IntervistaKosovaRajoni

Thaçi: Fletarresti i Serbisë për mua u lëshua në kohë të errëta

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaci ka folur për vizitën e shumëpërfolur në Beograd, Gjykatën Speciale, dialogun me Serbinë dhe cështje tjera. Duke folur për paralajmërimet se nëse shkon në Beograd do të arrestohet, Thaci ka thënë se fletëarresti për të nga Serbia është lëshuar në kohë të errëta.
Zëvëndëskryeministër Thaçi, Gjykata Kushtetuese dy ditë më parë dha dritën jeshile për themelimin e Gjykates Speciale për krime lufte. Por themelimi i kësaj gjykate po kundërshtohet ashpër nga partitë politike opozitare, të cilat thonë se ajo cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë. Vërtetë po cenohet sistemi i drejtësisë dhe a duhet të ketë frikë Kosova nga kjo gjykatë?

Hashim Thaçi: Unë e vlerësoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale. Kosova këtë rrethanë të re duhet ta shndërrojë në një përparësi, në një ecje përpara, në një thellim të ri të partneritetit me SHBA-së, Bashkimin Evropian dhe NATO-on, dhe në asnjë rrethanë ky vendim nuk duhet të merret si ndëshkim, apo si frikë apo si dëmtim për Kosovën. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, të bashkuar si shtet dhe si qytetarë mund ta tejkalojmë këtë sfidë jo të lehtë. Por bashkarisht të përballueshme dhe të tejkalueshme. Ndaj mendoj se bashkëpunimi me sistemin e drejtësisë dhe në anën tjetër edhe letërkëmbimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, pastaj edhe vendimi i kuvendit të Republikës së Kosovës, japin të drejtë që të vazhdohet me këtë proces në mënyrë të kordinuar me partnerët ndërkombëtar.

Zëvëndëskryeministër, këtë të shtunë partitë opozitare do të mbajnë një protestë kundër siç thonë ato” kapjes së shtetit”, nga partitë në pushtet. Ato kërkojnë shkarkime dhe dorëheqje të udhëheqësve të disa institucioneve të pavarura të Kosovës në të cilat thonë se ka shtrirë ndikimin pushteti. Çfarë thoni ju për këto akuza dhe për protestat e opozitës?

Hashim Thaçi: Pushteti në Kosovë është me legjitimitet të plotë qytetar, i dalur nga zgjedhjet e lira fer dhe demokratike me rezultat të pranuar nga i gjithë spektri politik kosovar, me një vlerësim shumë të lartë ndërkombëtar të organizimit të zgjedhjeve sipas standardeve perendimore dhe për herë të parë këto zgjedhje të organizuara në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës dhe pjesëmarrjes së serbëve të veriut. Kosova ka një opozitë të dhunshme, ka një opozitë reaguese, një opozitë me tendenca konfrontuese dhe në asnjë rrethanë ballafaquese alternativash apo idesh dhe mendoj se kjo nuk është e shëndetshme për vet opozitën kosovare. Ndërsa përpjekjet për të sulmuar dhe zhantazhuar institucionet e pavarura të Kosovës, mendoj se janë të dëmshme për shtetin e Kosovës, për institucionet e Kosovës, janë të dëmshme për vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në veçanti sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese, sulmet ndaj sistemit bankar, sulmet ndaj investitorëve ndërkombëtar, sulmet ndaj Radio Televizionit të Kosovës. Pra të gjitha këto janë përpjekje të paqëndrueshme që nuk kanë ndonjë opinion pozitiv në Republikën e Kosovës. E ritheksojë edhe njëherë, pushteti fitohet me votën e qytetarëve, me vullnetin e tyre me një proces të rregullt demokratik, duke respektuar kushtetutën, ligjet e vendit dhe në asnjë rrethanë në përpjekjet ozurpuese të modeleve të revolucioneve proletare.

Këto ditë në media u njoftua për një vizitë të mundshme tuajën në Beograd, i ftuar të merrni pjesë në një konferencë e thirrur nga një organizatë joqeveritare. Do të merrni pjesë në këtë konferencë?

