që po i bashkëngjitej skenës. Më pas do të ishte “Zonja Pavov” te Çehovi nën regjinë e Spiro Dunit, që do ta afronin dalëngadalë drejt skenës së Teatrit Kombëtar. “Pata një propozim nga i ndjeri Roland Trebicka dhe Taqo Pecani, që më ofruan rolin e Afrovitit, me të cilin u ngjita për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar”, thotë Olta. Afroviti do ta bënte aktoren e re pjesë të trupës permanente të Teatrit Kombëtar, ku vazhdon ende sot. Aktrimi është gjithçka për Dakun, aq sa sot e ka të vështirë të mendojë se mund të kishte zgjedhur një tjetër profesion. Pavarësisht situatës në të cilën operon ky profesion në Shqipëri, ajo do t’i marrë ato orët e mira të një ndjeshmërie që kalon të gjitha caqet e emocioneve. Vetëm pak kohë më parë, Olta do të ishte Sonja, në shfaqjen “Vanja, Sonja, Masha” nën regjinë e Driada Dervishit. “Roli i Sonjës më ka lënë pa gjumë. Ishte hera e parë që një personazh nuk më linte të qetë. Kishte një lloj ndjeshmërie kjo vepër që më ka bërë ta dua që kur pata kontaktin e parë me tekstin. Humor dhe një trishtim i bukur që më bënte ta doja”, thotë Daku. Por përtej humorit Sonja ishte një personazh që mbarte brenda dramën e sotme njerëzore, e një brezi që papritur zgjohet dhe pyet se çfarë ka bërë në jetë … Kjo vepër kishte brenda krizën e vazhdueshme që po jeton shoqëria apo dhe vetë teatri. Pasi, përtej gjithë trishtimeve, trishtimi më i madh i artistëve në vend është vetë teatri. “Nuk më duket sikur teatri ka pasur vëmendjen e duhur, megjithëse këtë vit ka qenë një situatë pak më ndryshe. Por do të duhej të kishte më shumë vëmendje ndaj teatrit, që gjërat që shkojnë ndryshe …”, thotë Olta, duke vazhduar se “nuk është e lehtë të jesh aktore, ku vëmendja përqendrohet kudo, vetëm jo te teatri”. Olta, por jo vetëm ajo, e kanë të vështirë të shohin dritë tek e ardhmja për sa i përket artit. Dhe kjo nuk lidhet me faktin që si natyrë i duhet kohë të lidhet me optimizmin, por me situatën me të cilën është operuar këto vite. “Ashtu si godina e vjetër në të cilën ndodhet, ashtu është edhe vetë teatri, i trishtë në të gjithë dimensionin e tij si gjendje”, thotë ajo.
Do të doja të shihja Meryl Streep në teatër
Nuk është vetëm muzika ajo që e çlodh Oltën. Kjo ndjesi e vjetër, e cila duket sikur ka lindur bashkë me të (e rritur në një shtëpi ku dëgjohej muzikë) vazhdon të ketë ende atë forcën çliruese tek ajo, sa herë do të ndiej paqe pas një kohe të trazuar. Por drama, ajo e fortë, ka të njëjtën veti si muzika tek ajo. Në ditë ku trishtimi të merr me vete, ajo do të donte të ulej në sallën e një teatri si një spektatore e zakonshme dhe kur perdet e teatrit të hapeshin, të shihte të interpretonte në një dramë aktorja Meryl Streep. Ka diçka dramatike te kjo aktore që jemi mësuar ta shohim në filma, që në teatër bëhet më e fortë.