Kosova

Thaçi-Nuland: Kosova e përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me SHBA-në

Kryeministri-i-Republikës-së-Kosovës-Hashim-Thaçi-ka-pritur-sot-në-takim-Ndihmës-Sekretaren-Amerikane-të-Shtetit-për-Çështje-Evropiane-dhe-Euroaziatike-Victoria-Nuland1-539x350 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit sot me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, ritheksoi se qeveria e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përhershme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit zyrtar të sapodërguar nga Kryeministria kosovare, në takim u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së SHBA-së.
Kryeministri Thaçi në takimin me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland theksoi se zhvillimi i procesit zgjedhor të 8 qershorit dëshmoi se Republika e Kosovës kaloi me sukses të plotë edhe një test të demokracisë, duke organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, që u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
“Tani pas përmbylljes së procesit zgjedhor, me përkushtimin më të lartë institucional dhe politik po punojmë për implementimin e rezultatit zgjedhor, duke formuar institucionet e reja demokratike, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në këtë proces, besoj se i gjithë spektri politik i Kosovës do të reflektojë seriozitetin dhe pjekurinë e lartë politike”, theksoi Kryeministri Thaçi.
Në takimin e sotëm, Kryeministri Thaçi e njoftoi znj.Nuland edhe me përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e reformave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. “Në kuadër të këtij angazhimi, do të vazhdojmë në mënyrë të veçantë të fokusohemi në fushën e energjisë, atë të turizmit dhe në fusha tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ai.
Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Thaçi theksoi se “qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të këtij procesi ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera sektoriale, të arritura mes dy vendeve.
“Në këtë proces, janë arritur rezultate konkrete, por ka edhe ngecje në implementim nga ana e Serbisë, por besoj se me mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së, këto ngecje do të tejkalohen dhe do ta përmbyllim suksesshëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende të pavarura dhe sovrane”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi e siguroi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland për vazhdimin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se me frymën konstruktive të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të mund të arrihet integrimi i plotë i rajonit në BE dhe në NATO.
Kryeministri Thaçi në takimin që zhvilloi sot me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Republikën e Kosovës në të gjitha periudhat.
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, sot në Prishtinë zhvilloi takime me drejtuesit e lartë të shtetit të Kosovës.
Gjatë paradites Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, e cila pasi takoi së bashku edhe Isa Mustafën, kryetar i LDK dhe Ramush Haradinajn kryetar i AAK, u prit edhe nga Kryeministri Hashim Thaçi.
Ende nuk ka njoftime zyrtare nga takimet e tjera.
Ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike Victoria Nuland, e cila pas vizitës dje në Tiranë, sot do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, në turnenë e vizitave në vendet ballkanike, në Forumin e Kroacisë në Dubrovnik ka përshëndetur arritjet e Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, duke thënë se Ballkani Perëndimor ka të ardhme të sigurt drejt BE-së.
Media në Beograd thekson se temë kryesore e bisedave me zyrtarët serbë do jetë dialogu me Prishtinën dhe procesi i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button