Hashim Thaçi: Unë jam i ftuar nga një organizatë rinore joqeveritare me seli në Beograd, me rrjet në rajonin tonë dhe më gjerë. Në kuadër të pjesëmarrjes së disa personaliteteve nga OJQ të ndryshme, por edhe njërëz të politikës nga rajoni dhe më gjerë, unë kam konfirmuar pjesëmarrjen. Është një mundësi e mirë e thellimit të bashkëpunimit, apo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të ishte një mesazh i mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për paqen dhe stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe një mesazh i pajtimit ndërmjet popujve tanë. Ne kemi kaluar tash e tri vite një kohë të gjatë së bashku në Bruksel, duke punuar për të mirën e vendeve dhe popujve tanë me një angazhim të lartë të baroneshës Catherine Ashton, tash edhe të zonjës, Mogherini. Ndaj edhe konfirmimi im për të marrë pjesë në këtë konferencë në Beograd, për bashkëpunimin, paqen dhe pajtimin e Kosovës dhe Serbisë edhe në rajon, është një konfirmim i vullnetit tonë të mirë. Është e drejtuar për interesin e të gjithëve dhe për të ardhmën e vendeve tona.

Zëvëndëskryeministër Thaçi, autoritetet e Serbisë në një far forme ju paralajmëruan se në Serbi akoma ekziston dhe është në fuqi një urdhër arrest për ju. Keni frikë se mund të arrestoheni nëse shkoni në Serbi?

Hashim Thaçi: Unë mendoj se edhe Serbia e di: ajo periudhë e errët edhe për Serbinë edhe për rajonin ka kaluar. Tash jemi në një rrethanë të re. Dhe ju e dini se në atë periudhë ka pasur urdhër arreste ndaj shumë personaliteteve botërore dhe rajonale, në kuadër të tyre kam qenë edhe unë. Tash kemi një lidership të ri në Beograd dhe ajo që shoh në takimet e Brukselit është për një shpresë dhe vullnet për integrimet euroatlantike. Prandaj edhe vullneti im dhe masazhi për lidershipin në Serbi është që të punojmë bashkarisht për një rajon paqësorë, për një rajon bashkëpunues, për një fqinjësi të mirë dhe për të ardhme të sigurt euroatlantike.

Zoti Thaçi, ju tash po merrni pjesë në një konferencë në Holandë ku diskutohet diplomacia digjitale dhe ku marrin pjesë 20 ministra të jashtëm në mesin e tyre edhe homologu juaj nga Serbia Ivica Daçiq. Do të diskutoni me zotin Daçiq për pjesëmarrjen tuaj në konferencën për të cilën jeni i ftuar në Beograd?

Hashim Thaçi: Unë në këtë konferencë do të kem takime bilaterale, ndërsa nuk është konfirmuar ndonjë takim për të cilin pyesni ju. Por natyrisht nëse do të kem hapësirë dhe mundësi, por edhe rrethanat çfarë do të mund të krijohen, ne do të kemi përshëndetje dhe do të shikojmë mundësitë e ndonjë bisede të shkurtër për të ardhmën e dialogut.

Kur jemi tek raportet me Serbinë, tashmë Kosova dhe Serbia janë në fazën e tretë të dialogut. Megjithatë akoma janë disa marrëveshje që nuk janë zbatuar. Mund të flitet ketu për tema të reja në kuadër të dialogut me Serbinë nëse nuk zbatohen të gjitha marrëveshjet e deritashme?

Hashim Thaçi: Ne do të takohemi më datën 21 prill në Bruksel për të diskutuar për kodin telefonik, i cili do të jetë sipas standardeve evropiane dhe do të jetë në përputhshmëri me realitetin e ri kosovar. Ndaj do të ketë edhe tema të reja por do të punojmë që të vazhdojë implementimi i marrëveshjeve të kaluara, në veçanti sistemi i drejtësisë që ka filluar edhe konkretisht.

Zëvëndëskryeministër Thaçi, ishte një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që u debatua dhe kishte reagime shumë në opinionin vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, i cili tha se nëse Bashkimi Evropian nuk e merr në gjirin e saj edhe Kosovën, atëherë Shqipëria dhe Kosova janë të detyruara të mendojnë për bashkim klasik. E mbështesni ju këtë qëndrim të kryeministrit të Shqipërisë?

Hashim Thaçi: Ne punojmë maksimalisht për të ardhmen evropiane të Kosovës edhe Shqipëria ka të ardhme të sigurt evropiane, ne po punojmë që ky vit të jetë viti evropian për Kosovën në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave dhe në marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe në aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Ndërsa ne të gjithë punojmë që të bashkohemi në familjen e madhe evropiane. Unë e kam theksuar se kryeministri Rama është keqinterpretuar, ai është një lider reformator dhe lideri evropian i Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button